Skënderbeu vendos heshtje, Agostineli qetëson ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2016 | 10:51

Skënderbeu vendos heshtje, Agostineli qetëson ekipin

Ndeshja me Partizanin po përjetohet maksimalisht në kampin korçar, pas dy takimeve të fundit ku ka munguar rezultati pozitiv. Klubi ka menduar të vendosë heshtje shtypi gjatë këtyre ditëve për të mbajtur ekipin e përqendruar vetëm te sfida e fundjavës. Presidenti Takaj me anë të një vendimi të marrë së fundmi ka urdhëruar “kyçjen e gojës” për lojtarët për këtë takim, për vetë rëndësinë e sfidës.

Duke filluar nga dita e djeshme e deri nesër, kur Agostineli do të japë konferencën për shtyp para ndeshjes, klubi do të jetë në heshtje të plotë, me kokën ulur duke punuar për përgatitjen e takimin me Partizanin.

Agostineli

Analiza

Presidenti Ardjan Takaj së bashku me trajnerin Andrea Agostineli ua kanë komunikuar dje lojtarëve vendosjen e heshtjes përpara përballjes me të kuqtë. Italiani nga ana e tij u ka komunikuar të tijve se kërkon me çdo kusht që ata të jenë të përqendruar vetëm te ndeshja kundër Partizanit, ku kërkohet kthimi te rezultatet pozitive. Duke shfrytëzuar këtë takim Agostineli ka zhvilluar edhe një mbledhje të shkurtër me ekipin, duke u munduar që t’i qetësojë ata pas humbjes në Fier, pasi të dielën i pret një duel tepër i rëndësishëm.

“Takimi kundër Apolonisë duhet lënë pas. Përpos humbjes, ishte një ndeshje që ne nuk i kishim kushtuar rëndësi të veçantë, për vetë faktin se do ta luajmë takimin e kthimit pas një jave, ku i kemi mundësitë të rikuperojmë. Tani të mendojmë vetëm për ndeshjen kundër Partizanit. Për këtë arsye iu dua të përqendruar vetëm te ky takim”, kanë qenë fjalët e para të Agostinelit.

Skenderbeu stervitje

Udhëzimet për “demat”

Më pas, trajneri italian u ndal duke u dhënë të tijve udhëzimet e rastit për takimin që do të luhet të dielën në “Elbasan Arena”. “Të dielën do të luajmë në Elbasan takimin e fundit të fazës së parë. Sigurisht nuk është takimi më i rëndësishëm i gjithë sezonit, por të paktën vlen për të kthyer ekipin drejt fitoreve, si dhe për të ruajtur vendin e parë në renditje. Prandaj, dua një ekip solid, të përqendruar, në mënyrë që pikët që do të marrim në këtë takim të shoqërohen edhe me një lojë bindëse.

Në fushë ditën e diel dua të jetë ekipi i pjesë së dytë të ndeshjes ndaj Kukësit. Një ekip agresiv dhe i kujdesshëm në prapavijë. Një ekip që nuk dorëzohet përballë kundërshtarit dhe di të ruaj balancat në fushë”, ka përfunduar trajneri italian, Andrea Agostineli.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"