Skënderbeu i fazës së tretë, më i miri i sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2024 | 13:39

Skënderbeu i fazës së tretë, më i miri i sezonit

Korçarët nuk mundën të merrnin pikë ndaj Vllaznisë dhe kanë arsye pse të mërziten, sepse realisht luajtën një ndeshje të mirë dhe patën disa raste për shënim. Meritonin të merrnin të paktën një pikë, që do ta bënte akoma më të suksesshme fazën e tretë të kampionatit për Skënderbeun. Me rezultatet e arritura në 9 ndeshjet e kësaj faze, korçarët kanë grumbulluar 15 pikë, më shumë se në dy fazat e para.

skenderbeu

Në fazën e parë ekipi i drejtuar nga trajneri Ivan Gvozdenoviç mori 12 pikë në 9 ndeshje, kurse në fazën e dytë mori 10 pikë. Statistika që flasin në fakt për një sezon konstant nga ana e Skënderbeut, me një rritje në rezultate në fazën e tretë. Humbja e fundit prishi pak humorin, por sërish skuadra juglindore mbetet në pozita pretenduese për të qenë në fund në “Final 4”. Aktualisht mban vendin e 4-t, me një pikë më shumë se Tirana dhe Dinamo, por kjo e fundit ka edhe një ndeshje më pak.

ANALIZA – Stafi teknik i Skënderbeut nisi dje përgatitjet për ndeshjen e radhës me Egnatian, që luhet të shtunën, në orën 17:00. Por para stërvitjes ka pasur edhe një analizë me skuadrën, që është bërë me qëllimin për të ngritur moralin e futbollistëve, edhe pse ata vijnë nga një humbjeje. “Nëse luajmë edhe në vazhdim si me Vllazninë, do të jemi në ‘Final 4’. Tani duhet përqendrim maksimal për ndeshjen me Egnatian”, -mësohet të kenë thënë pjesëtarët e stafit teknik korçar par grupit të lojtarëve.

Në fakt, loja e Skënderbeut në ndeshjen e fundit me Vllazninë kishte nivel të pëlqyeshëm. Të besuarit e trajnerit Gvozdenoviç ishin dominues në momente të caktuara të ndeshjes ndaj një kundërshtari me potencial. Korçarët nuk patën fat të konkretizonin rastet që krijuan dhe u ndëshkuan nga një episod i diskutueshëm, që solli penalltinë për Vllazninë. Nisur nga ky fakt, stafi teknik ka besim se Skënderbeu mund të kthehet te fitorja këtë fundjavë, kur do të presë kryesuesit e Superiores.

Vlerësimi dhe impenjimi janë në shkallën maksimale, por kërkohet edhe morali i duhur për të përballuar një sfidë të vështirë, ndaj dhe ishte e nevojshme një bisedë e tillë me lojtarët. Për fatin e tyre të mirë, korçarët luajnë përsëri në fushën e tyre dhe kanë më shumë mundësi për t’u kthyer te fitorja. Në anën tjetër, të gjithë e kanë të qartë se Egnatia vjen për fitore, sepse në të kundërt rrezikon të humbasë vendin e parë.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"