Skënderbeu në sprintin final, Dean Liço: Ia dalim, e kemi detyrë të qëndrojmë në krye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2023 | 14:20

Skënderbeu në sprintin final, Dean Liço: Ia dalim, e kemi detyrë të qëndrojmë në krye

Skënderbeu kërkon të mbajë vendin e parë në kampionat deri në fund të sezonit, për të përmbushur objektivin sezonal: rikthimin në elitë. Pas barazimit me Flamurtarin dhe qëndrimit në krye të renditjes, lojtarët bardhekuq janë të vetëdijshëm se për të qëndruar në krye duhet të bëjnë detyrën në katër finalet e mbetura.

dean lico

I këtij mendimi është fantazisti korçar, Dean Liço, që po mban një peshë të madhe në këtë kampionat për Skënderbeun. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori vlerëson faktin se Skënderbeu po bën maksimumin nga ndeshja në ndeshje.

“Edhe pse kemi hasur vështirësi në ndeshje të ndryshme, jemi të kënaqur me pozicionin në të cilën ndodhemi. E kemi detyrë që të vijojmë deri në fund të kampionatit të qëndrojmë në krye. Që pas riformatimit të ekipit, kemi vetëm rezultate pozitive dhe kjo është një tregues i mirë i forcës sonë. Kemi bërë maksimumin në këto takime dhe nuk i kemi lënë asgjë rastësisë. Me meritë jemi në krye të renditjes”, theksoi fillimisht korçari, i cili më pas foli për ndeshjen ndaj Korabit në shtëpi.

“Jemi në katër ndeshjet e fundit dhe secila për ne është një finale. Të shtunën kemi finalen e parë ndaj Korabit, ku do të kërkojmë që të jemi në maksimumin tonë dhe të marrim fitoren e radhës, si të vetmin rezultat që na bën punë në këtë takim. Kemi shumë respekt për Korabinm pasi është ekipi që na ka shkaktuar humbjen e fundit në kampionat. Duhet të kemi përqendrim maksimal, sepse të katërta ndeshjet e mbetura janë finale për ne. Nëse i interpretojmë si duhet, do të na çojnë drejt realizimit të objektivit”, përfundoi Liço, i cili është i bindur te suksesi final.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"