“Sot tregojmë karakter”, Dovedan flet para duelit me Korabin: Kampionati është në fazën e nxehtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 11:37

“Sot tregojmë karakter”, Dovedan flet para duelit me Korabin: Kampionati është në fazën e nxehtë

Apolonia është “e dënuar” të fitojë ndaj Korabit, pasi kërkon me çdo kusht të ruajë ecurinë e mirë të javëve të fundit. Trajneri Veljko Dovedan është optimist para kësaj ndeshjeje. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai flet për këtë përballje.

DOVEDAN

Sa ju shërbeu triumfi i fundit ndaj vlonjatëve?

E konsideroj një fitore të madhe, por ne duhet të jemi me këmbë në tokë. Asgjë nuk ka përfunduar, sepse vështirësia sa vjen e rritet, veçanërisht në këtë fazë të dytë të kampionatit. Jemi shumë të qetë psikologjikisht dhe ky triumf na shërbeu për ta përgatitur me mjaft kujdes ndeshjen e radhës. Gjithashtu ka ndihmuar ekipin moralisht për të krijuar vetëbesim dhe për të marrë maksimumin nga ndeshjet që do të kemi.

A mendoni se jeni në rrugën e duhur për të arritur objektivin madhor?

E lehtë nuk do të jetë aspak, por as e pamundur nuk është. Të tregohem i sinqertë, Apolonia ka ndryshuar shumë dhe sigurisht ndryshimi është për mirë. Ditaditës po e përmirësojmë lojën tonë, jemi më kompakt në mbrojtje dhe njëkohësisht po sulmojmë me më shumë forca. Ndeshjet do t’i marrim një e nga një, do të synojmë maksimumin ndaj çdo kundërshtari dhe në fund do të bëjmë llogaritë tona. Apolonia nuk ka qenë ndonjëherë e dorëzuar dhe as nuk do të dorëzohet për të arritur objektivin e saj madhor.

Sot do të përballeni me Korabin. Si e shihni këtë ndeshje?

Kampionati ka hyrë në fazën e tij më të nxehtë, ku çdo ndeshje ka vlerë dhe çdo pikë e marrë, qoftë një apo tri, mund të ndryshojë tabelën e renditjes. Ne luajmë përballë një kundërshtari shumë të fortë, madje ata janë një nga ekipet më të mira të kampionatit për momentin. Rëndësia e kësaj ndeshjeje dihet. Ne kemi besimin e shtuar dhe moralin e lartë për të arritur te një rezultat pozitiv. Ky kampionat ka treguar që nuk ka diferenca, kush përqendrohet dhe jep më të mirën në fushë, mund të fitojë.

Pra, ju dëshironi dhe synoni vetëm pikët e plota ndaj Korabit?

Di të them që e kemi përgatitur me mjaft kujdes këtë ndeshje, i kemi dhënë rëndësinë e duhur Korabit, por në fund Apolonia dëshiron dhe synon të arrijë fitoren e dytë radhazi në shtëpi. Dua që djemtë e mi të tregojnë karakter në fushën e lojës, të luftojnë fort dhe sigurisht të tregojnë veten e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"