Bilancet dhe problematika e “mosvlerësimit” të tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 23:00

Bilancet dhe problematika e “mosvlerësimit” të tyre

Nga BESNIK DIZDARI
Mu për këtë është i rëndësishëm viti sportiv 2021. Ngaqë, ai ka disa arritje për herë të parë, që do të thotë se janë të herës së parë në gjithë historinë e sportit shqiptar. Dhe kjo duket fort e çuditshme, kur në tërësi sporti shqiptar sot është në një stanjacion të papamë!

pjimage (15)

E, megjithatë, në këtë vit 2021 që sapo kaloi, ky sport shqiptar i kësisoj stanjacioni, në arenën ndërkombëtare dhuroi disa “për herë të parë” gati-gati të bujshme. Çka kuptojmë me këtë? Kuptojmë se në 2021 sporti i Republikës së Shqipërisë ka disa arritje të nivelit euro-botëror, që përveç të tjerave, janë pra, të herës së parë.

Do t’i veçoj këtu, jo për t’i bërë qejfin dikujt, por si një kujtesë, sidomos përmes mënyrës së gazetarit i cili, përpiqet për të fiksuar për së mbari sa historinë e shkuar, po aq edhe historinë e re. Kësisoj, për të nderuar sportistët ndërkombëtarë shqiptarë, të cilët përveç të tjerave, kësaj radhe janë “të herës së parë”. E ky gjykim të lind, sidomos edhe prej televizioneve futbollomane të Shqipërisë, përsëris sidomos televizionet, të cilat shteti shqiptar i ka ledhatuar deri aty sa s’ka ku shkon më.

Them kështu, ngaqë ua ka dhënë lejen për të transmetuar në dëm të pasqyrimit të sportit kombëtar, deri në pambarim madje, edhe ndeshjet më të parëndësishme të shteteve të tjera, duke i kaluar thuajse në heshtje ngjarjet më të rëndësishme të sportit kombëtar.

Pra, edhe arritjet e herës së parë të kombit të tyre, që është Shqipëria. Për fatin e rrallë, Shqipëria është i vetmi vend, të paktën në Europë, që jep lajme krejt të pavlera të ndeshjeve të kampionateve të shteteve të tjera. Për shembull, një televizion kombëtar vuri të shkruar me germa “kapitale” të faqes hyrëse të lajmeve kryesore të ditës këtë titull: “Donaruma me COVID!” Madje, e përsëriti edhe në lajmet e mbrëmjes!

Kur dihet se ky Donaruma i fortë e shëndosh e mirë nuk është një portier i Shqipërisë, por i Italisë. Në një kohë që televizionet italiane, për shembull, as në rubrikat e tyre sportive nuk kanë denjuar të japin, qoftë dhe me gjysmë zëri lajmin se një peshëngritës shqiptar (Briken Çalja) u shpall mbas 50 vjetëve kampion i botës për shtetin e vogël të Shqipërisë!

Ndërkohë, një televizion tjetër shqiptar, mbas përfundimit të transmetimit të ndeshjes Chelsea–Tottenham, jo për Kupën e Anglisë, por për Kupën e Ligës të Anglisë, që edhe për atë shtet është e dorës së tretë, vazhdoi me analizë të gjatë në studio, në mos gaboj bukur për nja 30 minuta, çka këtë as “BBC”-ja nuk denjon ta bëjë.

Ndërsa një televizion tjetër dha koment dhe deklarata për Superkupën e Italisë edhe 24 orë mbas përfundimit të saj! Një gazetar i shquar perëndimor, mbasi të dëgjonte për këta shembuj emblematikë të gazetarisë shqiptare, më e pakta do të përsëriste me vete:

“Në televizionet e këtij vendi të vogël ballkanik, nuk funksionuaka shefi apo drejtori i redaksisë përkatëse”. Mirëpo, ja që krejt papritmas, ndjeva një kënaqësi kur pashë që një televizion kombëtar shqiptar ia kushtoi njoftimin e tij sportiv në fund të lajmeve të tij kryesore, duke spikatur fitoren e ndeshjes së radhës të Romës në kampionatin e Italisë përmes nivelit të lartë që kishte treguar në këtë ndeshje shqiptari i talentuar Marash Kumbulla.

I transmetuar madje ky njoftim edhe përmes një deklarate të trajnerit të tij, Murinjo. Kjo po, ia vlen. E pra, a nuk mund të veprohet kështu përherë? Ose lajme të kësaj “gjeopolitike” të jepen vetëm kur ka shfaqje të tilla që bien erë Shqipëri, edhe atje? Sigurisht. Për këtë mjafton vetëm diçka krejt “e vogël”: të kesh pak atdhetari.

Ndërkaq, nuk po shkojmë te gazetat e përditshme shqiptare, të cilat janë absolutisht të vetmet në Europë, në të cilat gati çdo ditë në faqet sportive të tyre sundon sporti (futbolli) i shteteve të tjera, madje ngjarje krejt të rëndomta të këtyre shteteve në dëm të atij shqiptar (Mund të lexosh shkrimin rreth kësaj teme në rubrikën “Media Critique” të Institutit të Medias në Tiranë.).

Na duhet të bindemi se asnjëherë në historinë e Shqipërisë në televizionet, madje edhe në gazetat e përditshme josportive, nuk ka ndodhur si sot, që sportet jofutbollistike kombëtare të injorohen deri në këtë shkallë.

Dhe një shtet a qeveri, një ministri a KOKSH që heshtin të gjithë së bashku! Mbi të gjithë ajo që quhet AMA, e cila ka për detyrë parësore të ruajë e të nxisë kulturën kombëtare në mjetet e informacionit radioteleviziv.

E pjesë e kësaj kulture është edhe sporti kombëtar. Mirëpo, o burra Serie A e Premier League, La Liga e Bundesliga, moviolë për gola dhe “e lagu e s’e lagu” të shteteve të tjera (fantastike vërtet!).

Bash edhe për këto që shkruam na duhet të vazhdojmë në këtë kundërshtim shpesh përballë edhe ndonjë arrogance që kërcënon për heshtje ndaj një “propagande” sportive kundërshqiptare apo edhe ndaj rrênave të pandalshme historike në sa e sa botime në Atdheun tonë. Jo për të marrë ndonjë hak të stilit të thënies së Fishtës së madh kur thoshte:

“Mos gabo shkodranët me i nga, se nuk të lejnë u ha pa të la” (E, kushedi!…). Por më shumë për të kujtuar këtë thënie kuptimplotë të gazetarit të madh Giorgio Bocca, i cili kur përcakton kryeredaktorin e tij të parë, të famshmin Franco Venturi, i bën këtë portretizim:

“… Ai refuzonte çdo lloj stereotipie vulgare të gazetarisë, pra Bel-Am-in servil dhe dinak, duke qëndruar kështu gjithnjë në rojë kundër përpjekjes fort të keqe të tipit të gazetarit megaloman e të pafuqishëm i cili kujton se është bërë i fuqishëm”.

E shoh që u zgjata shumë, ndonëse mendoj se kjo temë është e përmasave fort të mëdha që nuk mund të kalojë me këto radhë, por që mund të kalohet vetëm me diskutime e seminare tejet serioze gazetarie, që përveç të tjerave do t’u mbushnin mendjen, sidomos televizioneve futbollomane, që t’u funksionojë sa drejtori apo kryeredaktori e po aq dhe shefi i redaksisë. E që duket se nuk funksion për së mbari as aty ku i takon të funksionojë më shumë se askund: në televizionin publik.

E dini që ky ka një emision, që është më i vjetri në Shqipëri e që quhet “Rubrika sportive”, por që sot kjo rubrikë “sportive” merret vetëm me një sport: futbollin! Ndërkaq, nuk ndodh asnjëherë, asnjë herë të vetme, në një televizion të cilit i është dhënë leje të jetë kombëtar, që në lajmet e tij kryesore të japë lajmin që thotë se “rezultatet e sotme të kampionatit kombëtar të basketbollit apo volejbollit janë këto”.

Po të ndodhë kjo, këtë do ta shënojmë si një ditë historike të profesionit tonë. Se për sa i përket, bie fjala, kampionatit kombëtar të atletikës së lehtë, kjo as që na shkon nëpër mend, sepse ky sport mbretëror ka nja mbi 40 kampionë, me mbi 40 rezultate plot me sekonda, minuta e metra!

Çka, për t’i fiksuar kërkon burra trima të pendës, të mikrofonit e të ekranit. E kështu, nën peshën e pamëshirshme të stilit që injoron deri dhe arritjet “e herës së parë” të sportit shqiptar, vazhdojmë të shkojmë keq e më keq. Tash ja dhe ndodhitë tejet të rëndësishme për sportin shqiptar 2021 të arritjeve të bukura “të herës së parë”:

I.

Në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes zhvilluar në Tashkent të Uzbekistanit, pjesëmarrësit e Shqipërisë arritën një paraqitje që mbërriti deri në titullin e kampionit të botës. Ky titull u arrit prej BRIKEN ÇALJES në stilin e shkëputjes të peshës 73 kilogramë. Ai arriti rezultatin 156 kilogramë, por nuk u ndal me kaq.

Çalja u rendit në vendin e dytë të nënkampionit të botës edhe në stilin e shtytjes (186 kg), por po nënkampion i botës edhe në dygarësh me 342 kg. Asnjëherë deri më sot. Shqipëria nuk kishte fituar tri medalje të podiumit të nderit në një Kampionat Botëror. Ndodh “për herë të parë”. Është unikale, e vetme për të gjitha sportet e pjesëmarrjes së Shqipërisë në një Kampionat Botëror. Ndërkaq, kujtojmë se kampioni i mëparshëm botëror ka qenë Ymer Pampuri në 1972.

II.

Për herë të parë në histori një peshëngritës shqiptar u rendit i katërti në Lojërat Olimpike (“Tokio 2021”). Kjo është renditja më e lartë që ka arritur deri më sot në Olimpiada një sportist shqiptar. Ky është peshëngritësi BRIKEN ÇALJA i peshës 73 kg, i cili u rendit pra, i katërti në dygarësh me 341 kg (151 +190). Deri më sot asnjë peshëngritës shqiptar nuk kishte arritur të renditej kaq lart, pra i katërti në një Olimpiadë. Edhe kjo ngjarje është “e herës së parë”.

III.

Për herë të parë në historinë e atletikës së lehtë shqiptare, në 2021 ndodhi që një përfaqësuese e Shqipërisë të hynte në finalen e një gare të Lojërave Olimpike (“Tokio 2021”). Autorja e këtij interpretimi të madh është LUIZA GEGA, e cila fitoi të drejtën e pjesëmarrjes në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa.

Finale në të cilën u rendit e 13- ta. Ju duket pak? Është shumë, shumë! Sepse, kemi të bëjmë me mbretëreshën e sporteve që është atletika e lehtë. E për më tepër kjo për Shqipërinë ndodhte “për herë të parë” në historinë olimpike të saj.

IV.

Boksieri i Shqipërisë, ALBAN BEQIRI i peshës 75 kg, fitoi medaljen e bronztë (vendi i tretë) në Kampionatin Botëror të Boksit zhvilluar në Beograd (6 nëntor 2021). Kjo është medalja e parë që fiton Shqipëria në një Kampionat Botëror, madje në tanësi në këtë sport (edhe në Europian apo Lojëra Olimpike).

Ai fitoi 4 ndeshje dhe humbi vetëm 1, gjysmëfinalen prej Musaevit të Rusisë. Dhe jo vetëm kaq. Në Kampionatin Europian NËN-18 të Boksit (Budva 13-23 tetor 2021) ARION ZENELAJ i fitoi medaljen e bronztë, që është e para për Shqipërinë në këtë moshë. Në të dyja rastet “për herë të parë”.

V.

Dhe ndodhi që po “për herë të parë” në histori, në vitin 2021, Shqipëria fitoi medalje të artë në Kupën e Botës në gjimnastikë. Kampioni i njohur i Europës për Shqipërinë në kalin me doreza, MAVEI PETROV, i solli Shqipërisë edhe medaljen e parë të artë në Kupën e Botës po në këtë garë (Osijek, Kroaci 12-13 qershor 2021).

I ardhur nga gjimnastika e Rusisë, Petrov arriti këtë sukses të rangut botëror duke i dhënë Shqipërisë medaljen e parë të artë në historinë e saj në këtë rang për të gjitha sportet.

Shqipëria e cila deri në këto kohë të fundit nuk fitonte asnjë medalje ndërkombëtare në gjimnastikë, gjeti këtë zgjidhje të rrallë, duke i rrëmbyer Rusisë këtë gjimnast të nivelit botëror.

VI.

Për herë të parë Shqipëria fiton të dyja ndeshjet e saj 1-0 e 1-0 për Kupën e Botës në futboll ndaj Hungarisë prej së cilës ruan sot e kësaj dite humbjen më të thellë (12-0 më 1950). Por, ajo ishte ndeshje miqësore dhe u pësua prej Hungarisë legjendare të Ferenc Pushkashit.

Këto dy fitore të herës së parë ndaj Hungarisë të Kupës së Botës në vitin 2021 patën një autor të rrallë: të riun ARMANDO BROJA – shënues i dy golave fitimtarë. Dhe po për herë të parë një shqiptar po shpërthen në kampionatin më të fortë të botës, atë të Anglisë. Është po ky Armando Broja sot titullar 20-vjeçar i Southampton. Edhe kjo dukuri “e herës së parë”, pra!

* * *

Tash, mbasi u përpoqa të trajtoja nënvleftësimin, sidomos të gazetarisë televizive për këto “herë të para” të pashlyeshme të sportit shqiptar 2021, po më pëlqen të radhis simbas mendimit tim 5 sportistët më të mirë të Shqipërisë për vitin 2021:

1. Briken ÇALJA

2. Luiza GEGA

3. Matvei PETROV

4. Alban BEQIRI

5. Armando BROJA

Shpresoj të mbetet në histori si pesëshja e arritjeve ndërkombëtare të “herës së parë” për sportin shqiptar. Datuar viti 2021.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"