SPECIALE/ Hamilton, fenomeni i rekordeve në F1 me të ardhmen ende rebus

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2021 | 14:58

SPECIALE/ Hamilton, fenomeni i rekordeve në F1 me të ardhmen ende rebus

Në 2007-ën u bë pjesë e Formulës 1, aty ku arriti të thyejë çdo rekord, teksa numëron 7 tituj kampionë bote, po aq sa Majkëll Shumaker. Por, viti 2022 ofron shumë pikëpyetje mbi të ardhmen e Luis Hamiltonit. Le të shohim shkurtimisht historinë e britanikut, djaloshit që mposhti bullizmin për të vendosur rekorde mbi rekorde në kategorinë më të lartë të automobilizmit, deri në duelin e madh të sezonit të fundit ndaj Maks Vershtapenit.

hemilton

MES REKORDEVE DHE DYSHIMEVE – Pas një sezoni që prodhoi një duel të pabesueshëm me Maks Vershtapenin, Luis Hamilton doli i mposhtur në garën e fundit në “Yas Marina”, në një kampionat që do të mbetet në histori si nga më të fortët dhe më të diskutuarit në F1.

Pas disfatës rokamboleske në finale, mbi yllin britanik janë ngritur shumë dyshime dhe pikëpyetje.

Fillimisht Toto Volf dhe më pas fraza shokuese Berni Ekleston, për tërheqjen nga F1, i kanë alarmuar jo pak tifozët e shumtë, të cilët druhen se nuk do ta shohin me në pistë idhullin e tyre. Në pritje për të mësuar të ardhmen e pilotit për vitin 2022, në këtë artikull po rrëfejmë dhjetë etapat më të rëndësishme të karrierës së Luis Hamiltonit.

FILLIMET E NJË FENOMENI – Me origjinë gjysmë angleze dhe gjysmë nga Karaibet nga ana e babait, Antoni, Luis Hamilton hapat e parë automobilizëm i hedh në vitin 2000 në kategorinë karting, aty ku menjëherë lë gjurmë duke fituar titullin e Formulës A.

Që në fillim kuptohet se kemi të bëjmë me një të predestinuar dhe menjëherë vjen kalimi në Formula Renault angleze dhe europiane, që asokohe ishte një trampolinë talentesh, nga e cila kishin dalë Felipe Masa, Augusto Farfus apo Toni Vilander.

Në vitin 2003 vjen edhe suksesi i parë në Formula Renault, me plot 10 fitore. Këto paraqitje i mundësojnë transferimin në Formula 3 Euro Series, ku që në vitin 2005 bëhet edhe aty kampion me 15 fitore. Një vit më vonë, në 2006- ën, triumfi në GP2 i hap rrugën për hapin e madh në karrierë, në Formulën 1, teksa i bashkohet skuadrës McLaren.

hemilton fillimi

PRANË TITULLIT NË F1 QË NË DEBUTIM – Për të treguar se me çfarë brumi është gatuar, Luis Hamilton e thotë fjalën e tij që në sezonin e parë në Formulën 1. Me nëntë podiume radhazi, në pjesën e parë të kampionatit, Luis Hamilton ka një vend stabël mes liderëve të botërorit, aq sa u krijua ideja se që në debutim mund të kishim një triumf të pabesueshëm në kampionat.

Por, pas suksesit në Hungaroring, gjërat filluan disi të komplikohen.

Ferrari e merr veten, ndërsa një sërë gabimesh nga stafi i skuadrës McLaren bëjnë që Luis Hamilton ta humbasë atë avantazh të akumuluar në pjesën e parë të sezonit. Në Kinë, britaniku bën disa xhiro me goma tërësisht të konsumuara duke u thirrur me shumë vonesë në bokse.

Nga vrulli dhe inati, piloti anglez godet barrierat e hyrjes në bokse dhe përfundon jashtë.

Në garën mbyllëse në Interlagos Hamilton tenton “all in”, por një dalje nga pista dhe disa gabime të skuadrës bëjnë që titulli të shkojë për Kimi Raikonenin. Kështu, Luis mjaftohet me një vend të hidhur në podium, para shokut të skuadrës, Fernando Alonsos, me të cilin gjatë të gjithë sezonit i kishte raportet e vështira.

hemilton

BOTËRORI REKORD I 2008-ës – Pas zhgënjimit të 2007-ës, Luis Hamilton reagon menjëherë në sezonin pasardhës. Me 5 fitore dhe 2 vende të dyta, Luis Hamilton shpallet për herë të parë në karrierë kampion bote në Formulën 1, duke u bërë piloti më i ri që e arrin këtë rezultat (23 vjeç, 9 muaj e 26 ditë). Megjithatë, edhe në vitin 2008, britaniku rrezikoi seriozisht ta humbiste titullin në garën e fundit në Brazil.

Në kushte të vështira meteorologjike, Felipe Masa me Ferrarin e tij duket i pakapshëm. Vetëm ngadalësimi në fund i Timo Glok, me Toyotën që monton gomat “slick” në asfaltin e lagur, i mundësoi Hamiltonit në momentet finale që të arrinte vendin e pestë, aq sa i nevojitej për t’u shpallur kampion, duke i lënë thatë tifozët e shumtë të Ferrarit dhe Felipe Masën.

KATËR SEZONE TË VËSHTIRA – Duke nisur që nga viti 2009, McLaren e humbet statusin e superfuqisë në F1. Në skenë del makina Red Bull e drejtuar nga ylli Sebastian Fetel, që e kthen në monopol kampionatin me fitore garash dhe titujsh. Me një skuadër në krizë, Luis Hamilton është i pafuqishëm për t’u matur me rivalin gjerman.

Kështu, Luis Hamilton regjistron 2 vende të katërta në vitet 2010 dhe 2012 dhe 2 vende të pesta në vitet 2009 dhe 2011. Megjithatë, përtej vështirësive të mëdha gjatë këtyre sezoneve, Hamilton arrin të koleksionojë 10 fitore në total, ku veçohen sukseset në Hungari në vitet 2009 dhe 2012 dhe ai triumf i shkëlqyer në Monza në vitin 2012.

KALIMI TE MERCEDESI – Në vitin 2013 skuadra Mercedes vendos t’i besojë Luis Hamiltonit për të thyer hegjemoninë fituese të Red Bullit, duke nënshkruar me britanikun, i cili zëvendëson Majkëll Shumakerin (i tërhequr për herë të dytë).

Sezoni i parë është fantastik, teksa Luis përshtatet menjëherë me makinë e re “W04” dhe në pjesën e parë të kampionati pozicionohet në mënyrë stabël në zonën e lartë të klasifikimit (plot tetë herë është pjesë në top-5).

Në Hungari, në pistën e tij të preferuar vjen edhe suksesi i parë i Hamiltonit me Mercedesin, pasuar me një vend të bukur të tretë në Belgjikë. Por, më pas paraqitjet e tij vijnë në rënie, ndërsa e mbyll kampionatin i katërti. Gjithsesi, duket se janë pjekur të gjithë faktorët për të synuar më lart.

hemilton

TRIUMFI NË 2014-ën – Me rregulloren e re në F1, Mercedes “W05” e vitit 2014 është një makinë e vërtetë lufte. Luis Hamilton, si pilot i parë i skuadrës, ekzaltohet me njëvendëshen e tij të re. Pas një starti të pafat ku u tërhoq në garën e Australisë për shkak të një problemi teknik, Hamilton më tej koleksionon suksese të njëpasnjëshme. Fillimisht në Malajzi, për të vijuar më pas në Bahrein, Kinë dhe Spanjë.

Më pas e ul disi ritmin me dy vende të dyta në Monako dhe Zetveg, të shoqëruara më një tërheqje në garën e ndërmjetme në Kanada. Pas fitores së madhe para publikut të tij në Silverston vijnë dy vende të treta në Gjermani dhe Hungari.

Në këtë pikë Hamilton fut “turbon” me 6 fitore të tjera për ta mbyllur me një vend të dytë në Interlagos. Kështu, britaniku fiton titullin e tij të dytë në karrierë, duke e vrarë kampionatin me shifrën e jashtëzakonshme të 384 pikëve.

TITULLI I TRETË – Edhe në vitin 2015 Mercedesi monopolizon skenën në Formulën 1 me duelin mes Hamilton-Rozberg, që është kryefjala e kampionatit. “W06” është një makinë që garanton sukses, ndërsa Luis Hamilton i mbyll llogaritë e titullit që në pjesën e parë të sezonit, ku regjistron 5 fitore dhe 3 vende të dyta.

Vetëm në Singapor bën një hap fals, por që nuk e vendos aspak në diskutim titullin e tretë në F1. Tripleta në garat Japoni-Rusi-SHBA i jep shumë para kohe trofeun, ndërsa në fund bilanci është me 381 pikë. Kështu, Hamilton kthehet njeriu për t’u mundur në Formulën 1, ndërsa gjuetia për rekordin e Majkëll Shumakerit sapo ka nisur.

STËRKËMBËSHI NGA ROZBERG – “Lufta civile” në shtëpinë e Mercedesit vazhdon edhe në vitin 2016, por këtë herë është Niko Rozberg ai që feston në fund. Piloti gjerman, i biri i Keke (kampion në vitin 1982), bën të tijin titullin falë një paraqitjeje më konstante dhe një pjese të parë të shkëlqyer të sezonit.

Për Luis Hamiltonin rëndojnë tërheqja në Çmimin e Madh të Spanjës dhe ai vend i pestë në Azerbajxhan, shto këtu edhe disa vende të treta në Belgjikë, Singapor dhe Japoni, gara në të cilat britaniku shfaqi një nervozizëm të tepruar. Hamilton tentoi kthesën e madhe me katër fitore në pjesën finale të sezonit, por Rozberg rezistoi duke i minimizuar dëmet, teksa gjithnjë renditej i dyti.

Kështu, në fund titulli shkon për pilotin gjerman, i cili e mbyll me 5 pikë epërsi ndaj kolegut të skuadrës, ndërsa Hamilton ngushëllohet vetëm me vendin e parë për sa u përket “pole position”, 12 kundrejt 8.

Hemilton podium

KATËR VITE PREJ TIRANI – Menjëherë pas titullit, Niko Rozberg vendos të tërhiqet, duke ia dorëzuar edhe një herë supremacinë në Formulën 1 Luis Hamiltonit. Duke nisur që prej vitit 2017, britaniku gllabëron 4 tituj botërorë radhazi duke barazuar rekordin e Shumakerit, 7 herë kampion.

Ndërsa fitoret e garave janë 42. Hamilton bëhet gjithashtu rekordmen për “pole position”, edhe pse dështon në disa tentativa për të thyer rekordin me 7 radhazi, që edhe sot mbahet nga Airton Sena.

Për të veçuar është Botërori 2020, që nis në mesin e verës për shkak të pandemisë. Pas vendit të katërt në Austri, Hamilton arrin shifrën e pabesueshme të 11 fitoreve, të cilat i sjellin shumë para përfundimit të sezonit, titullin e shtatë në karrierë.

Në fund të kampionatit, Hamilton infektohet me COVID, duke mos marrë pjesë në garën e zhvilluar në Sakhir, por rikuperohet në kohë për eventin final në Yas Marina, aty ku renditet i treti.

hemilton

BEFASIA E HIDHUR NË FINALE – Pas 2020-ës triumfuese, viti 2021 i rezervon një surprizë të hidhur në fund. Konkurrenca me Red Bullin e Maks Vershtapenit është shumë e ashpër.

Hamilton e ndjen presionin dhe bën disa gabime të rënda, siç ishte ai në Baku, garë ku u rendit në vend të 15-të. Lufta me holandezin është dhëmb për dhëmb, ku nuk mungojnë kontaktet dhe shkëndijat në pistë.

Në pjesën e dytë të sezonit, Hamilton hidhet në kundërsulm, ndërsa në Soçi arrin fitoren e 100-të në karrierë, duke shënuar një tjetër rekord të jashtëzakonshëm. Pas vendeve të dyta në SHBA dhe Meksikë, vijnë tri fitore radhazi në Interlagos, Losail dhe Xhedah, që i mundësojnë anulimin e të gjithë atij hendeku pikësh që kishte krijuar me Vershtapenin.

Gjithçka do të ndahet në eventin e fundit në Yas Marina, ku britaniku është virtualisht kampion bote, pak minuta para mbylljes së garës, duke parë avantazhin e madh kundrejt rivalit. Por, incidenti i Nikols Latifit, futja e makinës së sigurisë dhe vendimet e diskutueshme të komisarëve bëjnë që gara të marrë një kthesë të pabesueshme.

Me një parakalim në xhiron e fundit, Maks Vershtapen i sfumon titullin e tetë kampion, duke lënë një zhgënjim të madh për Luis Hamiltonin.

Që prej asaj dite piloti britanik i ka humbur gjurmët, ndërsa e ardhmja mbetet ende për t’u përcaktuar, në do të jetë në Formulën 1 apo jo…

garat

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"