“Skënderbeu i ri, më shumë frymë”, Mensah: Gati ta nisim me pikë ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2020 | 17:31

“Skënderbeu i ri, më shumë frymë”, Mensah: Gati ta nisim me pikë ndaj Teutës

Alfred Mensah i dhuroi kualifikimin Skënder beut me golin ndaj Tomorit. 24-vjeçari ganez pritet të udhëheqë sulmin korçar këtë sezon, teksa në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon edhe ndryshimet në skuadër në krahasim me kampionatin e kaluar. 

alfred mensah
E nisët me gol sezonin dhe për më tepër duke i dhënë kualifikimin Skënderbeut në Kupë. E prisnit këtë start?
Po, për fat të mirë sezoni i ri u nis mbarë, edhe pse ishte një ndeshje kupe, por gjithsesi mbetet një kompeticion zyrtar dhe i rëndësishëm. Jam i lumtur që futbolli u kthye dhe shpresojmë që të mos ketë më ndërprerje, pasi ishin muaj të vështirë ata që kaluam. E nisëm mirë dhe goli është një motiv më shumë për mua që të vijoj të punoj fort për të bindur trajnerin për pozicionin ku jam.

Gjithsesi, përballë Tomorit ekipi nuk shkëlqeu…
Ne e prisnim që të ishte një përballje delikate, pasi është ndeshja e parë në Korçë pas kaq shumë muajsh. Kishim presion për fitoren dhe duhet të bënim paraqitje të mirë. Përballë kishim një ekip që nuk kishte presion rezultati dhe kjo ndikoi gjithsesi. Megjithatë, e rëndësishme ishte fitorja dhe kalimi në turin tjetër.

Ky kampionat vjen me shumë ndryshime në ekip. Si e shikoni të ardhmen?
Po, është e vërtetë. Nuk kemi më aq shumë eksperiencë në përbërje sa kishim sezonin e kaluar, por kemi më tepër grintë dhe frymë. Jemi një ekip me djem të rinj që duan të tregojnë më të mirën. Besoj se këtë vit kjo do të jetë arma jonë e fortë. Pra, dëshira për fitore dhe sukses, duke vrapuar dhe djersitur shumë.

Në sulm tashmë me Pusin dhe Berishën. Si ndiheni?
Jemi të tre të rinj që po rritemi dita-ditës. Pusi ka shënuar shumë gola në testet miqësore. Nga ana tjetër edhe Berisha duket se po kalon një moment të mirë në krahun e djathtë. Kemi fatin që jemi të rinj dhe kemi qenë prej një viti bashkë. Kjo na ndihmon që të gjejmë njëri- tjetrin më me lehtësi në fushë dhe të merremi vesh më shumë.
Teuta logo
Pas kupës e ka radhën kampionati. Si e shikoni përballjen me Teutën?
Do të jetë prova e vërtetë pas ndeshjes me Tomorin. Teuta është një ekip që është forcuar shumë dhe ka pretendimet e veta këtë sezon. Trajneri na ka thënë se janë një ekip cilësor dhe shumë i fortë, por ne nuk kemi pse të ndihemi inferiorë. Do të shkojmë atje për të bërë lojën tonë dhe për të dhënë maksimumin.

Pra, e rëndësishme është që të mos humbni këtë takim?
Jo, e rëndësishme është që të japim maksimumin. Sikundër mund ta dini ky është objektivi i Skënderbeut për këtë sezon. Të rritemi ndeshje pas ndeshjeje dhe një gjë të tillë do ta bëjmë duke filluar nga Teuta.

Tri ndeshje në një javë, a i përballoni dot?
Ngarkesa do të jetë e madhe, po jemi një grup që kemi punuar shumë bashkë këtë periudhë dhe gjendja është e mirë. Do t’ia dalim.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"