Skënderbeu “fiksim”, Rahim: Do t’i ndalim, topi është i rrumbullakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2018 | 10:50

Skënderbeu “fiksim”, Rahim: Do t’i ndalim, topi është i rrumbullakët

Kastrioti do të kërkojë të marrë maksimumin në takimin e sotëm ndaj Skënderbeut. Kështu shprehet mesfushori me tipare sulmuesi i krutanëve, Aleksandër Abdel Rahim, i cili në debutimin e tij në Superiore ka lënë përshtypje pozitive. Në intervistën e tij të parë për “Panorama Sport”, greko-sudanezi shprehet i lumtur për ardhjen e tij në Shqipëri.

rahim

Cilat janë përshtypjet e para rreth Shqipërisë dhe futbollit këtu?

Është një vend i këndshëm dhe niveli i futbollit është i lartë. Këtu njerëzit janë shumë mikpritës. Është diçka e bukur, pasi të gjithë të respektojnë dhe askujt nuk i bën përshtypje nga je apo nga vjen. Nëse je pjesë e skuadrës këtu, respektohesh njëlloj si lojtarët vendës dhe më pëlqen që nuk ka dallime dhe jemi të gjithë të barabartë.

Çfarë mendoni për skuadrën tuaj të re?

Mendoj se kemi një skuadër të mirë, me lojtarë mjaft cilësorë, por edhe me futbollistë ekspertë. Kemi një staf teknik që punon mjaft mirë me në krye trajnerin, i cili nuk resht së kërkuari maksimumin.

Morët vlerësime pozitive në ndeshjen e parë, çfarë mendoni pas fillimit të mbarë?

Kampionati është i gjatë dhe topi është i rrumbullakët, ndaj asnjëherë nuk duhet të kalojmë në eufori se morëm tri pikë, por duhet të punojmë shumë që të marrim maksimumin nga çdo ndeshje.

Ndeshja tjetër është edhe më e vështirë, si e shikoni përballjen me Skënderbeun?

Kemi një ndeshje të vështirë përpara, pasi luajmë me kampionët. Jemi përgatitur gjithë javën për këtë ndeshje dhe do të bëjmë maksimumin për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm. Luajmë në fushën tonë të re jo shumë larg nga qyteti dhe do të doja që të kishim edhe mbështetje maksimale në këtë ndeshje të rëndësishme.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"