26 vjet më parë, Partizani kampion testohej para 8 mijë tifozëve në Itali. Fitonin 14-1, por i la… autobusi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2019 | 20:09

26 vjet më parë, Partizani kampion testohej para 8 mijë tifozëve në Itali. Fitonin 14-1, por i la… autobusi

PETRAQ SHTREPI

Ekipi i Partizanit fitoi me meritë titullin kampion për sezonin 2018-2019. Ky sukses u arrit të përsëritej pas shumë vitesh ulje-ngritje, ndaj gëzimi i tifozëve dhe simpatizantëve të vet ishte më se i përligjur. Për futbollistët kampionë festa dhe pushimi nuk mund të zgjasnin më gjatë, pasi u duhet të tregojnë vlerat e tyre edhe në veprimtaritë europiane. Përgatitjet pas këtij suksesi kulmor ekipi i kuq këtë herë po i kryen ne Slloveni.

Partizani-Kampion-1993

E njëjta gjë ndodhi edhe para 26 viteve me kampionët e Partizanit, që fazën përgatitore e zhvilluan në Itali. Blloku i shënimeve më nxiti e më ndihmoi të rreshtoj për lexuesit e “Panorama Sport” disa nga kujtimet e mia në respekt të KF Partizani, veçanërisht të atij grupi, futbollistë e trajnerë kampionë, si dhe dashamirësve dhe mbështetësve të tyre.

PËRGATITJA FIZIKE NISI NË DIBËR

Kampionët e Shqipërisë të sezonit 1992–1993 e nisën fazën stërvitore fizike për 2 javë në qytetin e Peshkopisë. Largimi i disa lojtarëve për t’u provuar a kontratuar në Greqi, si: Ocelli, Dosti, Shulku dhe Bano, fillimisht nuk ndikoi për mirë në ekip. Kjo mangësi, si dhe kushtet mjaft të mira që u krijuan dibranët e rriti ndjeshëm mobilizimin dhe seriozitetin në stërvitje, por sidomos te të ardhurit rishtas te Partizani, si: Sillo, Ruhi e Çekiçi. Pasi u kthyen nga qyteti verilindor, stërvitja vazhdoi edhe një javë në Tiranë.

Partizani-1993

Por këtë herë përbërja ishte më e plotë, pasi me grupin u bashkuan edhe Edmond Dosti, Ilir Shulku e Artan Bano. Të tre këta kishin mbetur të zhgënjyer nga ofertat e klubeve greke që ishin larg kërkesave të tyre. Ndërsa Adnand Ocelli, me pëlqim të KF Partizani, udhëtoi drejt Suedisë për t’u provuar me një klub vendës.

ABACO ZBUTI KRIZËN FINANCIARE

Sekretari i KF Partizani, Bujar Labinoti, shprehej i kënaqur për suksesin e ekipit dhe perspektivën që e priste. Sipas tij, gjatë sezonit 1992-1993, kushtet e vështira ekonomiko-financiare për të gjitha ekipet përbënin pengesë jo vetëm gjatë përgatitjes së tyre, por edhe për zhvillimin e ndeshjeve. Por, Partizani e gjeti mbështetjen kur u lidh me italianët e Firmës ABACO. Kjo u reflektua sidomos në bazën materiale dhe te shpërblimet mujore mbi pagën. Përfundimi ishte i suksesshëm: Partizani-Kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë.

STAROVA, TRAJNERI I PARË SHQIPTAR NË NJË SHORT EUROPIANI

Pa dyshim që për këto arritje trajneri Sulejman Starova e meritonte të ndihej krenar. Ai regjistrohet si i pari trajner shqiptar që mori pjesë në hedhjen e shortit për Kupat e Europës në Gjenevë të Zvicrës, ku mësoi edhe emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshej Partizani. Për një trajner shqiptar të asaj periudhe ishte gjithashtu një rast tepër i veçantë të takonte nga afër Presidentin e UEFA-s, Lenart Johanson. Sipas Starovës, pjesëmarrja e tij në një aktivitet të tillë u mundësua nga interesimi i FSHF-së dhe i drejtuesve të firmës italiane, të cilët përballuan pjesën më të madhe të shpenzimeve.

Nand-Ocelli-Partizani-1993-trofeu

Përballë kampionëve tanë shorti vuri ekipin Akranes të Islandës. Ky ekip, sipas pikëzimit të UEFA-s, qëndronte disa shkallë më lart se ekipi shqiptar, madje edhe më parë ishte pjesëmarrës në Kupat e Europës. Dy futbollistë të Akranesit kishin luajtur me Fejnordin. Një avantazh tjetër për këtë ekip ishte se gara në kampionatin Islandës kishte disa javë që kishte filluar.

KUSHTE OPTIMALE PËR STËRVITJE INTENSIVE

Për ta arritur sa më mirë e shpejt formën sportive menduan drejtuesit e Firmës ABACO, të cilët krijuan kushtet për një stërvitje 20-ditore në Itali dhe që duhej të përfundonte më 17 gusht. Sipas UEFA-s, takimet me Akranes ishin planifikuar të luheshin më 18 dhe 25 gusht. Trajneri Starova tregonte se takimi mes dy delegacioneve sportive në Gjenevë shërbeu edhe për spostimin e datave të ndeshjes më 22 gusht e 1 shtator.

Bashkë me ekipin e Partizanit, drejt Italisë udhëtoi edhe autori i këtyre shënimeve (gazetar i më të madhes sportive të asaj periudhe, “Sporti”) si dhe gazetari Lirim Zalla i “RTSH”. Pas 24 orësh udhëtim, ekipi shqiptar mbërriti në “fshatin sportiv” në krahinën e Umbrias, rreth 20 km larg qytetit të Ternit. Udhëtimi me traget nga Durrësi drejt Barit e më pas me autobus drejt Ternit u ndërpre për 4-5 orë në afërsi të Napolit. Mjeti ynë me targa UP (Ushtria Popullore) pësoi defekt. Vincenzo Minjoli, një nga drejtuesit e ABACO–s, me të marrë njoftimin u nis drejt nesh me një autobus të ri.

Kjo peripeci e vogël u harrua shpejt kur pamë kushtet e shkëlqyera në “fshatin sportiv”. Kjo qendër ishte ndërtuar para dy vjetësh nga CONI (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) në shërbim të përgatitjes së ekipeve sportive. Në periudhën që po flasim i gjithë mjedisi ishte në dispozicion të ekipit shqiptar, Partizani. Aty binin në sy të gjitha pajisjet e nevojshme si fusha futbolli, palestër për lojërat me dorë, sallë ultramoderne për përgatitjen fizike, dhoma mjekësore, salla zbavitje, pishinë, etj.

SPECIALE-PARTIZANI-KAMPION-1993.duplicate_frame_5925

SHTYPI ITALIAN AMPLIFIKON FUTBOLLISTËT SHQIPTARË

Interesim mjaft i madh për Partizanin. Stafi drejtues i ABACO-s me Srefano Salvati, Federiko Salvati, Mauro Struzzi, Vincenzo Minjoli e Tiziana Tombesi ishin vazhdimisht pranë futbollistëve. Edhe pse distanca nga Terni është 20 km, ata vinin disa herë në ditë dhe kujdeseshin që asgjë të mos mungonte. Për vlerësimin e gjendjes fizike funksionale të lojtarëve u vu në shërbim një grup mjekësor i specializuar.

Të gjithë u pajisën me veshje sportive të shumëllojshme dhe me këpucë të markës “Select”. Me mbërritjen në Itali të kampionëve të Shqipërisë, i menjëhershëm ishte dhe interesimi i shtypit vendës. Gazetari i gazetës “Il Messaggero” kërkoi nga trajneri Starova informacion të hollësishëm. Gazetari Pino Montagna e priti ekipin tonë në Bari dhe çdo ditë kërkonte informacion për ecurinë e tij. Ekipi ynë ishte në qendër të vëmendjes edhe të gazetarëve të televizionit lokal të Ternit dhe vazhdimisht komunikonin me kolegun e tyre shqiptar Lirim Zalla.

“Kampionët e Shqipërisë përgatiten në Umbria për Kupën e Kampioneve”, – ky ishte titulli i artikullit të gazetës “Corriere dello Sport” më 4 gusht. Ndër të tjera, në të bëheshin vlerësime për ekipin e Partizanit si fitues i kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, në sezonin 1992-1993. “Ky ekip simpatik do të përfaqësohet në Kupën e Kampioneve të Europës. Në drejtimin teknik të ekipit është Starova, njëherazi edhe zëvendëstrajner i ekipit kombëtar të Shqipërisë”.

FITORE TENISTIKE ME “TË VEGJËLIT”

Në katër ditët e para stërvitja e zhvillua me dy séanca në ditë dhe synimi i trajnerit Starova ishte përmirësimi i treguesve fizikë. Në vazhdim nisën takimet miqësore të planifikuara ku kërkohej zbatimi i skemave taktike. Fillimisht kundërshtarët ishin përzgjedhur disi modestë për nivelin e Partizanit. Këtë e tregojnë edhe rezultatet më poshtë:

ALVIANO – PARTIZANI1-7 MË 1 GUSHT 1993

Autorë të golave: Çoçlli, Meta, Liçi, Berberi, Hoxha, Satka, Dosti.

Në pjesën e parë u aktivizuan: Dani, Berberi, Myftari, Nikolla, Shulku, Sillo, Ruhi, Meta, Liçi, Hoxha, Çoçlli.

Në vazhdim edhe Papa, Bano, Satka, Karaj, Dosti, Tafaj, Çekiçi.

XHOVE – PARTIZANI 1-14 MË 5 GUSHT 1993

Autorë të golave: Myftari (11-m), Hoxha (4), Çekiçi (2), Satka (2), Dosti (2), Shulku, Sillo, Bano.

Në pjesën e parë u aktivizuan: Dani, Bano, Myftari, Nikolla, Shulku, Sillo, Ruhi, Meta, Çekiçi, Hoxha, Çoçlli.

Në vazhdim edhe Papa, Dosti, Satka, Tafaj, Karaj.

ORVIETANA – PARTIZANI2-3 MË 11 GUSHT 1993

Autorë të golave: Meta, Satka, Dosti.

Në pjesën e parë u aktivizuan: Papa, Berberi, Myftari, Bano, Shulku, Sillo, Ruhi, Meta, Liçi, Hoxha, Çoçlli.

Në vazhdim edhe Çekiçi, Dosti, Satka, Tafaj.

STËRVITJE, POR DHE DËFRIM

Kastiliano, ky qytet i vogël pranë fshatit tonë sportiv festoi në një mbrëmje ditën e prodhimit të verës. Të rinjtë e Alvianos ftuan edhe ekipin e Partizanit. Pa dashur të ndalem në hollësi, konstatuam se ndodheshim në një festë popullore tepër gazmore. Kur në interfoni u tha se në këtë festë merr pjesë edhe ekipi kampion i Shqipërisë, Partizani i Tiranës, të pranishmit duartrokitën nxehtësisht. Shumë nga të pranishmit u miqësuan me futbollistët shqiptarë.

ME PESKARËN, PROVË E VËRTETË

Për dy takimet më të rëndësishme gjatë këtyre përgatitoreve, ekipit të Partizanit iu desh të kalonte jo pak vështirësi. Të premten e 13 gushtit ekipi udhëtoi rreth 300 km për të mbërritur në Paskara, ku e priste ekipi vendës në orën 20.30. Deri në atë moment, bregdetarët buzë Adriatikut kishin zhvilluar 6 miqësore, nga të cilat kishin fituar pesë dhe barazuar një. Për këtë arsye, atmosfera në stadiumin karakteristik “Adriatico” ishte tepër elektrizuese.

PESKARA – PARTIZANI 2-0

Autorë të golave: Compagno 72’, Al Fieri 75’.

Partizani: Dani, Berberi (Liçi 46’), Myftari, Bano (Nikolla 12’), Shulku, Sillo, Ruhi, Meta (Tafaj 64’), Satko, Hoxha (Dosti 46’), Çoçlli (Çekiçi 60). Trajner: S. Starova

Trajneri Starova në këtë takim aplikoi skemën mbrojtëse 5-4-1 që mund t’i duhej për ndeshjen e kthimit me Akranes. Gjithçka shkoi mirë në pjesën e parë ku Shulku, Sillo e Myftari i ndalen mjaft mirë sulmet e rrezikshme të vendësve. Ndërrimi i detyruar i Banos ndikoi jo për mirë në përbërjen e të kuqve. Në pjesën e dytë, brenda pak minutash, trajneri Starova eksperimentoi me 5 ndërrime që pa dyshim ndikuan në rezultatin përfundimtar. Para gazetarëve ai theksoi se takimi ia përmbushi qëllimin që kishte, pasi në pjesën e parë përdori futbollistët më pranë formacionit bazë.

GJYQTARI DHE 8 MIJË TIFOZË KUNDËR PARTIZANIT

Pa kaluar 24 orë nga takimi i Peskarës, Partizanit iu desh të përballej edhe me ekipin e Peruxhës. Jo vetëm kaq, por para takimit të së shtunës së 14 gushtit ekipi udhëtoi rreth 4 orë me autobus dhe priti 2 orë në stadium për të nisur ndeshjen. Disa ditë rresht shtypi vendës e kishte ndezur atmosferën me vlerësime për Partizanin. Mbi 8 mijë spektatorë i mbështetën futbollistët vendës që aplikonin lojë jo pak të ashpër. Të parët shënuan futbollistët tanë me Satkon në minutën e 32- të. Vendësit barazuan shpejt me Cornacchinin dhe kaluan në epërsi me Gelsin. Në minutën e fundit të pjesës së parë Partizani barazoi me Dostin që shënoi gol shumë të bukur. Fillimi i pjesës së dytë i gjen tanët në sulme të vazhdueshme duke treguar epërsi. Për vendasit mendoi gjyqtari Calabrese që u njohu golin nga një pozicion i parregullt. Kjo padrejtësi ndikoi psikologjikisht edhe te goli i katërt i vendësve.

PERUXHA – PARTIZANI 4-2

Autorë të golave: Satko 32’, Dosti 45’/ Cornacchin 35’, 54’, 60’, Gelsi 41’.

Partizani: Dani (Papa 60’), Berberi (Çekiçi 74’), Myftari, Satko (Liç 46’), Shulku, Sillo, Ruhi (Bano 46’) (Pelixhi 90’), Meta, Dosti, Hoxha (Tafaj 40’), Çoçlli. Trajner: S. Starova.

KONKLUZIONI, JO VETËM I IMI…

Në përfundim të stërvitjes në Itali, përcaktimi i shumë syresh për ekipin shqiptar ishte ky: “Tek ekipi i Partizanit ka një grup futbollistësh me nivel mesatar, por që kanë pasion dhe e luajnë me dëshirë futbollin. Përballimi me sukses i Akranes ditën e diel më 22 gusht 1993 kërkon nga të gjithë qëndrueshmëri në lojë në nivelin maksimal të mundësive të tyre. Në veçanti, kjo kërkohet nga ruajtësi i portës”.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"