Sot Kukësi-Bylis/ Hallaçi: Kam një skuadër luftëtarësh, nuk hapin rrugë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2023 | 9:17

Sot Kukësi-Bylis/ Hallaçi: Kam një skuadër luftëtarësh, nuk hapin rrugë

Rrahman Hallaçi kërkon tri pikët e radhës me Kukësin e tij, duke vijuar me ngjitjen në klasifikim dhe iu larguar edhe më tej zonës së ftohtë të renditjes.

Hallaci Kukesi

Në një intervistë për “Panorama Sport”, tekniku i verilindorëve pohon se skuadra është rritur shumë si në aspektin moral, ashtu edhe në performancën në lojë. Ai e konsideron sfidën me Bylisin si tepër të rëndësishme, në një kohë që është mësuar me presionin dhe ka besim se ekipi do të dijë ta interpretojë si duhet këtë sfidë. Pavarësisht se Kukësi po ngjitet në klasifikim, Hallaçi ul menjëherë euforinë dhe nuk i pëlqen të flasë për objektiva, por vetëm për sfidën e radhës.

Hallaçi, si është gjendja e skuadrës para ndeshjes me Bylisin?

Gjendja është e mirë, Ilieski dhe Xhonson mendoj që i kanë kaluar problemet dhe janë gati për skuadrën. Ekipi ka harmoni dhe respektojnë njëri-tjetrin. Skuadra jep maksimumin në stërvitje dhe ndeshje, kjo është shumë e rëndësishme.

Për herë të parë pas shumë javësh luani një ndeshje dhe jeni jashtë zonës së rënies. Sa ndikon moralisht te skuadra?

Klasifikimi nuk më pëlqen as mua, as skuadrës. Moralisht skuadra ka qenë mirë gjatë gjithë kohës. Për vendin ku renditemi nuk dua të flas. Përqendrim maksimal te ndeshja me Bylisin, është një sfidë për ne sikur të luanim ndeshjen e fundit. Këtë do ta tregojmë te fusha e lojës, grinta dhe lufta sportive do të jenë armët tona për ndeshjen.

Jeni nën presion për fitoren?

Kemi 15 javë nën presion, jemi mësuar. Tani dhe situatat e vështira po mundohemi t’i kalojmë me kujdes. Kam në skuadër lojtarë luftëtarë, që nuk të hapin rrugë.

A ka shkuar skuadra aty ku vërtet synoni apo ka ende gjëra për të përmirësuar?

Përmirësim kemi. Kuptohet, do t’i rregullojmë edhe disa gjëra, por në ndeshje e tregojmë veten që jemi të zotë. Skuadra ka performancë të mirë në dy fazat, dalja e shpejtë në sulm dhe kthimi i shpejtë në fazën mbrojtëse. Skuadra po i bën mirë të dyja, gjithmonë duke bërë dhe ndonjë vërejtje gjatë lojës që është më se normale. Kam besim se duke punuar çdo ditë në këtë stil loje që po kërkoj, ne do të kemi një skuadër shumë të fortë ngjava në javë.

I qëndroni ende idesë që Kukësi duhet të mendojë fillimisht për mbijetesën apo pretendoni për më lart?

Për objektivin nuk flas më. Objektiv është ndeshja me Bylisin, të marrim pikët që na takojnë.

Hyrja në stadium do të jetë e lirë, keni një thirrje për tifozët?

Falënderoj drejtuesit për hyrjen e lirë në stadium. Drejtuesit po bëjnë të tyren, tani tifozët duhet të rikthehen në stadium. Kam marrë shumë mesazhe nga shumë tifozë kuksiane, të cilët janë të kënaqur me lojën që po tregojmë. Kjo do të thotë se ata janë me ne në këto ditë të vështira. Bashkë me tifozët jemi gati për një superfinale ndaj Bylisit, është një ndeshje shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"