30 vite më parë, Partizani-17 Nëntori, si iu mohua Muçës goli nga mesfusha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2019 | 22:22

30 vite më parë, Partizani-17 Nëntori, si iu mohua Muçës goli nga mesfusha

UVIL ZAJMI

Të shënosh nga mesfusha është konsideruar një kryevepër, një veprim i rrallë, unik, një ekzekutim fenomenal, aftësi që e kanë lojtarët “fuoriklas”. Kërkohet intuitë, mjeshtëri, saktësi, shpejtësi, forcë, vështrim periferik e nuhatje.  partizani 17 nentori hiqmet kuka

Një i tillë është edhe ai e Shkëlqim Muçës, historia e një goditjeje të paharruar spektakolare në një derbi, Partizani17 Nëntori që përfundoi në rrjetë. Pse u anulua goli? Cili ishte reagimi publik, ndëshkimet ekzemplare të FSHF-së për arbitrat e futbollistët dhe zhdukja e filmit të takimit. Komenti i gazetës “Sporti”, si e kujtojnë pas tri dekadash arbitri Kuka, asistenti Ndreka si “gardalina” që ngriti flamurin, portieri Musta dhe autori i gjuajtjes magjike, që edhe sot e shoqëron nga pas shprehja “Ti je Çim Muça që i bone gol Partizanit nga mesfusha”.

GJUAJTJET DHE GOLAT NGA MESFUSHA, PAK KRONOLOGJI…

Kampionati Botëror, “Meksikë 1970”, 3 qershor: BrazilÇekosllovaki 4-1. Një ndeshje që kujtohet edhe për veprimin e Pelesë, që mund të jetë i pari që ideoi dhe ekzekutoi një goditje të tillë befasuese kur nga mesfusha në pjesën e dytë gjuajti dhe topi që përfundoi jashtë portës së boshatisur pak lart, ngjitur me shtyllën e djathtë. Pastaj, raste me gjuajtje dhe gola nga mesfusha në distanca të largëta mund të kujtojmë Rekobën e Interit, Ibrahimoviçin në Suedi-Angli, etj.

Po në Shqipëri? Të tillë kampionë nuk kanë munguar, duke filluar nga Iljaz Çeço kur më shumë se gjysmëshekulli më parë, në kampionatin e vitit 1962, në fushën e vjetër të shkollës “20 Tetori”, në ndeshjen TraktoriBesa, ka realizuar nga mesfusha në portën që siç e kujton vetë, mbrohej nga i famshmi Shefqet Topi. Për të ardhur në kohët moderne, Korçë, 18 shkurt 2015. Kupa e Republikës, ndeshja e dytë Skënderbeu-Flamurtari 3-1.

shkelqim muca arben minga

Një gol spektakolar i shënuar nga kapiteni korçar Shkëmbi. “Rezultati ishte 2-1 për ne. Topi i shkelmuar nga portieri Ilion Lika erdhi tek unë. I ndodhur te harku i mesfushës, e kam goditur fluturimthi me gjysmëtrine. Çuditërisht, topi mori forcë dhe hark dhe është futur në rrjetë duke u përplasur fillimisht në tokë pas vijës fatale”, pati thënë ai.

Një gol i jashtëzakonshëm për nga ekzekutimi, saktësia. “Loro Boriçi”, 7 prill 2018. Superiore, Vllaznia-Lushnja 4-0. Minuta e 26-të, topi i larguar nga mbrojtja shkodrane ka përfunduar te Sukaj, që pasi ka shmangur një kundërshtar, ka goditur befasishëm nga larg dhe topi ka ndaluar në rrjetë. Një kryevepër e paparë asnjëherë në Shkodër, duke i shtangur të gjithë, tifozë e telekronistë. “Pashë portierin Spaho jashtë zone dhe godita me të majtën. Topi kaloi nën traversë dhe u përplas në rrjetën e poshtme të portës nga ana veriore. Ishte goli i tretë. Distanca? 62 metra e 80 cm ka qenë”, kujton asi shkodran.

Për të vijuar me golin e shënuar nga Sokol Kushta i Flamurtarit, që nga një pozicion diagonal, në “Qemal Stafa” ndaj Partizanit, pranë vijës anësore nga krahu i tribunës A, goditi fuqishëm dhe topi me forcë përfundoi në rrjetë, në portën nga ana jugore. Për të ardhur te Shkëlqim Muça, një ekzekutim që do të mbetet gjatë në memorien e atyre që e kanë parë “live” në “Qemal Stafa”, spektatorë, radiokronistë, telekronistë, gazetarë, teleshikues. Për disa motive: i shënuar në një derbi, tejet spektakolar, por…… i anuluar.

partizani i viteve 80

PARTIZANI-17 NËNTORI, CAKTOHET HYQMET KUKA, ARBITËR I FIFA-S

Sezoni 1986-’87, faza e dytë, java e parafundit. “Qemal Stafa” i tejmbushur, interesim i madh, mesditë e nxehtë maji, luhej Partizani-17 Nëntori. Për të drejtuar atë ndeshje është caktuar një treshe nga Tirana me kryesor Hyqmet Kukën. Ndërkombëtari i njohur kryeqytetas, në kulmin e formës në elitën e arbitrimit shqiptar, sapo ishte kthyer nga Turqia, kur “Sporti” jep informacionin: “Një figurë të mirë po bëjnë gjyqtarët tanë të futbollit në ndeshjet që gjykojnë jashtë vendit. Në foton që po botojmë janë tre gjyqtarët tanë, Hiqmet Kuka, Dhori Prifti dhe Stavri Papa, fiksuar në stadiumin e Izmirit, pak çaste para ndeshjes Turqi-Angli 0- 0 për Kampionatin Europian të Shpresave, zhvilluar javën e shkuar. Gjyqtarët tanë u përgëzuan për gjykimin shumë të mirë që bënë”, e mbyll komentin “Sporti”.

Java e 23, Kategoria I, 9 maj 1987

Stadiumi “Qemal Stafa”

PARTIZANI: Musta, Ramadani, Gega, Ahmetaj, Frashëri, Lame, Pano (Kaçaçi ‘83), Millo, Shehu, Agalliu, (Ocelli 46), Trajner: N.Bajko.

17 Nëntori: Mersini, Kepi, Lekbello, Hodja, Omuri, Riza (Liti 46’), Muça, Stoja, Josa, Minga, Kola. Trajner: Sh. Rreli.

K. Verdhë: Pano, Minga, Hodja.

Shikues: 15000, kornet 5-6.

Vëzhgues I. Plaku, nota 3.

Arbitra: Hiqmet Kuka (FIFA), Q. Baci, S. Ndreka (Tiranë).

PARTIZANIT I MJAFTONTE NJË PIKË, GODITJA SPEKTAKOLARE E MUÇËS DHE 0-0!

Mendohej një përballje e fortë midis rivalëve shekullorë siç ka ndodhur gjithmonë, por kronika na informon se u zhvillua një ndeshje e qetë, pa tension, pa emocion e garë sportive, ndonëse interesimi ishte i madh. Kjo, edhe për faktin se në mjediset sportive kryeqytetase, nën zë flitej për një kompromis.

Partizanit i mjaftonte edhe një barazim për t’u shpallur kampion. Ndeshja e mbyll 0-0, por ai takim do të kujtohet për minutën e 83- të. “Sporti” i 11 majit 1987 në shkrimin pa autor, me titull: “Mëdyshja e një barazimi luftarak”, shkruan: “Është java e parafundit e sezonit 1986-’87, pra, kur kanë mbetur edhe 90 minuta, 2 pikë më tepër për Partizanin dhe + 25 golavarazhi përballë +20 të Flamurtarit”.

17 nentori i veteve 80

Për të ardhur te momenti “…Ndërkohë, Kepi ka hedhur vështrimin përpara. Në një vërshim të tijin deri pranë vijës fundore dhe dërgimit të topit në zonë, Musta me një kërcim të bukur akrobatik, pret dhe në ngutje e sipër e dërgon topin në këmbët e Muçës. Në hije deri atëherë, Muça gjuan nga rreth 35 metra larg dhe topi pushon në rrjetë me gjithë përpjekjet e Mustës e të Gegës te vija fatale.

Një gol i rrallë? Por, vijërojtësi S. Ndreka tund energjikisht flamurin. Pozicion jashtë loje! Por, i kujt?”… Kur vëzhguesi vlerësonte publikisht Ndërkohë, rezultatet e javës së 23-të ishin: Dinamo-Labinoti 1-0, Traktori-Besa 1-3, Naftëtari-Skënderbeu 0-1, Apolonia-Tomori 2-0, Vllaznia-Luftëtari 2-1, Flamurtari-Lokomotiva 2-0.

RENDITJA

Partizani 35 pikë

Flamurtari 33 pikë

Vllaznia 30 pikë

Java e fundit: Luftëtari-Partizani dhe Tomori-Flamurtari. Në numrin e saj të 11 majit, te “Sporti” vihet re edhe një detaj krejt i veçantë për kohën, kur vëzhguesi i atij takimi, Ilia Plaku, nga Tirana, ka dhënë publikisht opinionin zyrtar, duke e vlerësuar me notën “3” treshen e arbitrave, kur maksimalja është “5”. Ndërkohë, postndeshja u shoqërua me polemika, tension në fushë dhe në opinionin publik, me debate veçanërisht për gjuajtjengol.

Në darkë, në “Rubrikën Sportive”, goli u përsërit disa herë, e të ftuarit jepnin argumente e mendimin e tyre, pa përcaktuar qartësisht vendimmarrjen e arbitrave. Ndërkohë, reagimi i federatës do të jetë i ashpër. Të hënën ajo ka mbledhur komisionet e saj, duke marrë vendime drastike me pasoja të rënda për disa nga protagonistët.

FEDERATA: NË “GIJOTINË” ARBITRA E FUTBOLLISTË!

Më 13 maj 1987, “Sporti” njofton: U mblodh kryesia e Federatës Shqiptare të Futbollit për të shqyrtuar propozimet e Kolegjiumit Qendror të Gjyqtarëve dhe Komisionit Disiplinor, lidhur me masat për dobësitë e gjykimit dhe qëndrimet e disa futbollistëve në ndeshjen Partizani- 17 Nëntori. U morën këto masa:

1. Gjyqtari anësor, Sotiraq Ndreka, për gjykim të njëanshëm përjashtohet nga veprimtaritë kombëtare të futbollit;

2. Gjyqtarit kryesor, Hiqmet Kuka, për drejtim me mangësi gjatë ndeshjes dhe qëndrim liberal ndaj futbollistëve që kryen veprime të parregullta, i hiqet titulli i gjyqtarit ndërkombëtar, si dhe pezullohet nga veprimtaritë kombëtare të Kategorisë së Parë deri në fund të vitit 1987;

3. Futbollistët Ledio Pano dhe Anesti Stoja pezullohen për dy ndeshje nga veprimtaritë kombëtare për gjeste indisiplinore;

4. Futbollisti Arben Minga për gjeste indisiplinore pezullohet 3 ndeshje;

5. Futbollisti Lefter Millo për goditje të kundërshtarit pezullohet 4 ndeshje;

6. Trajnerëve të ekipeve të 17 Nëntorit dhe Partizanit u tërhiqet vëmendja për një punë edukative më të mirë me futbollistët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"