Skënderbeu dhe Dinamo testohen me njëra-tjetrën, skuadra e Dajës bind me lojë dhe rezultat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2020 | 8:30

Skënderbeu dhe Dinamo testohen me njëra-tjetrën, skuadra e Dajës bind me lojë dhe rezultat

Skënderbeu dhe Dinamo kanë luajtur në Durrës një miqësore mes tyre për të testuar lojtarët në prag të rifillimit të kampionatit. Skuadrat kanë hedhur në fushë formacionet e plota, me trajnerin Ilir Daja që ka provuar formacionin që pritet të luajë ndaj Partizanit më 3 qershor. Ndeshja ka përfunduar me fitoren 4-1 të Skënderbeut, teksa diferencën e ka bërë sulmuesi kryesor Blerim Krasniqi me dy gola në pjesën e parë. Për Dinamon shënoi mesfushori me tipare sulmuese, Kolgega. Skuadrat zhvilluan një futboll të kënaqshëm, ndërsa pjesa e dytë la për të dëshiruar edhe për shkak të zëvendësimeve të shumta.Skenderbeu tropikal

NDESHJA

Skënderbeu e nisi me Koliçin në portë, si dhe me Imamin, Jashanicën, Pollozhanin dhe Pëllumbin në mbrojtje. Në mesfushë luajtën Daja, Dita dhe Elezi, ndërsa treshja e sulmit përbëhej nga Gripshi, Bregu dhe Krasniqi në majë. Starti është i gjithi për korçarët, që shumë shpejt kalojnë në avantazh me anë të Krasniqit. Bardhekuqtë kanë një marsh më tepër dhe krijojnë disa raste për gola.

Pas një kundërsulmi të shpejtë, skuadra e Dajës e kap për herë të dytë në befasi Dinamon dhe sulmuesi kavajas është sërish vendimtar pas një goditjeje mjaft të bukur brenda zonës. Dy golat e shpejtë të pësuar nuk e demoralizojnë Dinamon. Në minutën e 35-të është Kolgega që shkurton shifrat në 2-1 dhe duket sikur rihap takimin. Megjithatë, në fundin e pjesës së parë, pas një goditjeje nga këndi, Jashanica i çon skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 3-1.

Në pjesën e dytë trajneri Daja aktivizon njëri pas tjetrit lojtarët e stolit: Dajsinani, Pusi, Vitia, Meksi, Ndeki, Esien, Randy, Mensah. Golin e katërt e realizoi shkodrani Pusi. Edhe trajneri Kamarata bëri disa ndryshime, duke aktivizuar lojtarë si Mati, Reçi, Bogdani, Mija, Qoshku, Hysi dhe Spahiu. Gjithçka u mbyll me fitoren e merituar të Skënderbeut, që tashmë vëmendjen e ka te ndeshja me Partizanin.

 

sken (1)

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"