Skënderbeu në Ligën e Europës, magjia vetëm 30 minuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2013 | 19:55

Skënderbeu në Ligën e Europës, magjia vetëm 30 minuta

Skenderbeu-Shakhter-KaraganSkënderbeu i jep fund ëndrrës për t’u kual ifikuar në turin e katërt të Ligës së Kampioneve, që do të ishte historik jo vetëm për klubin, por për të gjithë futbollin shqiptar. Korçarët flirtojnë me kualifikimin vetëm për dhjetë e diçka më shumë minuta. Një start i çmendur ndaj Shakhter Karagandy, por kaq nuk mjafton. U desh veç një shpërqendrim në mbrojtje, dhe më pas Pero Pejiç që ndëshkohet me karton të kuq, për të hedhur gjithçka në erë. Skënderbeu luan një ndeshje të çmendur ndaj kazakëve. Gola, kartonë, besim dhe në fund zhgënjim shumë i madh. Të paktën, korçarët bënë dje që për disa minuta të gjithë të shpresonin se ëndrra për të thyer çdo rekord ishte pranë.

SKENDERBEU-SHAKHTER 3-2
Golat: Tomic 9′, Shkembi 20′ (pen), 29′ (pen) / Khizhnichenko 38′, Bayzhanov 67′
Skënderbeu: Shehi, Arapi, Ademir (Fagu 85′), Radaš, Gvozdenović, Orelesi, Tomić (Abazi 61′), Lilaj, Shkembi, Pejić, Morina (Ejupi 64′). Trajner: Mirel Josa
Shakhter: Mokin, Vasiljević, Poryvaev (Tarasov 61′), Džidić, Maliy (Bayzhanov 46′), Simčević, Vičius, Ghazaryan, Cañas, Finonchenko, Khizhnichenko (Zenkovich 72′). Trajner: Viktor Kumykov
Gjyqtarë: I. Kružliak, M. Balko, T. Somolani (Sllovaki)
Kartonë të verdhë: Tomić 59′ / Vasiljević 20′, Maliy 28′, Džidić 45+2′
Karton i kuq: Pejić 54′

3Pjesa e parë Sfida nis me dy raste të mira për miqtë. Por, në të dyja momentet, Kizhnishenko gabon në gjuajtje. Megjithatë, korçarët e marrin veten shumë shpejt dhe arrijnë të shënojnë në minutën e 9-të. Në krahun e majtë është Orelesi që lëviz bukur në zonë dhe shërben për Tomiç, që shënon me portën e boshatisur. Festë në fushë dhe në shkallë. Shpresa nis të rilindë. Korçarët marrin zemër nga goli dhe nuk reshtin së sulmuari. Ka rrjedhshmëri loje me pasime të sakta dhe aksione të rrezikshme. Shkëmbi, Morina, Orelesi, Arapi dhe Pejiç janë të pranishëm në çdo aksion. Skënderbeu e përqendron thuajse plotësisht sulmin në krahun e majtë me Arapin. Kazakët vetëm mbrohen dhe duken të shpërqendruar. Në të 20-ën, është Morina që vertikalizon bukur për Pejiç, i cili pengohet në zonë nga një mbrojtës mik. Arbitri akordon 11-metërsh dhe është Shkëmbi që shënon, 2-0. Adrenalina rritet. Të gjithë besojnë se mund të jetë një mbrëmje e bukur. Kampionët e Shqipërisë nuk dinë të ndalen. Pas nëntë minutash, gjithçka në “Qemal Stafa” bëhet e kuqe. Pasim i gjatë për Pejiçin, që shmang bukur gardianin mik dhe hyn në zonë, aty ku një mbrojtës kazak e prek topin me dorë. Gjyqtari tregon pikën e bardhë dhe është sërish kapiteni Shkëmbi që ekzekuton e shënon, 3-0. Festa kap kulmin. I gjithë stadiumi është në këmbë. Kazakët nuk po kuptojnë çfarë po ndodh. Megjithatë, me kalimin e minutave e përmirësojnë disi lojën. Korçarët kthehen në mbrojtje, në një kohë që miqtë arrijnë të shënojnë pas një aksioni perfekt me anë të Kizhnishenko. Në minutat e mbetura të pjesës së parë nuk ka më histori dhe sfida mbyllet 3-1 për Skënderbeun.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis me zëvendësim për kazakistanasit. Del Mali dhe në vend të tij hyn Bajzhanov. Korçarët përpiqen të shënojnë, por nuk kanë më freskinë e pjesës së parë. Me kalimin e minutave nuk i mbajnë më as nervat. Është Pero Pejiç që godet në bark kundërshtarin me bërryl në një moment dhe arbitri i tregon menjëherë kartonin e kuq. Kroati proteston, por nuk ka kthim mbrapa dhe lë fushën e lojës. Pas këtij momenti, ritmi i korçarëve bie plotësisht dhe janë miqtë që luajnë më mirë. Vertikalizim dhe gjuajtje, por Shehi bëhet mburojë për portën e tij. Josa hedh në fushë Abazin e Ejupin në vend të Tomiç e Morinës duke freskuar sulmin. Megjithatë, mungon rrezikshmëria. Fakti që Skënderbeu luan me një lojtar më pak në fushë është evident. Në minutën e 67-të janë miqtë ata që shënojnë. Aksion perfekt i kazakistanasve, që me 2-3 pasime nxjerrin të lirë Bajzhanov, i cili i vetëm përballë Shehit nuk e ka të vështirë të shënojë. Miqtë festojnë për golin, por në këtë moment, një “lumë” shishesh me ujë vërshojnë në adresë të tyre nga tifozët korçarë. Minutat e mbetura nuk ngjallin më emocione përveç ndonjë gjuajtjeje të gabuar të Ejupit ose të sulmuesve miq. Kazakët e menaxhojnë situatën deri në fund dhe më pas nisin festën si “të çmendur”. Ashtu si Skënderbeu ishte shumë pranë, edhe ata janë duke shkruar historinë e futbollit kazak.

Josa drejton stervitjen, Morina ne plan te pareJosa: Pejiç na penalizoi me kartonin
Nuk e kishte menduar as në strategjinë e tij më pozitive se të besuarit e tij në fushë do arrinin të shënonin tre gola për 30 minuta. Një shpërqendrim në mbrojtje dhe goli i miqve e kthen “në realitet”. Trajneri i korçarëve, Mirel Josa, e ka përjetuar keq sfidën e djeshme. “Pësuam gol dhe gjithçka u vështirësua. Më pas, mbetëm edhe me një lojtar më pak në fushë dhe thuajse ishte e pamundur. Megjithatë, tentuam deri në fund. Falënderoj çunat për atë që dhanë në fushë”, – deklaroi ndër të tjera tekniku i kampionëve të Shqipërisë në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Tre gola për 30 minuta dhe u duk se kualifikimi ishte shumë pranë. Çfarë ndodhi më pas?
E nisëm ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Shënuam tri herë dhe në këtë moment barazuam rezultatin e kundërshtarit të pjesës së parë. Lojtarët ishin në gjendje shumë të mirë dhe po e interpretonin sfidën në mënyrë të shkëlqyer. Më pas, pësuam golin e parë dhe gjërat u vështirësuan. Megjithatë, unë sërish besoja. Në fillim të pjesës së dytë mbetëm me një lojtar më pak në fushë dhe gjërat u vështirësuan akoma më tepër. Kundërshtari e shfrytëzoi këtë moment dhe e menaxhoi situatën. Tentuam deri në fund, por nuk ia dolëm.
U zhgënjyet nga Pejiç, që u ndëshkua me karton të kuq duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë?
Mendoj se sulmuesi e meritoi kartonin e kuq në atë moment. Sigurisht që ishte një humbje e madhe për ne, pasi mbetëm në fushë me 10 futbollistë. Dhe gjithçka u bë thuajse e pamundur. Hodha në fushë Ejupin për t’i dhënë më shumë freski sulmit. Megjithatë, dalja e Pejiçit nga fusha na penalizoi. Ishte e vështirë ndaj Shakhterit 11 kundër 11 dhe jo më që të luanim me një lojtar më pak.
E konsideroni si gabim të mbrojtjes momentin e pësimit të golit të parë?
Jo, nuk mendoj kështu. Nuk luanim vetëm ne në fushë, ishin edhe ata. Në momentin e golit të parë, si mesfushori i qendrës, edhe ai i krahut bënë një punë shumë të mirë. Më pas sulmuesi arriti të godasë siç duhet dhe shënoi. Nuk mund të them më tepër.
Megjithatë, do të luani në fazën “Play-off” të Ligës së Europës…
Është shpejt për të folur në lidhje me këtë çështje. Për momentin do përqendrohemi te finalja e Superkupës që do të luajmë ndaj Laçit dhe pas dy javësh do të nisë aventura jonë në Ligën e Europës. Kur të njohim edhe kundërshtarin, do të flasim më shumë në lidhje me këtë çështje. Të presim disa ditë dhe më pas të flasim. Dua ta uroj Shakhterin për paraqitjen që bëri dhe për kualifikimin. Ishte një skuadër e fortë dhe këtë e tregoi në të dyja ndeshjet.

Trajneri mendon për Superkupën
Megjithëse Skënderbeu do të marrë pjesë në fazën “Play-off” të Ligës së Europës pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, trajneri Mirel Josa nuk mendon për sfidat europiane, por për finalen e Superkupës që do të luajë ndaj Laçit. “Për momentin do të përqendrohemi te finalja e Superkupës që do të luajmë ndaj Laçit dhe pas dy javësh do të nisë aventura jonë në Ligën e Europës. Kur të njohim edhe kundërshtarin, do të flasim më shumë në lidhje me këtë çështje”.

KumikovKumikov: Tre golat e korçarëve më frikësuan
Trajneri i Shakhter Karagandy, Viktor Kumikov, ka festuar gjatë me skuadrën pas kualifikimit të djeshëm në turin e katërt të Ligës së Kampioneve. Ai, së bashku me skuadrën që drejton, ka shansin që për herë të parë të dërgojë një skuadër të Kazakistanit në fazën e grupeve të Champions-it. Pas sfidës së djeshme, tekniku kazak në konferencën për shtyp u shpreh: “Ishte një takim shumë i vështirë, të cilin e kishim vlerësuar maksimalisht. Kur pësuam tre gola brenda 30 minutash dëshiroja që t’u flisja lojtarëve dhe t’i motivoja për të mos e lëshuar situatën. E kisha të vështirë, për shkak të zhurmave. Ishte një moment i frikshëm. Pas golit të parë, ekipi ishte i qetë. Më pas, në pjesën e dytë e menaxhuam situatën dhe arritëm të kualifikoheshim”, – deklaroi Kumikov. I pyetur se kush prej futbollistëve të Skënderbeut i pëlqeu më shumë, trajneri i Shakhterit u përgjigj: “Kapiteni Shkëmbi ishte shumë i mirë. Gjithashtu, fjalë të mira dua të them edhe për Pero Pejiç, edhe pse u ndëshkua me karton të kuq. Në fazën e kaluar, Skënderbeu kishte në përbërje edhe një lojtar tjetër të rrezikshëm si Gilman Lika”. A jeni duke shkruar historinë e futbollit kazak? “Jemi tashmë në fazën ‘play-off’ të Ligës së Kampioneve dhe do tentojmë që të kalojmë në atë të grupeve, duke u bërë skuadra e parë nga Kazakistani që merr pjesë në këtë fazë. Megjithatë, edhe në rastin më të keq, ne do të luajmë në fazën e grupeve të Ligës së Europës, çka është shumë e rëndësishme për ne. Tashmë të shohim se me cilën skuadër do të na përballë shorti”, – përfundon Kumikov.

Shkembi ne dyluftim ndaj ShakhterShkëmbi: I falja dy golat për kualifikimin
Skënderbeu shënon tre gola të shpejtë, dy nga të cilët me 11- metërsh, të fituar nga Pejiç dhe të realizuar siç duhet nga kapiteni Bledi Shkëmbi. Mirëpo tre golat e shënuar brenda harkut kohor të 30 minutave nuk u arritën që të mbaheshin nën kontroll. Skuadra korçare shpërfytyrohet pas golit të pësuar dhe në pjesën e dytë nuk më është ajo që u pa gjatë 45- minutëshit të parë. Kapiteni Shkëmbi flet për ndeshjen dhe ecurinë e skuadrës dhe thotë se nuk do të preferonte të shënonte gol dhe më pas të skualifikohej, megjithëse tani kërkon fat dhe një ekip të kalueshëm në fazën “play-off”: “Sinqerisht do të preferoja të mos shënoja asnjë gol, sepse doja që ta kalonim këtë raund. Pas atij rezultati që arritëm në 30 minuta lojë, unë dhe i gjithë ekipi kishim besim, duke qenë se për një çast ishim shumë afër kualifikimit. Mirëpo një gabim, siç ndodh rëndom me ekipet shqiptare në të tilla kompeticione, por edhe në kombëtaren tonë, ku u ndëshkuam nga një gol dhe aq më keq që Pejiç u ndëshkua me të kuq. Më pas gjithçka u duk e pamundur për t’u kaluar. Unë mendoj se po të kishim humbur edhe me 1-0 atje, në fushën tonë do ta kishim kaluar këtë skuadër. Gjithsesi, tani nuk mund të qahemi, pasi kemi bërë një ndeshje pozitive, çka na shërben për raundin ‘play-off’ të UEFA Europa League”.
Tre gola – Më pas Shkëmbi flet edhe për tre golat që u shënuan përgjatë 30 minutave: “Të jem i sinqertë e kisha menduar që do të shënonim në pjesën e parë, por që të realizonim 3 gola kjo nuk na kishte shkuar në mendje. Ne patëm besim te forcat tona, por një shpërqendrim që na ndodhi dhe ne pësuam gol, i cili ndikoi mjaft negativisht në psikologjinë dhe në lojën tonë”.
Muzaka – “Të shohim kur të vijë Muzaka se çfarë do të ndodhë. Nëse do të ishte sot (dje), do të ishte një ndihmë e madhe për ne në fushë, pasi lojtarët e mirë të ndihmojnë. Megjithatë, mendoj se të gjithë dhamë maksimumin. Nga ndeshja e sotme (dje) jam i kënaqur, për faktin se dimë të fitojmë dhe ndaj kundërshtarëve që quhen të fortë. Shpresojmë në një short me fat dhe ta bëjmë realitet ëndrrën për të hyrë në grup”.
Flamurtari – Në fund kapiteni i korçarëve jep dhe një koment për Flamurtarin: “Më vjen keq për Flamurtarin, por më tepër më vjen keq për zotin Gjika, i cili ishte shumë tifoz. Pra, që e la ekipin në këtë mënyrë do të thotë që ka pasur shkak”, – përfundoi Shkëmbi.

Shehi dhe Bici e te tjere ne stervitje“Fitore që s’vlen, u venitëm pas të kuqit të Pejiçit”
Ashtu si në ndeshjen e parë, Skënderbeu ndëshkohet, por faji nuk është i portierit. Markimi i dobët i mbrojtjes, si dhe loja e fortë dhe e zgjuar e kundërshtarit bën gjithçka për të prishur festën e korçarëve, e cila dukej se kishte filluar. “Gardiani” Orgest Shehi, i cili na ka treguar performancën e tij më të mirë në ndeshjet që Skënderbeu ka zhvilluar në zonën “euro”, për “Panorama Sport” pas përfundimit të takimit bën një analizë të përgjithshme, si dhe tregon për të ardhmen që e pret këtë skuadër: “Fitore që nuk vlen për ne, por shërbeu që të tregonim forcën tonë dhe për të ngritur moralin e skuadrës. E nisëm shumë mirë lojën duke shënuar 3 gola. Por një episod i vetëm i kundërshtarit në portën tonë shkatërroi çdo gjë që patëm ndërtuar deri në atë moment. Kur pësuam golin nga një episod, si dhe pas daljes me karton të kuq të Pejiçit, asgjë nuk pati më kuptim për ne. E humbëm besimin në fushë, e për pasojë çdo aksion që ndërtohej nuk arrinte të shndërrohej në gol në pjesën e dytë”, – thotë portieri i Skënderbeut, i cili është aktivizuar rregullisht në të katërta ndeshjet. I pyetur për sfidën shtesë të “play-off”-it të Europa League, ai përgjigjet: “Në këto dy raunde kemi treguar se kemi forcë për të marrë rezultate pozitive, ndaj nga shorti në fazën ‘play-off’ do dëshiroja një ekip që të ishte relativisht i nivelit tonë që të tentojmë të hymë në fazën në grupe. Ne do të bëjmë maksimumin për të arritur këtu. Nëse do ketë objektiva për të hyrë në fazën në grupe, nuk do ta donim kurrë një rival të fortë si dhe një skuadër që ka emër”, – përfundon Shehi.

Takaj: Na dënoi gafa e golit të parë
Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, shprehet i indinjuar për moskalimin e raundit të tretë. Këtë ai e bazon te goli i pësuar në pjesën e parë, si dhe te kartoni i kuq i Pejiçit. “Na dënoi goli që pësuam kur rezultati ishte 3-0. Gjithçka ishte në favorin tonë, por goli në fushën kundërshtare të dënon shumë. Loja ishte shumë mirë, edhe pse rezultati ishte 3-1, por më pas largimi me karton të kuq i Pejiçit na ndëshkoi më tepër, pasi duhet të shënonim dhe dy gola për kualifikimin”. Më Takaj dhe Pejicpas, i pyetur për Sefën (i ka mbaruar kontrata e huazimit) dhe për të sapoardhurin Muzaka, Takaj tha: “Nuk kanë lidhje këta dy lojtarë në këtë takim, pasi ekipi luajti dhe shënoi 3 gola menjëherë”. Për sa i përket shortit të “play-off”-it, Takaj duke përfunduar u shpreh: “Isha i përqendruar te kjo ndeshje dhe nuk e kam idenë se çfarë mund të na sjellë përballë shorti. Megjithatë, dëshiroj ose ekip të madh, ose skuadër të kalueshme. Më mirë do të ishte skuadër e madhe”.

Pero Pejiç: Kartoni? Nuk bëra asgjë
Pas një loje të mirë dhe fitimit të dy 11-metërshave, të cilët u shndërruan në gol nga kapiteni Shkëmbi, Pejiç humbet durimin dhe shtyn me bërryl kundërshtarin në pjesën e dytë. Gjyqtari e ndëshkon për gjestin dhe kroati del menjëherë nga fusha duke lënë Skënderbeun me 10 futbollistë dhe pothuajse i shuan shpresat për të shënuar 2 gola, siç e kishin ëndërruar dhe kërkuar deri në ato momente. Ashtu siç ishte dalja nga fusha, pra me nervozizëm, ashtu ishte dhe dalja nga dhomat e zhveshjes. Kroati nuk preferoi të komunikojë me asnjë, ndërsa tha vetëm këto fjalë kur po largohej: “Çfarë të flas unë?! Unë nuk bëra asgjë të mirë!”. Pra, lojtari tregoi qartë nervozizmin e tij. Por, nuk do të jetë habi nëse Pero Pejiç ndëshkohet nga disiplinori i UEFA-s për gjestin e bërë.

Gvozdenovic ne dyluftimGvozdenoviç: U ndëshkuam nga episode
Gvozdenoviç shprehet i lumtur për të ardhmen e Skënderbeut, edhe pse u skualifikuan nga Champions. Për të, ekipi tregoi se është i fortë dhe që mund t’ia dalë në ndeshjen e “play-off”-it të Europa League: “Ne humbëm ‘play-off’-in e Champions League, por fituam të drejtën të quhemi ekip i mirë. Ishte një ndeshje e vështirë, ku edhe pse shënuam 3 gola, kundërshtari bëri punën e tij dhe na shënoi në momentin më të mirë. Na ndëshkuan me një episod. OK, nuk e mbajtëm rezultatin për të shkuar në raundin tjetër, por ne kemi shanse në Europa League. Është e vështirë të kërkosh fatin kur pritet të ketë një short përpara, por e rëndësishme është që të kalojmë në ndeshjet në grup. Është mirë për mua, për lojtarët e Skënderbeut dhe mbi të gjitha për futbollin shqiptar”, – tha ai.

Sefa ne plan te pare, Skenderbeu ne stervitjeJetmir Sefa largohet nga Skënderbeu
Jetmir Sefës i skadoi kontrata mbrëmjen e datës 5 gusht me korçarët, çka bëri që të mos ishte pjesë e skuadrës për ndeshjen e djeshme ndaj Shakhterit. Drejtuesit e Skënderbeut, edhe pse kishin dijeni për këtë fakt, nuk zgjodhën rrugën e rinovimit të kontratës, qoftë edhe për takimet e mbetura të skuadrës në zonën europiane të futbollit. Me sa duket, ardhja e Muzakës tregon qartë që prishi planet e korçarëve për mbajtjen në grup të Sefës. Këtë e konfirmojnë dhe burime zyrtare informative pranë presidencës së Skënderbeut, të cilat e sqarojnë se lënia e lirë e tiranasit Muzaka nga Flamurtari dhe firmosja e menjëhershme me kampionët në fuqi mbylli hapësirat e Sefës në radhët e korçarëve. Tashmë Sefa është një lojtar i skuadrës mallakastriote, ashtu siç ishte 40 ditë më parë, kjo për shkak të nënshkrimit të kontratës 2-vjeçare një vit më parë. Nuk dihet nëse ai do qëndrojë të jetë pjesë e Bylisit për sezonin e ri, por as edhe për Skënderbeun, skuadër që nuk rinovoi me futbollistin kur ishte në kohë.

Orelesi, në lupën e ekipeve gjermane
Mesfushori i Skënderbeut, Nuredin Orelesi, ka qenë edhe në ndeshjen e mbrëmjes së djeshme në lupën e menaxherëve të huaj. Sipas informacioneve, në stadiumin “Qemal Stafa” ka qenë një drejtues i një klubi gjerman, i cili është interesuar posaçërisht për nigerianin. Sa i përket takimit, Orelesi pohoi se ndihej i mërzitur për faktin se skuadra nuk arriti të kualifikohej. “Bëmë një lojë të mirë. Shënuam tre gola shumë shpejt dhe kishim shanse për t’u kualifikuar. Por bëmë dy gabime që na kushtuan shumë. Për këtë ndihem i mërzitur”.

Skënderbeu, në “play-off” të Ligës së Europës
Aventura e Skënderbeut në Kupat e Europës nuk ka përfunduar ende. Arsye qëndron në faktin se nga ky edicion UEFA ka ndryshuar formatin, duke bërë që skuadrat që eliminohen në turin e tretë të Ligës së Kampioneve të kenë mundësi të luajnë në “play-off” të Ligës së Europës. Kështu, kampioni i Shqipërisë do të jetë në listën e skuadrave që do shortohen ditën e premte në Nion të Zvicrës, për këtë tur të radhës në Europa League. Në rast se Skënderbeu arrin të kualifikohet, atëherë veç 150 mijë eurove fitim do ketë mundësi të futet në grupe dhe të përfitojë plot 1.3 milionë euro.

Kush spikati dhe kush dështoi
Pejiç, Shkëmbi dhe Orelesi ishin pa dyshim tre lojtarët më të mirë në fushë për Skënderbeun. Të lëvizshëm, teknikë dhe gjithmonë krijojnë probleme për kundërshtarin. Sulmuesi kroat fitoi dy 11- metërshat, kapiteni Shkëmbi i realizoi ato, ndërsa Orelesi dha asistin te goli i parë. Mali dhe Vasiljeviç ishin më të dobëtit për skuadrën e Shkhterit. Jo shumë të saktë në ndërhyrje dhe të kalueshëm në çdo moment. Të parin, trajneri i miqve e zëvendësoi menjëherë sapo nis pjesa e dytë. Për sa i përket Shakhterit, më i miri në fushë për kazakët ishte sulmuesi Kizhnishenko që shënoi golin e parë. Gjatë gjithë 90 minutave ishte rrezik serioz.

Tifozët braktisin stadiumin pas golit të dytë
Pësimi i golit të dytë, i cili shoi në njëfarë mënyre edhe shpresat e skuadrës korçare për të kaluar turin, solli edhe pakënaqësi mes tifozëve, të cilët nisën të largoheshin në formë proteste nga stadiumi. Të ardhur në një numër rreth 3500-4000 veta në stadium, këta të fundit kanë nisur të hedhin shishe dhe sende të forta në fushën e lojës, çka mund të sjellë edhe një gjobë të majme nga ana e UEFA-s për klubin korçar. Ndërkohë kujtojmë që, duke qenë se takimi nuk transmetohej në televizion, tifozët janë dyndur drejt stadiumit për ta ndjekur këtë ndeshje, edhe pse një pjesë e mirë e tyre që para takimit nuk kishin shumë besim te përmbysja. Sakaq, nuk munguan në “Qemal Stafa” edhe tifozët nga Kazakistani. Në një numër, natyrisht shumë më të vogël, rreth 50, të ndarë në dy grupe, tifozët kanë mbështetur gjatë gjithë kohës skuadrën e tyre.

largea_televizione1374163100Transmetimi, terr televiziv, por vetëm në Shqipëri
Edhe një herë treguam amatorizmin tonë në futboll. Jo shumë për nivelin e lojës dhe rezultatin, por për faktin se ashtu sikundër ndeshjet e Kukësit në Ligën e Europës, edhe përballja e djeshme e kampionëve në fuqi të Skënderbeut ndaj Shakhterit nuk u transmetua nga asnjë televizion shqiptar (me pagesë apo jo). Askush nga kanalet e shumta televizive në Shqipëri nuk denjoi që të arrinte një akord me drejtuesit e klubit korçar për transmetimin e këtij takimi, edhe pse interesimi duhet pranuar se ishte i madh. As atmosfera pozitive e krijuar nga mediat nëpërmjet deklaratave të stafit teknik dhe lojtarëve për këtë ndeshje nuk ndikoi tek asnjë rrejt televiziv për ta blerë të drejtën e transmetimit. Por, nga ana tjetër, një gjë e tillë nuk i ka penguar kazakistanasit që ta bëjnë. Madje “Panorama Sport”, referuar një burimi të sigurt në klubin korçar, konfirmoi para tri ditësh se televizioni shtetëror kazakistanas kishte bërë negociata të gjata me drejtuesit e Skënderbeut gjatë dhe pas ndeshjes së zhvilluar në Almati, për të pasur akses në transmetimin e ndeshjes. Madje, kazakistanasit mësohet se paguan më shumë se 10 mijë euro (shifër e vogël gjithsesi, por të paktën paguan diçka) për të drejtën televizive, edhe pse orari i ndeshjes i dënonte jo pak. Takimi u luajt në orën 20:00 me orën tonë, por në Kazakistan ishte 00:00.

Europa LeagueShorti i Europa League, Skënderbeun e “pret ferri”
Short tejet i vështirë e pret Skënderbeun në “play-off” të Ligës së Europës. Pas eliminimit nga Champions-i, referuar formatit që ka vendosur UEFA për këtë sezon, skuadrat që luanin në raundin e tretë të Kupës së Kampioneve dhe eliminoheshin, kalojnë në Ligën e Europës. Këtë fat ka edhe kampioni shqiptar, i cili më 9 gusht, ashtu sikundër edhe Kukësi, në rast se do të kualifikohet pasditen e së enjtes në Ukrainë ndaj Metalurgut, do të njohin edhe kundërshtarët e tyre. Si Skënderbeu dhe Kukësi (gjithnjë nëse kualifikohet) renditen në vazon e skuadrave me koeficient më të ulët dhe përballë, pra në vazon tjetër do kenë natyrisht skuadrat elitare. Në “play-off” të Ligës së Europës shkojnë 62 skuadra, nga të cilat 29 dalin nga çiftet e turit të tretë të këtij kompeticioni, 15 janë skuadra që vijnë si humbëse dhe të eliminuara nga turi i tretë i Champions-it, ku këtu futet edhe Skënderbeu dhe 18 janë ekipe elitare që e nisin tanimë aventurën e tyre në Europë. Në këtë rang janë skuadra si Totenhemi, Dinamo e Kievit, Braga, Fiorentina, Spartaku i Moskës, AZ Alkmari, Beshiktash, etj. Këta, por jo vetëm mund të konsiderohen edhe si ajka e turit “play-off” dhe kundërshtarët që Skënderbeu dhe Kukësi do uronin që të mos i kishin përballë. Ndërkohë, nuk mbeten pas edhe ekipe si Salzburgu, Shtutgarti, Rubin Kazan, Sevilja, Standard Liezhi, Udineze, Sëlltik, Viktoria Plzen, apo Dinamo e Zagrebit, të cilat do duhet të luajnë edhe ndeshjen e së enjtes para se të verifikohen si të kualifikuara. Gjithsesi, nisur nga rezultatet në takimet e para, duket se të gjitha këto skuadra nuk do ta kenë të vështirë që t’u imponohen kundërshtarëve të tyre, kjo edhe për faktin se kanë diferenca të mëdha si në organikë dhe natyrisht edhe në lojë. Ndeshjet e parë të “play-off” të Ligës së Europës luhen më 22 gusht, dy ditë para fillimit zyrtar të kampionatit shqiptar të futbollit. Ndërsa ato të kthimit luhen më 29 gusht.
BESAR BOZGO / ERJON HAMITAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"