25 vjetori i debutimit të Mario Kempesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2022 | 13:03

25 vjetori i debutimit të Mario Kempesit

Nga BESNIK DIZDARI

I TRETI NË TANËSI ËSHTË NIKOLLAJ LJUKSHINOV

…Ishin harruar Qemal Omari dhe Samo Singeri. Kishte mbërritur Mbaslufta me Shqipërinë komuniste. Këta dy trajnerë themelues të trajningut, të filozofisë moderne të futbollit për kohën, ishin harruar vërtet. Askush nuk mund t’i përmendte. Quheshin reaksionarë me të gjithë futbollistët e tyre të anatemuar si të Mbretërisë së Shqipërisë të prapambetur.

Partizani

Mirëpo, cili ishte i treti trajner i huaj në një klub shqiptar? Dhe shkojmë te vitet ‘50, kur futbollin në Shqipëri e sundonin skuadrat më të reja në jetën sportive të vendit, që ishin Partizani i Ushtrisë Popullore dhe Dinamoja e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mesi i dytë i viteve ‘50 është pothuajse plotësisht nën sundimin e Partizanit. Trajneri është Rexhep Spahiu – një zotni i Tiranës – kampion i Ballkanit si lojtar në 1946 – studioz, pedagog i vërtetë. Partizani i tij është kampion në tri vite rresht: 1957, 1958, 1959.

Afër shtatë vjet më parë kam botuar në të përditshmen josportive “Panorama” shkrime midis të cilave dalin edhe kujtime shqiptare të trajnerit sovjetik Nikolai Ljukshinov, trajneri “ynë” i mirënjohur, i cili në 1960 rikthehet në Shqipëri me skuadrën Admiraltejec të Leningradit, në të vërtetë Dinamoja e Leningradit.

Kujtimet e zbuluara në revistën sovjetike “Futboll”, më mbas “Futboll Hokej”, të cilën do ta blija rregullisht në 1960 e 1961 në librarinë “Libri sovjetik” në Tiranë, më ndihmuan fort të rikujtoja këtu, ndërmjet të tjerave, edhe këto radhë që shkruan Ljukshinovi në artikullin e tij për futbollin shqiptar: “…Nuk ndalin ‘betejat’ e fushave të futbollit për Bashkimin Sovjetik. Dhe ja ‘zogu i çeliktë TU 104’ në bordin e të cilit ndodhen lojtarët leningradas të Admiraltejec, merr kursin për në kryeqytetin e Republikës Popullore të Shqipërisë – Tirana.

Skuadra jonë ndodhet përpara katër ndeshjeve me klubet më të forta të futbollit të ‘vendit të shqiponjave’. Ne duam që sa më shpejt të njihemi me njerëzit e mrekullueshëm të Shqipërisë Popullore, që po ndërtojnë një jetë re. Për mua personalisht ky udhëtim ka një rëndësi të veçantë: sepse për dy vjet, së bashku me trajnerët shqiptarë, unë kam punuar me skuadrën kombëtare të futbollit dhe me kolektivin e Partizanit…”.

Kjo është befasuese deri aty sa s’ka ku shkon më. Është krejt e qartë: Ljukshinov, siç pohon pra ai vetë kur thotë: “Unë kam punuar me skuadrën kombëtare të futbollit dhe me kolektivin e Partizanit…”, është edhe trajner i Partizanit. Periudha në të cilën ai ka punuar i përket harkut të viteve 1956-1958 kur kemi dy titujt kampionë të Partizanit, ata 1957, 1958 për të cilët shtypi i kohës konfirmon si trajner të kampiones Partizani Rexhep Spahiun.

Atëherë? Siç kam shkruar shtatë vjet më parë, dy mund të jenë “ndreqjet” e sotme: që Ljukshinov ka stërvitur Partizanin duke pasur pranë Spahiun – e, me sa duket, kjo duhet të jetë e padiskutueshme; dhe e dyta: që në stolin e drejtimit gjatë ndeshjeve ka qenë vetëm Spahiu. Por, nuk e harroj se si kur erdhi Partizani në Shkodër, Ljukshinovi ishte bashkë me të. A qe në stolin e drejtimit apo jo, këtë nuk mund ta them… Nikolai Ljukshinovi – një trajner i madh i Leningradit, profesor i shquar i edukimit fizik dhe një teorik e praktik i madh i futbollit sovjetik, ka dhënë një ndihmesë të madhe për futbollin shqiptar. Organizon Kombëtaren e Shqipërisë, e cila nuk kishte dalë në fushën e lojës qysh prej vitit 1953 (Shqipëria – Polonia 2-0).

Lujkshinov

E, kjo Kombëtare kishte titullarë Deliallisin, Fagun, Krajën, G.Merjen, Ndinin, L.Boriçin, Dedën, Resmen – plot 8 lojtarë të cilët ishin të 11-shit të parë të Partizanit që sovjetiku i shquar po rindërtonte. Madje, dy herë, në 1957, në dy ndeshjet përuruese ndërkombëtare me Ruda Hvezdën e Brnos të Çekosllovakisë (të fituara të dyja 2-1), trajneri Ljukshinov është në stolin e drejtimit të drejtpërdrejtë të Kombëtares që del në fushë me emrin “e rrêmë” si Përfaqësuesja e Qytetit të Tiranës. Dhe befasia e madhe. Së bashku me Loro Boriçin (në stol është Boriçi) e nxjerrin në fushë këtë Kombëtare në ndeshjen e 1 majit 1958: Shqipëria – RD Gjermane 1-1.

Në 11-shin shqiptar janë plot 8 lojtarë të Partizanit “të tij”: Maliqati, Deliallisi, Fagu, Ndini, G.Merja, Kraja, Resmja, Deda. Ndërkaq, në këtë 1958 Partizani do të trondiste gjithë futbollin e vendeve të ashtuquajtura socialiste të Europës me medaljet e argjendta të turneut të madh të Lajpcigut midis skuadrave ushtarake. Sot duhet të pranojmë se Rexhep Spahiu është i pari trajner kampion në Shqipëri që me skuadrën e tij kampione (Partizani) fiton një trofe të rangut të lartë ndërkombëtar, siç janë medaljet e argjendta të Turneut të Lajpcigut.

Dhe la mbrapa CSKA të Moskës, CCA të Bukureshtit, Dukla të Pragës, Honved të Budapestit, Legia të Varshavës, Worwarts të Berlinit… Natyrisht, Rexhep Spahiu nuk ishte nxënës i trajnerit sovjetik Nikollai Ljukshinov, ndonëse ky, për bukur më shumë dy vjet gjithashtu ka qenë po aq trajner stërvitës i Partizanit. Duket disi e çuditshme, por kështu është. Në shkrimin që boton mbas kthimit nga Lajpcigu vetë trajneri Spahiu e konfirmon këtë, teksa shkruan:

“Në hartimin e planit të stërvitjes na ndihmuan shumë këshillat e trajnerit sovjetik N.M.Ljukshinov të cilit i dedikojmë një pjesë të mirë të sukseseve tona, si rezultat i ndihmës që i jepte vazhdimisht gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë skuadrës së Partizanit… Futbollistët e sportdashësit e vendit tonë nuk mund të mos kujtojnë në këto ditë gëzimi edhe trajnerin sovjetik, shokun N.M.Ljukshinov, i cili dha një ndihmë të madhe për ta shpënë akoma më përpara futbollin tonë”.

Interesante është, ndërkaq, se në shtypin shqiptar asnjëherë nuk u shkrua se Ljukshinovi ishte trajner i Partizanit, – çka sigurisht assesi nuk mund t’ia hiqte forcën drejtuese praktike të trajnerit zyrtar Rexhep Spahiu. Ndonëse e vërteta është se Nikolai Ljukshinovi ka qenë po aty. Është enigmatike mandej se si ka ndodhë që vetëm pak dit para se Partizani të nisej për në Lajpcig, Ljukshinovi largohet nga Partizani dhe nga Shqipëria.

Dhe është krejt befasues lajmi i botuar në gazetën “Sporti popullor” më 20 gusht 1958, thjesht vetëm 30 ditë para se Partizani të zhvillonte ndeshjen e parë në Turneun e Lajpcigut, atë 5-1 kundër Ushtrisë së Vietnamit. “Gjatë qëndrimit prej më se dy vjetësh në vendin tonë, – shkruan “Sporti popullor”, – N.M.Ljukshinov dha një ndihmesë të madhe në ngritjen e mjeshtërisë së lojës së futbollistëve tanë, në punën e trajnerëve dhe të gjyqtarëve të futbollit si dhe përgjithësisht në përmirësimin e programeve të punës mësimore-metodike në ekipet e futbollit”.

Trajneri Ljukshinov ka kështu edhe ai meritat e tij të rëndësishme në formimin e këtij Partizani europian 1958 çka assesi nuk zbeh meritat e jashtëzakonshme të trajnerit shqiptar Rexhep Spahiu. Kështu po marr guximin për të “vulosur” se trajneri i tretë i huaj pranë një klubi shqiptar mbas Omarit dhe Singerit, është leningradasi Nikollaj Ljukshinov i Bashkimit Sovjetik. Më e pakta së bashku me Rexhep Spahiun, siç na e përforcon “vulën” tonë vetë Spahiu kur shkruan se N.M.Ljukshinovit “i dedikojmë një pjesë të mirë të sukseseve tona, si rezultat i ndihmës që i jepte vazhdimisht gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë skuadrës së Partizanit”…

I KATËRTI I HUAJ I NJË KLUBI SHQIPTAR ËSHTË MARIO KEMPES

Argjentinasi Mario Kempes vetvetiu është i katërti i huaj për një klub shqiptar. Dhe fati apo fataliteti, e bën rastin e tij sa unikal po aq dhe paradoksal. “Po! I pari qe Mario Kempes. I pari që erdhi, por edhe i pari kampion i botës (1978) që erdhi trajner në Shqipëri”. Kështu pata shkruar vite të shkuara. Tash këtë natyrisht që e hedh poshtë, sepse Mario Kempes nuk qe i pari, por i katërti. Por Mario Kempes qe i pari i ardhur trajner klubi në Shqipëri mbas Luftës prej një shteti të Perëndimit. Madje, i pari dhe i fundit kampion i botës.

Kempesi

Kjo është një histori që mbas Luftës së Dytë Botërore nisi 4 vjet mbasi në Shqipëri kishte rënë perdja e hekurt e izolimit komunist – kampion në Europë! Ai mbërriti me avionin e shoqërisë “Alitalia” Romë – Tiranë dhe zbriti në Rinas më 18 dhjetor 1996 i ftuar nga presidenti asokohe i skuadrës së Lushnjës, Pëllumb Xhaferri, duke përjetuar një pritje thuajse spektakolare. Më 20 dhjetor 1996, Mario Kempes i përgjigjet ftesës sonë për të qenë i pranishëm në edicionin e dytë të çmimit “Anton Mazreku” për gazetarinë sportive në hotel “Dajtin” e Tiranës.

Ishte një mbrëmje e rrallë – i vetmi rast që në një veprimtari të gazetarëve sportivë të Shqipërisë ishte i pranishëm një kampion i botës. Fituesit e atij çmimi gazetarie, që në praninë e një kampioni të botës i bën edhe më të veçantë, janë gazetarët Ahmet Golemi, Astrit Omeri, Bektash Pojani, Besnik Dizdari dhe Adnan Hyka.

kempes lushnjaaaaa

Ndoshta kjo ka qenë ndër pesëshet më përzgjedhëse, sidomos për risinë e punëve të tyre. Kjo, ngaqë nderohej promovuesi më i madh i rilindjes së boksit shqiptar, kameramani televiziv më universal i sportit shqiptar, autori i parë i historisë së sportklub Tiranës, autori i librit të parë në shqip të historisë së KE të futbollit, fotoreporteri i parë nga Shqipëria i një Grand Prix të Atletikës Europiane – çka u konkretizua madje me një fotoekspozitë.

Them kështu ngaqë ndonjëherë, për shkak të dëshirës për të nderuar sa më shumë gazetarë, edhe mund të kemi qenë subjektivë më tepër se ç’duhet në ndonjë edicion. E ndoshta edhe në këtë rast historia më e saktë shkruhet disi më vonë… Ndërkaq, një ditë më mbas, 21 dhjetor 1996, stadiumi “Roza Haxhiu” përjetonte festën e tij.

kempes 11

Ishte KS Lushnja – Albpetrol i Patosit 3-0. Tre futbollistë brazilianë ishin në 11-shin lushnjar: Edu, Dos Santos, Nosa të cilët elektrizojnë 17.000 shikues. Mario Kempes është në tribunë, po në mbarim të 45 minutave të para zbret prej andej, futet në garderobë dhe u flet lojtarëve. Në mbarim të ndeshjes ai ngrihet në këmbë, përshëndet skuadrën dhe 17.000 shikuesit e pranishëm thërrasin deri në delir: “Kempes, Kempes, ti je fitorja jonë!” Emitenti televiziv paneuropian “Euronews” zë ekranin e tij me ardhjen e Mario Kempesit në Lushnje të Shqipërisë.

Shtatë ditë më vonë, 28 dhjetor 1997, Lushnja me brazilianët e saj vjen dhe trondit kryeqytetin me fitoren 1-0 kundër Dinamos, që quhej “Olimpik”. Trajneri në stol është ende shqiptari Hasan Lika. Dhe? 11 janar 1997 – për përkim “fatal” të një date të shuar historike të Shqipërisë komuniste – kampioni i botës Mario Kempes ulet në stolin e drejtimit të një skuadre të mesjugut të Shqipërisë që ishte përfaqësuese e qytetit të vogël të Lushnjës, që për futbollin kishte një ndjeshmëri të pakrahasueshme. Ishte Traktori ose KS Lushnja, sot “e zhdukur” në Kategorinë e Dytë!?… Ishte ndeshja e ¼ fundore të Kupës së Shqipërisë: KS Lushnja – Teuta e Durrësit 1-0.

kempes lika

Kjo është dita kur për herë të parë në historinë e Mbasluftës, stina e futbollit kombëtar të Shqipërisë zyrtarizohet me një trajner të huaj që vinte prej shteteve perëndimore. Ky ishte sensacioni. Dita e 11 janarit në Stadiumin “Roza Haxhiu” nuk mund të harrohet. Kanë qenë 20.000 shikues me bileta të shitura, ndonëse kapaciteti i stadiumit nuk shkonte më tej se 8000!

Asnjëherë stadiumi i Lushnjës nuk e kishte pasur gjithë qytetin të ulur mbi tribunat e tij të drobitura prej viteve të jetës socialiste dhe asnjëherë në këtë stadium nuk ishin mpleksur gjithë shtresat e popullsisë së tij. Punëtorë, fshatarë, “kooperativistë”, mësues, mjekë, fëmijë, nxënës, studentë, shkrimtarë, artistë, regjisorë, humoristë, gazetarë, aktorë, komunistë, reaksionarë, partizanë, të përndjekur politikë, inxhinierë, agronomë, biznesmenë të rinj, fajdexhinj, kambistë, veteranë të vjetër e të rinj, të luftës e të punës…

kempes lushnja

Gazeta “L’Equipe” dhe revista “France Football” e Parisit kishin dërguar në Lushnje ekipin e posaçëm të gazetarëve të tyre për evenimentin: Vincent Machenaud, Joel Simon, Alain de Martignac me të cilin kalova drejtpërdrejt dy ditë të paharrueshme. Kishin qenë të dërguar specialë në Kampionate Botërore dhe Europiane, por atmosfera lushnjare ishte një risi krejt befasuese për ta. Nuk mund të përshkruhet ky lloj çlirimi shpirtëror përmes historisë së futbollit kombëtar të Shqipërisë, që qysh prej 60 e mâ vjetësh nuk kishte parë me sy një trajner të huaj perëndimor për një klub shqiptar. Jemi kthyer natën vonë nga Lushnja në atë 11 janar 1997 me miqtë francezë.

Shqipëria kishte rrëmbyer Mario Kempesin, kampionin e botës. Dhe nuk e kishte rrëmbyer Partizani, Dinamo, SK Tirana apo Vllaznia, Teuta, Flamurtari, Skënderbeu a KS Elbasani. E kishte rrëmbyer skuadra e Lushnjës që nuk ishte më lart se e 10-ta e Shqipërisë në renditjen mbarëkampionale të 66 vjetëve të tanë, qysh nga 1930 kur qe zhvilluar Kampionati i Parë.

Ishin paratë e të ashtuquajturave “fajde” që kishin bërë këtë “mrekulli”, që atë ditë të janarit ’97 askujt nuk i shkonte në mendje se në fund të fundit, e gjitha kjo do të dilte krejt e rreme, ndonëse ëndrra lushnjare vazhdoi deri atë mesnatë. Në numrin e radhës të gazetës së vjetër sportive që drejtoja dhe që tashmâ e kisha riemëruar “Sporti shqiptar”, gjithë faqen e parë e kam zënë me editorialin me titull “Kempesi, si m’u duk”.

Kam përshtypjen se ia vlen ta ribotoj edhe në këtë kujtesë historike, por edhe për të kuptuar, sidomos brezi më i ri i futbollit dhe i gazetarëve, se sa fort që ëndërrohej për hapjen e futbollit shqiptar në Europë. Editoriali i 25 vjetëve më parë, i janarit ’97, është ky:

* * *

Nostalgji? Emocione gazetarie, ndoshta me tepri? Subjektivizmi mbi objektiven? Me siguri që po. Është shkrim i plot 25 vjetëve më parë. Kështu pati nisur kjo histori. Shqipëria e futbollit së bashku me ne ishte në eufori. KS Lushnja e Mario Kempesit mbasi fiton në Lushnjë shkon në Durrës dhe me një futboll taktik, ndoshta të tipit argjentinas, reziston 0-0 me Teutën para 16.000 shikuesve dhe kalon në katërshen e Kupës së Shqipërisë.

Në katër ndeshje të ¼-ave janë 40.000 shikues, çka do të thotë 10.000 shikues për ndeshje. Rekord i derisotëm në historinë e Kupës së Shqipërisë! Kur vijnë ndeshjet e kthimit, vetëm në dy ndeshje kemi 32.000 shikues: Partizani – Vllaznia 3-0 dhe 16.000 shikues. Teuta – KS Lushnja 0-0 dhe po 16.000 shikues! Trajneri i parë perëndimor i Mbasluftës në futbollin e klubeve shqiptare kishte pushtuar Shqipërinë. Eh! Për fat, gjithçka do të shkrihej thjesht brenda një ëndrre, sepse mû në këtë ditë të 18 janarit 1997 ëndrra merr fund.

Shqipëria hidhet në “luftën” e saj absurde të të ashtuquajturave “fajde”. Mario Kempes ikën për të mos u kthyer më kurrë. Kampionati shqiptar ndalon këtu. Kupa e Shqipërisë “shuhet” po këtu dhe krismat e armëve pushtojnë gjithë Shqipërinë. Për katër vjet askush në Shqipëri nuk guxonte të fliste për ardhjen e një trajneri të huaj në futbollin kombëtar shqiptar.

Duhet të vinte viti 2000 që një trajner tjetër i huaj të zbriste në Rinasin e Tiranës për një aventurë të re shqiptare. Ai ishte një instruktor i shquar i FIFA-s, me emrin Miklos Temesvari. Një hungarez. Ashtu si Samo Singer në 1934, po me sportklub Tiranën, njeriu i cili kishte themeluar deri Kombëtaren e Shqipërisë në 1936. Për fat, Miklos Temesvari, i cili mbërrinte te sportklubi ynë 60 vjet më mbas, nuk do të mund të themelonte asgjë. Por 20 vjet më vonë, do të shpërthente trajneri i huaj te Kombëtarja: Viti 2016. Shqipëria në finalet e Kampionatit Europian.

Trajneri ishte një italian. Emri tij ishte Gianni De Biasi. Histori tjetër kjo. E, nuk di nëse mundi të krijojë sensacionin e Lushnjës në Myzeqe, datuar 11 janar 1997. Një stadium për 8000 vende që mban 20.000 shikues! Rekord botëror! Nuk e harrojmë Mario Kempesin. Nuk ka ndodhur asnjëherë një bujë asisoj për një trajner të huaj në Shqipëri, i cili ka drejtuar një skuadër shqiptare në vetëm 2 ndeshje. Dhe mandej është “zhdukur” nga historia.

Si ka mundësi kësisoj? Arsyet që mendoj sot mbas 25 vjetëve janë këto tri:

1. Ngaqë Shqipëria kishte një mall perëndimor.

2. Ngaqë kishim të bënim me famën e trajnerit më parë futbollist kampion i botës.

3. Ngaqë sensacionin po e krijonte skuadra e një qyteti të vogël, siç ishte Lushnja, por që pa kurrnji mbështetje mirëfilli, ka luajtur role të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar. Kaq.

E, tash, nëse do të përmbledhim logjikën që na jep fundi i këtij tregimi tre kapitujsh, mund të gjykoj se në ketë katërshe: Omar, Singer, Ljukshinov, Kempes tre të parët janë më të sukseshmit, i katërti është më i bujshmi, ndonëse tejet i varfër në arkiv: trajner në 2 ndeshje të vetme, ku asnjëra nuk i përket kampionatit kombëtar, por që ngjiti Lushnjën në katër më të mirat e Kupës së Shqipërisë – çka për të mbetet ndër më të lartat në histori.

Qysh atë 11 janar 1997, në Shqipëri kanë ardhur jo pak trajnerë të huaj. Por asnjëri prej tyre nuk ka qenë i rangut më të lartë europian.

Ashtu si kapacitetet për të blerë futbollistë krejt mesatarë të huaj, na duhet të pranojmë se Shqipëria vazhdon të ketë kapacitete shumë të vogla edhe për të thirrur trajnerë të rangut më të lartë europian. Këto dy dukuri janë tejet domethënëse dhe tregojnë se sa larg jemi në nivele për të realizuar trajnerë të huaj të shquar për klubet tona shqiptare.

Mjafton të kujtojmë se në 92 vjet të kampionatit të Shqipërisë vetëm 7 trajnerë të huaj kanë arritur të shpallin kampione një klub shqiptar.

Janë: 1933 Qemal OMAR / Skënderbeu; 1934 Samo SINGER / SK Tirana; 2001 Dervis HADZIOSMANOVIC / Vllaznia; 2003 Enver HADZIABDIC / SK Tirana (vetëm në javët 1-9); 2009 Blaz SLISKOVIC / SK Tirana (javët 1- 14); 2012 Stanislav LEVY / Skënderbeu (javët 5-26); 2020 Emmanuel EGBO / SK Tirana (javët 15-36).

Siç shihet, të plotë në drejtim janë vetëm Omar, Singer dhe Hadziosmanovic. Kaq mjafton për të vërtetuar tezën tonë të nivelit ende të ulët të vlerave të kampionatit kombëtar të Shqipërisë. Kështu është nëse duam të mësojmë nga historia.

Dhe po nuk mësoi nga historia, një komb e ka të vështirë të përparojë. Nëse mandej e shtrembëron historinë apo që për hir të dikujt, e fsheh atë, mjerë ai komb.

FUND

* RIPRODHIMI I SHKRIMIT ËSHTË I REZERVUAR.

(Për vazhdimësi shiko dy shkrimet pararendëse në “Panorama Sport” të 8 dhe 12 janarit 2022).

* BIBLIOGRAFIA:

– Gazeta “Sporti popullor” 1956, 1957, 1958, 1960.

– Revista “Futbolli” e BRSS 1960.

– Gazeta “Tema” 2006, 2008.

– Gazeta “Sporti shqiptar” 1996, 1997.

– Gazeta “Panorama” 2016.

– Gazeta “Panorama Sport” 2018.

– “Historia e Kampionateve të Shqipërisë

– Vitet ’50″, Libri 5.

– “Libri i Kombëtares”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"