KRONIKË FRANCEZE E SKUADRAVE SHQIPTARE

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 22:00

KRONIKË FRANCEZE E SKUADRAVE SHQIPTARE

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

– ME TELEFON NGA I DËRGUARI YNË I POSAÇËM

Avioni lë poshtë Rinasin më të gjallë, më të zhurmshëm se kurrë dhe bash kur duket se më fort se asnjëherë tjetër të gjitha rrugët të çojnë tek ai, ne i largohemi. Futbolli na shkëput prej tij pa ia dashur të dijë për zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, e sikur don të të kujtojë se edhe në rrethana të jashtëzakonshme jeta ruan koloritin e saj normal.

Dhe Tiranë – Zurih, ndërrim avioni, mandej Zurih – Gjenevë, përsëri ndërrim avioni tek shpejtojmë të arrijmë përmes salloneve ultramoderne të këtyre qyteteve të shkëlqyera të jetës moderne. Por ja që edhe “sahati zviceran” paska pasaktësinë e tij. Avioni Gjenevë – Paris, ndonëse don edhe 35 minuta të niset, ia ka zënë vendet pikërisht skuadrës kombëtare të Shqipërisë! Ngritje supesh, justifikime të pajustifikuara, kur ne jemi krejtësisht në rregull. Dhe pas pak orëve të mërzitshme dhe nervoze, në hollet e aeroportit, në këte mesnatë zvicerane, për ne Franca mbetet e largët. Përfundojmë në “Nov Hotel”, pak kilometra larg aeroportit dhe të shqetësuar thuajse nuk ia hedhim sytë Gjenevës së bukur.

gazetari besnik dizdari duke perfunduar shkrimin

Skuadra merr goditjen e parë këtu. E në 6 të mëngjesit kur këtu ende është natë, na duhet të goditemi për herë të dytë. Kësaj radhe jo më nga aeroporti i Gjenevës, por nga vetvetja. Kaçaçi, Ibro dhe Leskaj nuk janë në mesin tone. Një shënim i shpejtë lënë nga njëri prej tyre dhe mendueshëm ne udhëtojmë drejt aeroportit. Ata të tre kanë preferuar vendin tjetër, kuptohet gjatë natës kur të tjerët flinin, duke e vënë përveç të tjerave në pozitë mjaft të vështirë ekipin e tyre dhe shokët pa filluar ndeshja! Përse kështu kur tashmë mund të largohesh duke të të thënë edhe lamtumirë?

Nuk të shqiten këto mendime dhe ndonëse i larë krejt në kthjelltësinë e një dite të pastër plot diell, befas atje poshtë shfaqet Parisi i pafund. Avioni prek pistën e aeroportit “Sharl De Gol”, në fakt një qytet në mrekullinë e tij arkitekturore dhe artistike njëkohësisht. Na duhet kësisoj të futemi në rrjedhën e “aventurës” së paracaktuar të ndeshjeve, teksa jemi mbase e vetmja skuadër futbolli që në historinë e këtij aeroporti pritemi me vetëm 13 futbollistë!

Pa komente, disi të heshtur pas pak jemi në dyzetkatëshin dominant “Konkord Lafajet Hotel”, një nga më të mëdhenjtë e Parisit. Kati i 19-të është i yni tashmë dhe prej dhomave të tij përfshijmë horizontin e gjerë parisien. M’u përballë Eifelit krenar dhe disi edhe të Harkut të Triumfit historik si për të dashur për të fituar gjerësinë e një dite që na e kish ngushtuar krahërorin…

vata dhe boli gjate ndeshjes

DREJ ANXHERSIT… DHE 3-0

Në holl janë të gjithë ata që duhet të jenë: shoqërues dhe natyrisht shumë gazetarë që kërkojnë të bëjnë punën e tyre. Mbi të gjithë miku ynë, kolegu Viktor Sinet, firma e parë e “L’Equipe”, pas tri vizitave që ka bërë në Tiranë, patjetër specialist tashmë i futbollit shqiptar, i cili na takon me përzemërsi.

Lëmë pas kujtimin e pakëndshëm të Gjenevës dhe futemi në rrjedhën e asaj për të cilën kemi ardhur: ndeshjet. E para do të jetë në orën 20.30 në këte mbrëmje në Anxhers, plot 320 kilometra larg Parisit, kur rregullorja e UEFA-s përcakton 100 kilometra!

Befasi pas befasish, çudira pas çudirash, marrim rrugën për në Anxhers. Autostrada e përkryer, përmes fushave të paluajtshme në të blertën uniforme si dhe një shoqërues i ynë “francez” i Malit të Zi, i quajtur Sasha që të flet papritmas për Liqenin e Shkodrës mu në mesin e Francës, edhe kjo pra, një çudi tjetër.

150 kilometra në orë! Sepse siç thamë janë plot 320 km rrugë, një shpejtësi që sidomos i shkon për shtat qytetit të Lemansit, të cilit i kalojmë pranë tek kujtojmë këtu zhvillimin e garës së frikshme të makinave, atë që thirret “24 orë”. Pas tri orësh shfaqet Anxhersi me 200 mijë banorë, një qytet klasik francez me pleksje stilesh, arkitekturash, shekujsh, buzë lumit Luara, që sikur e lëmon. E kanë quajtur qyteti “i ëmbëlsisë së jetës”. Po që ne e gjejmë të ftohtë akull si në një janar të vërtetë. Një tjetër befasi kjo.

skeda e dy ndeshjeve

Dhe ja, teksa hymë në stadiumin “Zhan Bua”, emri i një atleti të famshëm francez të paraluftës, na pret e papritura tjetër. As më pak e as më shumë, por i madhi i futbollit Rajmond Kopa, klasi më i lartë i Europës i viteve ’50 që do të shohë për herë të parë një skuadër shqiptare. Dhe tashti është kjo që e befason Kopën. 45 minuta, që siç do të shkruante “L’Equipe”, ndonëse pritëm një ekip shqiptar në mbrojtje, miqtë 21-vjeçarë e panë veten në sulm, e pakta për 40 minuta”. “Epërsi e dukshme teknike”, siç përcakton Kopa, e pak më tutje sikur e pohon duke tundur kokën edhe Burzanski, një tjetër firmë e shquar e futbollit francez. Ndërsa duhet të bindesh se tashmë në të ashtuquajturën tribunë të nderit të stadiumeve, francezët u bëjnë vend të mëdhenjve të futbollit të tyre.

Atje në fushë Dema e Malko, pa dyshim dy zbulime për futbollin shqiptar, pasi mbyllin shtigjet, frymëzojnë sulmin të përshkuar në këmbët e Milorit, Kolës e Bilalit dhe të përmbyllur në ato të Kallços. Janë shqiptarët që gjuajnë, që organizojnë, që janë zot të terrenit, aq sa të duket se synojnë fitoren. Ndonëse papritmas, një shtyllë e Tetisit, pikërisht në të 44-ën, do të kujtonte atë çka do të ngjiste në pjesën e dytë.

Kur mbërrihet te kjo, francezët janë të tjerë. Luajnë me një gjysmëfushë për 20 minuta të tëra, pa i lënë shqiptarët të mbushen me frymë, madje përballë një loje të ashpër. Nuk i rezistojnë djemtë, ndonëse episodet e golave kanë brenda rastësinë. Rezistenca shqiptare merr fund në të 72-ën minutë, kur Loko i “Nantes” tund rrjetën e Putos. Para syve të Demos e Malkos. Goli gjithsesi ka logjikën e tij, logjikën e një rrethimi të plotë francez prej të cilit në pjesën e dytë nuk do të dilnin 21-vjeçarët e Shqipërisë. Ashpërsia e vendësve të cilët krijojnë edhe një dëmtim të Demës, i cili mbetet për dy minuta jashtë, shpërbën forcën e skuadrës.

faqja e pare e l'equipe

Dhe dy golat e tjerë në të 78-ën dhe të 90-ën janë kopje e të parit. Veçohet i dyti: shënohet pasi i vetëm me portierin vendës Kallço mund të fiksonte 1-1. Kjo do të mund të ndodhte sikur të mos qe goditur qëllimisht nga mbrapa prej Pitonit. As karton, as goditje dënimi nga gjyqtari polak Vojçek, por kundërsulm i menjëhershëm i francezëve dhe përsëri Loko: 2- 0! Nuk e meritonim! Shoku psikologjik bën punën e vet, si dhe ai fizik, si dhe goli i minutës së 90-të, pa dyshim një episod i njohur i futbollit shqiptar që nuk reziston kurrë një ndeshje 90 minuta. 3-0 nuk lë vend për koment.

Rajmond Kopa tund kokën tek nënvizon tjetërsimin e pjesës së dytë. Trajneri i famshëm i francezëve, i mirënjohuri Burrie, tash 17 vjet në Federatën Franceze, lojtar i të cilit ka qenë edhe vetë Platinia, buzëqesh i kënaqur dhe të ndihmon në përkufizimin e tij prej specialisti: “Kur ishit mirë fizikisht, ishit mirë edhe teknikisht…”. Është emblema e ndeshjes, mbase e tërë futbollit shqiptar…

E lëmë Anxhersin në mesnatë të bindur edhe një herë se kemi talente futbolli. Por vetëm kaq. Asgjë më tepër.

…Në orën 3.30 pas mesnate mbërrijmë në Parisin që çan errësirën e natës me ndriçimin e tij verbues, veçse plot jetë. Na pret një natë tjetër futbollistike me verdiktin e saj, po aq të pamshirshëm…

NË “PARK DË PRENS”… DHE 5-0

“Park dë Prens” është “Uembli” francez. Kurrsesi aq hipnotizues dhe madhështor, po më elegant. Jo aq i shtrirë, po më i mbledhur, jo aq gjigant, po më intim. Dhe së fundmi i ri, po gjithsesi klasik edhe ai në tifozërinë e tij, e cila “punon” plot 90 minuta pa pushim. Diçka marramendëse, mposhtëse, munduese. Kësaj radhe nuk janë 60.000 sa ç’e ka ai kapacitetin, por rreth 30 mijë tifozë energjikë, të cilët e pakta qysh prej një viti e gjysmë dinë ta çojnë skuadrën e tyre në fitore.

Më saktë, qysh prej 14 ndeshjesh, Franca e Mishel Platinisë nuk njeh asnjë humbje në Evropë. Natyrisht nuk mund t’ia prish këte as Shqipëria. E vetmja në Evropë edhe kjo, veçse e atij lloji që nuk njeh asnjë fitore tashmë se 6 vjet. Në këte polarizim synimesh, arritjesh, faktesh, antagonizmi futbollistik të duket pra se futbolli vetëm sa e regjistron episodin e parashikuar. Edhe këtu befasitë shpalosen njëra pas tjetrës. Ndonëse Platini nuk e mendon për 9-0 si në Spanjë. Sapo e thotë këte në radio, ndërsa ne po shkonim në stadium. Por në sekondën e 60-të të lojës Souze nis e provon të kundërtën. Një goditje dënimi pak pjerrtas rreth 25 metra dhe Nallbani veç kur i “dëgjon” zërin topit prapa shpinës: 1-0.

Diçka vërtet e shkëlqyer, e rrallë. Dhe fati i pamshirshëm i lojës është përcaktuar qysh në minutën e parë. Ka shënuar Souze. 18 minuta më pas po ky, po ajo gjuajtje, po në atë vend, po ajo goditje dënimi, po ai gol! Dhe 2-0! Ishte minuta e 20-të. Mandej, 15 minuta më pas shfaqet gjyqtari norvegjez Halle, i cili me sa duket është simpatizant i superfuqive të futbollit sepse shpik, dhuron një 11-metërsh për t’i bërë nder Papenit, i cili deri në atë çast është “i zhdukur” nga bllokimi energjik i Gjergjit. Kuptohet, 3-0! Çlirohet nga ankthi edhe Papën, i cili pas një goditjeje me kokë, i thotë Nallbanit dhe të gjithë skuadrës: 4-0! Diku në mjegullnajë shfaqet 9-0 e Spanjës. Franca nuk e njeh mëshirën. Kërkon edhe ajo 9-0 se i erdhi dita. Madje ia kërkon edhe publiku.

Po Shqipëria diçka ka rindërtuar në pjesën e dytë. Sulmi i alternuar midis tre lojtarësh, ku Kepa zhvillon mbase ndeshjen e tij më të mirë ndërkombëtare, qarkullim i dendur i topit, mbrojtje e fortë me Vatën, edhe ky gjithnjë i saktë dhe i qetë, tash në krye të detyrës. Duhet ndalur superkatastrofa. Ia arrijnë. Në 45 minutat e dyta është diçka tjetër. Franca kërkon të godasë aty ku nuk e pret, duke përdorur edhe “prapaskenat”, sepse në fakt është diçka që nuk përmbahet. Megjithatë, ia arrijnë vetëm në të 83-ën golin e pestë, që nuk bindi as vetë francezët, as delegatin e UEFA-s. Aq sa e kemi të vështirë të gjejmë “shënuesin” në atë tufë futbollistësh që e shtynë Nallbanin me topin mbërthyer në duart e tij, sipas norvegjezit brenda portës?! Nuk mund t’i thuash as gol fantazmë.

Po bijem në një fjalë me mendimin e gazetarëve francezë që e quajtën autogol të Nallbanit. Por kot që e zgjasim. sepse Franca është Francë. Kampione e Evropës dhe kampione olimpike që luan 500 ndeshje tash 80 e ca vjet. Dhe Shqipëria është Shqipëri, Kombëtarja e së cilës sapo ka kaluar kufirin e 90 ndeshjeve, më pak se askush në Evropë. Gjë që krijon edhe disnivelin e thellë në tradita, histori, përvojë, kushte, mentalitet, etj, etj. Nuk është për justifikim, por ja që përveç gjithë këtyre, rreth 100 futbollistë të larguar, midis tyre gati dhe shumica lojtarë të Kombëtares (?!), pa hyrë tek episodi i udhëtimit. Një skuadër e mbushur me debutues (Dume, Canaj, Gjergji), ndërkohë që me një-dy përjashtime (Demollari e Zmijani), edhe të tjerët janë thuajse debutues me ato të shkreta dy-tri ndeshje që kanë zhvilluar me Kombëtaren.

Tjetër mandej që në të veçantat e kësaj ndeshjeje të vetme, dy gola të dyshimtë përballë kryesuesve të fuqishëm të grupit, siç janë francezët, sikur i bëjnë krejt normale shifrat 5-0. Është ashtu siç e pohuan shumica e vëzhguesve francezë e gazetarë, madje deri te Luka di Montexemolo, kryetari i Komitetit Organizator të kampionatit të fundit botëror, që papritur u ndodh në tribunën e nderit, me sa duket për të vëzhguar ndonjë futbollist francez për “Juventusin” e tij. Anormalja e një ndeshjeje asisoji më duket se është tjetërkund. Jo te ky rezultat, jo te kjo ndeshje, por te futbolli ynë në tërësi, te rruga e Kombëtares në këto shtatë vjet.

“Është edhe te niveli mesatar i kampionatit shqiptar, dhe mbi të gjitha te kontaktet shumë të pakta me të mëdhenjtë e futbollit”, siç thotë Josef Mersier, i cili për 30 vjet ka qenë trajneri i Federatës së Futbollit, stërvitës i lojtarëve ushtarë (të tijtë kanë qenë edhe Platini, Amoro, Batiston, Kazoni etj.). “Keni lojtarë mjaft të mirë, – shton ai, – që po të trajtohen me kërkesat e plota të futbollit të sotëm, nuk u lënë gjë mangët të tjerëve”. Mishel Platini, modest, në konferencën e shtypit, ndonëse i gëzuar për fitoren, e sheh gjithçka me sy kritik, tek na kujton me shumë përzemërsi se nuk ka për ta harruar kurrë mikpritjen shqiptare. I lëmë lamtumirën atij dhe “Park dë Prensit” të bindur se nuk është ky reportazhi ynë telefonik ai që mund të bëjë analizën e futbollit shqiptar. Janë të tjera gjëra, të tjera probleme, që udhëtime kësisoji përballë superfuqive të futbollit botëror, i nxjerrin aq qartë, i theksojnë aq fort, i zhveshin nga çdo butafori zyrash…

Është ora 1 e natës kur i afrohemi “Konkord Lafajetit” tonë në këto 3-4 ditë pune që nuk patën kufi ndarës me natën, duke menduar jo thjesht kthimin në atdheun tonë që po lufton të bëhet më mirë, por edhe atë kthesë që vetë sporti shqiptar, vetë futbolli i tij, të bëhen gjithashtu më të mirë, më të fuqishëm, më evropianë. Diçka e re, krejt e re do ndërtuar edhe në këte fushë. Kjo është, do të thosha, përmbyllja që kronika franceze e skuadrave shqiptare, na e mëson krejt qartë. E ndërsa po firmosja këte shkrim, më kontradiktori në gjithë jetën time si gazetar, për nga përmbajtja e ngjarja që mbart, për kah episodit sportiv edhe social që rendit, vjen befasia e fundit që ka emrin Ilir Kepa. Në të vërtetë, lojtari ynë më i dalluari në ndeshjen e “Park dë Prensit”. Edhe në këte rast gjithçka vjen përmes një shënimi të lënë prej tij dhe kaq. Ai ka marrë rrugën për në Belgjikë, prej ku ka ardhur ta takojë një njeri i tij për të gjetur fatin e futbollit tej kufijve shqiptarë! Është prekëse dhe pse jo, e dhimbshme. Quo vadis futbollist shqiptar?

BESNIK DIZDARI Paris – Anxhers – Paris, më 29-30 mars

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"