Kur historia shkruhet e rishkruhet për së mbari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2020 | 21:20

Kur historia shkruhet e rishkruhet për së mbari

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Pjesa e tretë

HUNGARIA – SHQIPERIA nr. 3

HISTORIA E HUNGARIA – SHQIPËRIA 12-0. Do të mbërrinim kështu te ngjarja e frikshme që daton më 24 shtator 1950. Ka qenë ndeshja e 275-të zyrtare e radhës për Hungarinë, ndërsa e 19-ta për Shqipërinë, çka do të thotë se Hungaria kishte zhvilluar deri në këtë ditë 15 herë ndeshje më shumë se Shqipëria! Dhe 12-0 për Hungarinë e Ferenc Pushkashit.

Përveç asaj çka u tregua në dy pjesët e para të “studimit” tonë, e gjitha kjo ka të bëjë me faktin se edhe në periudhën 1949-’50, Shqipëria kishte arritur rezultate të jashtëzakonshme: Rumania – Shqipëria 1-1, Bullgaria – Shqipëria 0-0, Shqipëria – Polonia 0-0, Shqipëria – Bullgaria 2-1. Ishte një cikël i çuditshëm që e bënte Shqipërinë e vogël, e cila ishte vetëm katër vjet që kishte dalë për herë të parë në fushën e lojës, të cilësohej si një nga më të fortat e skuadrave të vendeve socialiste, të një kampi të diktaturave komuniste, i cili me një rregullsi të pazakontë zhvillonte këto ndeshje miqësore si për të treguar unitetin e tij të të gjitha fushave. Duket si artificiale natyrisht, po tashmâ ata luanin një futboll mjaft të mirë duke pasur në majë Hungarinë, e cila po ngrihej në krye të futbollit botëror. Ndërkaq, ai që do të vononte për Shqipërinë, ose më mirë me thënë, që do të luante vetëm 1 herë kundër Shqipërisë në një ngjarje që për të shënon fillimin e një epoke, ishte më i madhi: Ferenc Pushkash (Puskas). Për Shqipërinë ai do të ishte rrënuesi më tronditës që do të njihte historia. Kështu, krejt papritmas Shqipërisë i vjen ftesa e madhe e një turneu që do të përshkohej në boshtin Pragë – Budapest – Bukuresht, ndër të rrallat ftesa në historinë e saj deri më sot. Në këto vende, madje në krejt kampin komunist europian, Shqipëria paraqitej si një nga më të fortat e Europës Lindore dhe publiciteti kishte marrë përmasa krejt të pazakonta të vlerësimit. Kësisoj, edhe në Hungarinë e Pushkashit.

Trajneri Bik Jakova e kishte skuadrën në një formë të shkëlqyeshme dhe tashmâ për Loro Boriçin po flitej si për një futbollist të përmasave të mëdha europiane. Nuk duhet të ishte një befasi. Tetë vjet më parë shqiptari i tretë i madh mbas Riza Lushtës së Juventusit dhe Naim Kryeziut të Romës, Boriçi kishte qenë pjesëtar i Lazio-s së Romës përkrah Silvio Piola-s, kampionit të botës. Niset kështu ky delegacion sportiv shqiptar, të cilin do ta prisnin ngjarje dramatike të udhëtimit, të ndeshjeve e mbasndeshjeve, e deri te dënime e mallkime që do të bëheshin shembull i rrallë për krejt mjedisin e tronditur të sportit shqiptar të asokohe. Emrat janë këta: Përgjegjës nga ana sportive është Anton Mazrreku, i cili ishte inspektor i futbollit në Komitetin e Kulturës Fizike e Sporteve pranë Këshillit të Ministrave – në të vërtetë ai ishte drejtuesi i futbollit në rang qeveritar. I tillë ishte organizimi. Përgjegjësi tjetër, për anën josportive ishte Stavri Xhara, ndërsa gazetar ishte Anastas Zisi. Trajner Ludovik Jakova.

Futbollistët të cilët po i vendos simbas alfabetit në mbiemrat, ishin këta: Hamdi BAKALLI, Besim BORIÇI, Loro BORIÇI, Muhamet DIBRA, Zihni GJINALI, Skender JARECI, Muharrem KARANXHA, Bahri KAVAJA, Rexhep LAÇEJ, Sllave LLAMBI. Sulejman MALIQATI, Aristidh PARAPANI, Sabri PEQINI, Rexhep SPAHIU. Xhevdet SHAQIRI, Sulejman VATHI, Qemal VOGLI. Për fat, gjithçka do të fillonte jo nga fusha e blertë e futbollit, por nga ujërat e Dardaneleve të Turqisë. Ky ishte udhëtimi fatal i Kombëtares së kuqezinjve me të panjohurën e parë që i thoshin Pragë, në një udhëtim për çudi, përmes detit, drejt Bullgarisë e prej andej me tokë drejt Pragës. Dhe krejt papritmas, në ngushticën e Dardaneleve ngjet episodi i paprecedentë i arratisjes së dy lojtarëve tejet të rëndësishëm, Bahri Kavaja e Muhamet (Bule) Vathi, të cilët kërkojnë lirinë e vërtetë.

SHQIPERI HUNGARI (1)

Kjo është ndër fotot krejt të rralla të Hungarisë së fillimit të viteve ’50. Është 11-shi i cili do të udhëtojë për në fushën e lojës të “ndeshjes së shekullit”, Anglia – Hungaria 3-6 të 25 nëntorit 1953 në Londër. Lart nga e majta: Lorant, Buzanszky, Hidegkuti, Kocsis, Zakarias, Czibor, Bozsik, Budai. Ulur nga e majta: Lantos, Puskas, Grosics. Pesë prej tyre, Bozsik, Budai, Puskas, Grosics, Kocsis, janë të 11-shit të 12-0 ndaj Shqipërisë.

Ata zgjedhin Turqinë, asokohe armike e pakompromis për Shqipërinë. Akti i tyre nuk ka pasur asgjë spontane. Djem të rinj, moshatarë 28-vjeçarë, të fortë e guximtarë, ata gjejnë çastin e tyre dhe hidhen nga anija. Drejt e në det, duke prekur mbas kalimit me not, tokën e premtuar të Turqisë, ata kishin fituar lirinë në mërgim dhe nuk e merrnin me mend se me këtë akt të tyre ata ishin bërë protagonistët që kishin mbyllur historinë e bukur të Kombëtares së Shqipërisë të viteve ’40-’50. Ngado që ta marrësh, ngjarja ka qenë një tronditje e madhe për ekipin. Nuk ka shkaqe të tjera. Gjithçka tjetër përbën shtrembërime të së vërtetës. Ajo çka do të ndodhë në ndeshjet e këtij turneu ka vetëm shkakun e arratisjes së kësaj dysheje futbollistësh. Jo ngaqë mungesa e tyre do të shkaktonte e vetme rënien cilësore të skuadrës, por sepse tashmâ nuk do të përcaktonte mjeshtëria e futbollit, por rënia e pandalshme psikologjike, ankthi, mendimet e trazuara të lojtarëve, enigmat që i prisnin në kthim në Shqipëri – çka do ta tregojmë më tej – teksa do të viheshin nën akuzë, siç dhe ngjau në të vërtetë. Ka qenë 17 shtator 1950, kur megjithatë, trajneri Jakova e nxjerr këtë Kombëtare të tronditur keqas në fushën e lojës të stadiumit të Pragës, doemos pa Kavajën e Vathin, me një moral të shkatërruar, të përzier me një frikë e tension të papërshkrueshëm. Humbja është e pamënjanueshme: 3-0! Ndeshjen e shkatërrimit të madh fati e kishte përcaktuar të shfaqej mbas 7 ditëve, më 24 shtator 1950, në Hungaria – Shqipëria, ndeshja “tragjike” e Kombëtares që mbetet sot e kësaj dite humbja më e thellë e saj, që do të shfaqej në vetëm këto tri shifra: 12-0! Për 53 minuta Qemal Vogli pëson 8 gola. 2 gola prej Pushkashit, 2 nga Budai, 2 nga Palotash, 2 nga Koçish. Është një bombardim i pamëshirshëm.

Vetëm një moral i pazakontë, një forcë e brendshme e çuditshme bën që skuadra shqiptare të rezistojë 18 minuta. Ishte një rezistencë e rrêjshme, megjithatë. Pushkashi shënon golin e parë dhe nga minuta 18 deri te ajo e 53-të Qemal Vogli pëson plot 8 gola, çka do të thotë një gol në çdo 4 minuta, duke u vendosur kësisoj një tjetër rekord botëror i periudhës në ndeshje kombëtaresh. Në të 54′ trajneri Jakova ndërron më në fund Voglin me Maliqatin, i cili ka “nderin” të pësojë “vetëm” 4 gola, 2 nga Pushkash dhe 2 nga Budai. Dhe 12-0. Të dy ishin portierë të rrallë. Është vërtet për t’u studiuar se si ka qenë e mundur që në aq pak vite Shqipëria të formonte dy portierë të tillë të rangut europian siç ishte i talentuari i përmasave jashtëzakonshme Qemal Vogli, i cili u bë legjendë – përveç të tjerave edhe me arratisjen e tij të mëvonshme, por dhe me kthimin e tij – e nga ana tjetër, Sulejman Maliqati i rrallë në artin e tij, që për një portier trupvogël, duhet të studiohet në librat universitarë të futbollit. Pesë vjet më vonë, në 1955, të dy do të shfaqin zotësinë e tyre të pamatë përballë një prej skuadrave më të famshme hungareze, Dozha e Budapestit – çka do ta tregojmë në pjesën IV, atë të fundit të dossier-it tonë.

Por ndeshja e Budapestit do të kishte një kryeprotagonist tjetër, emri i të cilit ishte Ferenc Pushkash. Kishte luajtur 28 ndeshje me Hungarinë dhe kishte shënuar 38 gola – rekord botëror i kohës për treguesin ndeshje/gola për një futbollist kombëtareje të të gjitha kohërave. Por 4 gola në një ndeshje ai i shënonte për herë të parë në histori. Ia shënonte Shqipërisë sonë. Shto këtu katërshen tjetër të golave nga Budai. Siç e kam shkruar me kohë, në 1993, kam takuar në Durrës dr. György Szepesi-n, radiokronistin mitik të Hungarisë, kur ai, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, kishte ardhur si delegat në Shqipëri. Ishte njeriu që kishte pasur rastin të transmetonte edhe ndeshjen Hungaria – Shqipëria 12-0 të 1950- ës.

Me plot gjallëri më tregonte se si, në pushim, mbas pjesës së parë, lojtarët e famshëm hungarezë të cilët e kishin mësuar tashmâ goditjen psikologjike të skuadrës shqiptare për shkak të arratisjes së dy lojtarëve, ishin ndarë më dysh për të ndalur furinë e golave në portën e Shqipërisë mike që i adhuronte. Mirëpo, propozimi i tyre kishte një kundërshtar të pakompromis. Ishte Ferenc Pushkash, të cilit, siç më tregonte dr. Szepesi, nuk i shuhej etja, teksa do të shënonte edhe dy gola në pjesën e dytë. Dy të fundit brenda 120 sekonda të minutave 81 – 82, çka duket si e pabesueshme, por të paktën kështu na e jep almanaku i kombëtares së Hungarisë – një botim ky tejet i hollësishëm. E rëndësishme është se Hungaria legjendare e Ferenc Pushkashit po konsakrohej edhe përmes kësaj ndeshjeje të Shqipërisë.

Tek është skeda e ndeshjes që është përtej çdo historie, duke i vënë emrat e lojtarëve siç i shkruan gjuha hungareze:

HUNGARIA -SHQIPËRIA 12-0

Budapest, 24.09.1950.

GOLAT: 1-0 Puskas 18′,

2-0 Budai 33′, 3-0 Puskas

36′, 4-0 Palotas 39′, 5-0 Kocsis 42′, 6-0 Palotas 50′, 7-0

Budai 52′, 8-0 Kocsis 53′, 9-

0 Budai 60′, 10-0 Budai 65′,

11-0 Puskas 81′, 12-0 Puskas 82′.

HUNGARIA: Grosics (Geller 73′) – Kovacs

II, Börzsey, Toth III – Kovacs I, Bozsik – Budai,

Kocsis, Palotas, Puskas, Babolcsay. TRAJNER: Gusztav Sebes.

SHQIPËRIA: Vogli (Maliqati 53′) – Dibra

(R.Laçej 23′), B.Boriçi, Shaqiri – Spahiu, Llambi – Parapani, Gjinali, L.Boriçi, Jareci, Bakalli.

TRAJNER: Ludovik Jakova.

GJYQTAR: V.Nemcovky (Çekosllovaki).

SHIKUES: 38.000.

Kjo është Hungaria 1950 me 7 lojtarë të një prej klubeve më të forta të krejt historisë së futbollit botëror, që është Honvedi i Budapestit: Grosics, Toth III, Bozsik, Budai, Kocsis, Puskas, Babolcsay. LJUBISA BROCIC PORTIER I HUNGARISË? Tash i kthehemi gazetarisë. Dihet, ndërkaq, gazetaria sportive ka një kërkesë absolute, që nuk ngjason fort me gazetarinë tjetër. Gazetaria sportive është gazetaria e më shumë emrave se e çdo gazetarie tjetër. Kjo gazetari, kur shkruan për ndeshje futbolli, do të vërë 11-shet e skuadrave me vetëm 11 emra si titullarë. Mandej edhe ndërrimet e tyre. Do të vendosë emrat dhe minutat e golashënuesve. Do të vërë emrat e trajnerëve dhe të gjyqtarëve. Do të shkruajë edhe emrat me minutat e lojtarëve që marrin kartonë të verdhë a të kuq. E tillë është skeda e një ndeshjeje të futbollit. Madje, në shtypin e shumë shteteve, këto skeda sot vendosin edhe minutat e lojës efektive, goditjet nga këndi, numrin e gjuajtjeve në portë. Natyrisht edhe numrin e saktë të spektatorëve. Shqipëria ende nuk është plotësisht e këtij stili. Për shembull, numri i spektatorëve është një hamendje, sepse Federata Shqiptare e Futbollit është e vetmja në Europë që nuk i detyron klubet të japin numrin e spektatorëve dhe asnjë delegat i saj në ndeshjet nuk e kërkon këtë të dhënë. Kështu që, skeda e një ndeshjeje futbolli është ndër më të shêjtat në gazetarisë sportive. Nuk po shkoj mandej tek emrat e numrat e pafund në sportin e atletikës së lehtë, të notit apo te skedat e basketbollit e të volejbollit, deri me gjuajtje e pasime, me kapje topash në tabelë e shënim pikësh. E plot të tjera… Por këtu ne po qëndrojmë te futbolli. Vështroni tash se si u botua këto ditë skeda e ndeshjes Hungaria – Shqipëria 12-0. Tek është si një nga shembujt më të famshëm të shtrembërimit dhe të pavërtetësisë të informacionit skedues të përbërjes së një skuadre.

Ja si është botuar:

HUNGARI – SHQIPËRI 12-0

GOLAT: Budai 33′ 52′ 60′ 65′, Kocis 42′, 53′,

Pushkash 18′ 36′ 75′ 82′ Palotash 39′ 51′

R.P. HUNGARISË: Broçiç (Xholdar), Palldiç, Berezhaj, Kovaç I, Kovaç II, Goxhai, Budaj

Takiç, Palotaj, Pushkash, Bulboc (Kociç). Trajner: G. Sebas

RP SHQIPËRISË: Vogli (Maliqati), Dibra,

Laçej, B. Boriçi, Shaqiri, Spahiu, Llambi, Parapani, Gjinali, L. Boriçi, Jareci, Bakalli. Trajner: L. Jakova.

Nuk e kam fjalën thjesht te ndonjë mangësi gjuhësore (R.P Hungarisë apo RP Shqipërisë, diku me pikë e diku pa pikë, teksa duhej shkruar RP e Hungarisë, RP e Shqipërisë). E kam tek më e madhja. Dhe krahasoni njëmbëdhjetëshin tonë, atë të vërtetë, të mësipërmin që e kemi vënë në germa “Bold” dhe në kursiv me këtë të dytin që është botuar këto ditë. Në 11-shin e Hungarisë kam shënuar në germa “Bold” plot 8 emra. Janë krejt fiktivë. Asnjëherë Hungaria nuk i ka pasur këta 8 futbollistë në kombëtaren e saj. Kjo do të thotë se Broçiç, Xholdar, Palldiç, Berexhaj, Goxhai, Takiç, Palotaj, Bulboc nuk janë futbollistë të Kombëtares së Hungarisë. Kjo do të thotë se mbi 80 për qind i 11-shit të Hungarisë në këtë ndeshje me Shqipërinë, është i pavërtetë! Pa shkuar te trajneri Sebes që nuk është Sebas.

SHKRIMI (1)

Frontespic nga shkrimi i “Sporti Popullor” që dënon Kombëtaren e Shqipërisë 1950

Kulmi arrin me emrin e portierit, që qenka Broçiç, çka na kujton emrin e trajnerit të famshëm të Shqipërisë, jugosllavin Ljubisa Broçiç. Kur portieri i Hungarisë në këtë ndeshje ka qenë Groshiç, më saktë i famshmi Gyula Grosics, siç e shkruajnë hungarezët, i cili deri sot e kësaj dite konsiderohet një ndër portierët më të mëdhenj të botës. Ka luajtur 86 ndeshje me Hungarinë. Nuk ka dashamir të futbollit në çdo vend të botës që nuk e di emrin e Groshiçit. Mirëpo, ja që në vend të tij shkruhet Broçiç, që të kujton trajnerin tonë jugosllav Ljubisa Brocic apo Broçiç. Nuk po shkoj gjatë, teksa nuk shënohen minutat e ndërrimeve të lojtarëve shqiptarë. Dhe ec e gjeje ndërkohë, përse 11-shi i Shqipërisë nuk ka 11, por plot 12 lojtarë! E pra Laçej (Rexhep Laçej) ka luajtur si rezervë, siç shihet në 11-shin tonë qysh nga minuta 23. Nuk po futem më thellë, por si mundet që e pavërteta të mbërrijë deri në 80 për qind? Dhe me kë? Me skuadrën më të mirë të botës! Kjo është pyetja më interesante që ka të bëjë sa me praktikën, po aq edhe me teorinë e gazetarisë, më saktë me shkollën e gazetarisë. Këto shtrembërime e të pavërteta mendoj se ndodhin për disa arsye. E para, sepse shkruesit, quaji autorë po të duash, nuk dinë.

E edhe pse nuk dinë, janë kaq ambiciozë saqë marrin përsipër të shkruajnë pra, mû edhe për gjëra që nuk i dinë as sot e që nuk i kanë ditur kurrë as më parë. E dyta: nuk marrin mundimin t’i mësojnë për së mbari e të verifikojnë me skrupolozitet. Zakonisht kjo mungesë skrupoliziteti ndodh me njerëz të cilët, edhe pse shkruajnë, ata nuk janë gazetarë. Pra, duke mos punuar e jetuar asnjë orë në një redaksi gazete nuk e kanë pjesë të tyre verifikimin. Merr diskutim mandej ajo tjetra: që ata duke e ditur se në gazetarinë e sotme ka ardhur brezi i ri, ndoshta u bien gjërave shkurt, teksa mendojnë se ky brez i ri nuk i njeh këto ngjarje dhe jepi pa u lodhur fort. Harrojnë se ka njerëz të tjerë, të ditur, të kulturuar të sportit e të futbollit, të cilët edhe pse nuk janë gazetarë, nuk t’i falin këto të pavërteta. Të paktën mua katër vetë, sigurisht njerëz të brezit tonë, më kanë folur për shtrembërimet në fjalë për këtë 11-sh, ndër më të famshmit e historisë botërore të futbollit, siç ka qenë Hungaria e Ferenc Pushkashit e shokëve të tij. Është e pafalshme! Dihet fort mirë se ai që është profesionist i vërtetë në gazetari, kurrë nuk mund të mendojë se është i pagabueshëm. E pra, edhe autori i këtij dossier-i ashtu si dhe kolegë të brezit të tij kurrë nuk kanë menduar se mund të shpëtojnë nga kërcënimi “dinak” i pasaktësive në shkrime, çka të çon te të pavërteta. Mirëpo, duke qenë se këtë ata e dinë fort mirë, kurrë nuk kanë mbërritur deri në masën e të pavërtetave si te shembujt e mësipërm. Por, le të vazhdojmë.

KRYQËZIMI POLITIK I KOMBËTARES SË SHQIPËRISË 1950. Dhe nga Hungaria – Shqipëria 12-0 drejt e te 5 tetori 1950 në Bukuresht dhe Rumania – Shqipëria 6-0. Ky ishte epilogu i një drame e cila i kishte zhvillimet e saj të paracaktuara në rrjedhën e ujërave të Dardaneleve. Kombëtarja nxiton ndërkaq të kthehet në Shqipëri dhe tashmâ të gjithë i pret gjyqi i madh inkuizicional i stilit komunist të Shqipërisë së vitit 1950. Akuza për “moszbatimin e eksperiencës sovjetike”, “tradhti”, “punë armiqësore”. Dhe doemos përjashtime të pamëshirshme. E vërteta është se në kthim, mbas dështimit të kuptueshëm të vetë turneut, për javë të tana analitikisht publikohet shumë pak në shtyp, me përjashtim të ndonjë kronike të shpejtë të marrë prej transmetimit radiofonik. Të dukej se kështu, në heshtje do të kalonte gjithçka. Mirëpo, mbrapaskena ushtonte në fshehtësinë e kancelerive të Komitetit Qendror të Partisë e ato qeveritare e të Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve, siç emërtohej zyrtarisht. Ishte një heshtje e rréjshme. Vonë, shumë vonë, mbas më se dy muajve nga ngjarja, më 8 dhjetor 1950, del shkrimi i famshëm analitik i “Sportit Popullor” me titullin “Mbi turneun e ekipit kombëtar të futbollit”, çka nënkupton se analizat, gjyqet e zyrave kanë vazhduar për javë e dit të tana. Nga shkrimi mësohet se Komiteti i Kulturës Fizike e Sporteve pranë Këshillit të Ministrave, pasi “organizoi mbledhjen me ekipin dhe dëgjoi drejtuesit si dhe anëtarët e tij, mori një vendim të rëndësishëm dhe të drejtë”.

Prej tij, verdikti më i ashpër është ai që përkufizohet, pa ia nda me këto përcaktime staliniste. Paraqitja e skuadrës në këto tri humbje mallkohet kësisoj:

“…Rezultat i punës armiqësore në gjirin e ekipit dhe të mbeturinave borgjeze, i mungesës së vigjilencës dhe të stërvitjeve të rregullta, i përçmimit të eksperiencës sovjetike dhe të dizarmonisë së ekipit, i humbjes së qartësisë së qëllimit dhe i demobilizimit… “.

“…Vërtetim i punës së armikut edhe në sektorin e fiskulturës, që pasqyron në analizën e fundit, ashpërsimin e luftës së klasave në rrugën tonë drejt socializmit”.

“…Punë armiqësore dhe mungesa e vigjilencës për të goditur elementin me përbërje shoqërore të keqe ka qenë shkaku kryesor i disfatës së rëndë të turneut…”.

“…Vërtetojnë punën e armikut edhe në sektorin e fiskulturës…”.

“…Muhamet Dibra flet haptazi ‘do të humbasim rëndë'”.

“…Këta akoma vërtiten në plehun e moralit borgjez…”.

“… Mbeturinat borgjeze janë çfaqur edhe gjatë lojës me gjeste të këqija të Tiç Parapanit dhe të Sllave Llambit kundër lojtarëve çekë…”.

“…Problemi i përbërjes shoqërore të ekipit kombëtar të futbollit, problem me shumë rëndësi…”.

“.. . Një situatë të tillë që nuk u frenua as nga udhëheqja e ekipit (Stavri Xhara dhe Anton Marreku)…”.

A mbaron këtu? Kurrsesi! Në të gjitha qytetet nis një fushatë e pamatë solidarizimi me vendimet dënuese që merren. Konferenca, analiza, kritika të pandalshme. Duke kulmuar me konferencën për qytetin e Tiranës në kinema “17 Nëntori” ku spikat analiza dhe autokritika e inspektorit të futbollit, Anton Mazrrekut tonë të madh, çka përmbyllet me fjalën e “shokut Misto Treska”, nënkryetar i Komisionit të Futbollit, i cili thekson se “shkak vendimtar i humbjes ka qenë mungesa e kritikës dhe autokritikës bolshevike”. Por nuk mbaron as këtu, sepse në fund konferenca e Tiranës përmbyllet me telegramin përshëndetës dërguar “Gjeneral Armate Enver Hoxhës”, botuar në faqen e parë të gazetës ku këto radhë janë emblematike:

“I dashur Komandant, …Ne i ndjejmë thellë ato humbje, të cilat kanë ardhur nga një pregatitje e pakët e shokëve tanë futbollista, në kundërshtim me kujdesin e math që tregon partia e qeveria për zhvillimin e fiskulturës në vendin tonë dhe trajtimin e mirë të sportistëve… Ju dërgojmë përshëndetjet tona djaloshare e luftarake, i dashur Komandant”. Asnjë turne, asnjë lloj ndeshjeje, asnjë periudhë tjetër nuk do ta dënojë më mbas Kombëtaren e Shqipërisë sa kjo dramë e këtyre tri ndeshjeve të vitit 1950.

Merre me mend, qysh nga ky 1950 e deri te 1963, në 13 vjet të tana, Kombëtarja zhvillon vetëm 5 ndeshje! Në njëfarë mënyre, historia me Hungarinë e Pushkashit drejtpërdrejt në fushën e blertë merr fund me këtë 12-0 të përtejhistorisë. Nuk është krejt kështu megjithatë. Ka një lidhje tjetër, një lidhje politike e “shpirtërore” bashkë, që rrjedh po prej politikës, ndonëse e vërteta është se 12- 0 e Hungarisë ndaj Shqipërisë bëri bujë në gjithë Europën. Do të vazhdojmë me pjesën e fundit të dossier-it tonë i cili, sa është një histori dramatike, po aq dhe një përvojë vërtetësie për vetë gazetarinë tonë që tashmâ nga botimi i saj i parë (1925) po mbush 95 vjet jetë.

* Për vazhdimësi shih pjesën e parë e të dytë të këtij dossier-i në “Panorama Sport” të 3 dhe 6 tetorit 2020.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"