Gol nga spitali Torinos, flet Luke Shaqiri: Momenti më i rëndësishëm në karrierë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2018 | 14:59

Gol nga spitali Torinos, flet Luke Shaqiri: Momenti më i rëndësishëm në karrierë

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Pëllumb (Luke) Shaqiri është autori i golit të vetëm në Tiranë, në fitoren e parë historike ndaj një skuadre italiane. Nga 1995, bashkë me gruan e djalin, është transferuar në Kanada. Shumë aktiv edhe sot, drejton një akademi futbolli në London Citty, qytet afër Torontos. Ka lidhje bashkëpunimi me Lacion e Tares.

“U ndodha në vendin dhe momentin e duhur”, thotë ai për “Panorama Sport”. Luke Shaqiri për dhjetë vite mbajti fanellën e Partizanit (’66-’76) dhe sot është një gjysh entuziast, që mbetet po aq argëtues sa në fushën e lojës, edhe kur bisedon me të nëpërmjet aplikacionit “Whatsap”…

luke shaqiri

Cila ishte atmosfera në prag të këtij takimi?

Tre muaj stërvitje për një ndeshje, me trajnerët Resmja, Boriçi, Ndinin dhe Krajën. Kujtoj se disa ditë para saj isha në spital nga grykët. Petrit Dumja pyeti për mua: “Ku është ai që mban topin?”… – I treguan – “Shkoni e merreni!”, – tha. Erdhën Çiraku me Mihal Gjikën, më nxorën nga spitali.

Luke, si e kujtoni aksionin e golit?

Ka qenë fillimi i pjesës së dytë. Ishte një aksion i gjatë dhe para zonës, rreth 16 metra, Bajko tenton të godasë portën, topi devijohet nga mbrojtja, shkon te Pano, ai ma shtyn mua. Kam qenë diagonal, pa menduar, godita me të majtën, nga porta e qytetit nga krahu i tribunës, topi ngjitur me shtyllën, nga e djathta tokazi e Vierit që nuk reagoi. Kur mbaroi loja, në dhomat e zhveshje pati një entuziazëm të madh, erdhën tifozë, drejtues dhe në darkë në Shtëpinë Qendrore u organizua një mbrëmje, ku për herë të parë trajneri Resmja dhe gjeneral Dumja na lejuan të pinim sa të donim.

Nga Shkodra për në Titograd…

Në Shkodër, në mungesë të hotelit, atë natë kemi fjetur në një repart apo divizion, ku na shtruan krevate, çarçafë të rinj. Por, nuk fjetëm, pasi ishte kohë dasmash dhe duke shëtitur na ftonin të futeshim brenda, kështu deri pas mesnate.

Pastaj, për në Torino?

Ka qenë një udhëtim i gjatë, Titograd, Dubrovnik, Romë. Aty kemi fjetur një natë, në një hotel afër stacionit që kishte siguruar ambasada dhe të nesërmen herët jemi nisur me tren. Pas rreth 11-12 orësh udhëtim kemi mbërritur në Torino.

Si ju orientoi Resmja para takimit?

Ndonëse kisha qenë me Partizanin në Bullgari e Turqi, ndryshe ishte të shkoje e të luaje në Itali. Refiku më orientoi që aq sa të sulmoja, edhe të kthehesha mbrapa, pasi ata kishin lojtarë të mirë si: Agropin, Ferrinin, Kombin, Mondonikon. “Duhet të luash edhe si mbrojtës, ke energji”, më thoshte.

Dhe më pas?

Në ndeshje, 10-15 minutat e para ata bënë presing, realizuan dy gola. Kujtoj një gjuajtje timen, afër shtyllës, sikur na liroi, morëm zemër. Pastaj, një moment, kur pas një harkimi të Gjikës, në një pozicion të mirë, përballë e afër portës, tentoi të godas topin me kokë, vjen një mbrojtës, më shtyn me bërryl, duke humbur ekuilibrin dhe rastin.

Bajko thotë se në fund të lojës keni humbur golin e kualifikimit?

E vërtetë. Pasi Bajko shënoi, në minutat e mbetura unë kam humbur një rast ideal. Shmanga një mbrojtës, edhe portierin Vieri, por topi më doli jashtë kontrollit në vijën fundore. Nuk ishim mësuar me vesën që kishte rënë gjatë mbrëmjes, që e bënte rrëshqitës terrenin. Duhet të kisha gjuajtur në portë pa e shmangur portierin.

Më folët për një shqiptar që ju kërkonte?

Goli i shënuar në Tiranë kishte tërhequr vëmendjen. Isha i ri, as 19 vjeç. “O Luke Shaqiri, zbrit poshtë, dil pak jashtë”, bërtiste një person. “Zbrit se duan të takojnë, të bëjnë një kontratë të mirë…”. Me dy vëllezërit Janku, Mikelin dhe Agimin dilnim shëtitje dhe Torezi që më frenonte: “Bëj kujdes, mos merr revista!”, më thoshte.

Dhe gazeta që u zhduk pa lënë gjurmë….

I vetmi kujtim nga ajo ndeshje ka qenë “La Gazzetta dello Sport”, që Bajko e bleu të nesërmen. Vite me vonë ma dha mua, nuk e di kujt mund t’ia kem dhënë, ose ku e kam lënë gjatë largimit për në Kanada. Fakti është që sot, për fat të keq, nuk e gjej.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"