Skënder Gega u zgjodh në krye të Kukësit, zbulohen prapaskenat te verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2022 | 14:41

Skënder Gega u zgjodh në krye të Kukësit, zbulohen prapaskenat te verilindorët

Brenda tri orësh ndodh rokada në pankinën e Kukësit, teksa mbyllet bashkëpunimi me trajnerin Diego Longo dhe menjëherë rikthehet në krye të skuadrës Skënder Gega.

Skender Gega

Gjithçka ndodhi mesditën e së shtunës, fill pas mbylljes së kampionatit, ku ashtu siç e paralajmëroi më herët “Panorama Sport”, rrugët e Kukësit dhe italianit Longo do të ndaheshin, por klubi nuk ka pritur përfundimin e finales së Kupës për të bërë zyrtarizimin.

Gjici e kishte vendosur me kohë mbylljen e bashkëpunimit, edhe nëse ekipi kualifikohej në Europë, për shkak edhe të konflikteve të javëve të fundit.

Klubi “përtypi” çdo gjë në javët e fundit, duke mos e ndërprerë kontratën në mes, për shkak edhe të druajtjes së ndonjë penaliteti, ndaj pritën mbylljen e sezonit dhe kontratës.

LARGIMI I LONGOS

Ka qenë vetë klubi i Kukësit ai që ka zyrtarizuar i pari ndërprerjen e bashkëpunimit me Diego Longon, duke mos i rinovuar më tej kontratën.

Së bashku me italianin janë larguar edhe dy ndihmësit e tij, të cilët u afruan në skuadër si pjesë e stafit të Longos.

“FK Kukësi dhe trajneri Diego Longo kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin! Me fundin e sezonit 2021-2022, ka përfunduar edhe kontrata e trajnerit italian dhe palët kanë vendosur të mos e vazhdojnë bashkëpunimin. Klubi i Kukësit falënderon trajnerin Diego Longo, asistentin Amedeo di Late dhe trajnerin e portierëve Andrea Kardinale për kontributin e dhënë dhe ju uron suksese në karrierën e tyre”, thuhej në komunikatën e klubit verilindor.

REAGIMI I ITALIANIT

Pak minuta pasi klubi njoftoi ndërprerjen e bashkëpunimit, ishte Diego Longo ai që reagoi në rrjete sociale, duke konfirmuar lajmin.

Pa harruar edhe një “kunj”, ku u uron suksese në Konferencë Ligë, edhe pse nuk dihet nëse klubi do të marrë pjesë në Europë apo jo, sepse varet gjithçka nga fitorja e Laçit në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Vllaznisë.

“Dua të njoftoj se kam rënë dakord me FK Kukësin për të ndërprerë përvojën tonë së bashku. Dua të falënderoj lojtarët dhe stafin për vitin fantastik dhe aventurat e shumta që kaluan së bashku dhe i uroj gjithë të mirat në Shqipëri dhe në Konferencë Ligë”, shkroi Longo.

Më pas, të shumta kanë qenë reagimet e tifozëve dhe miqve të tij, ndërsa trajneri italian nuk ka harruar të falënderojë tifozët e Kukësit që e kanë pritur ngrohtë përgjatë këtij viti.

RIKTHIMI I SKËNDER GEGËS

Klubi nuk humbi aspak kohë dhe ndërsa ishte ndarë mendja për largimin e Longos, prej disa ditësh po mendohej për trajnerin e ri, për të shkuar më pas te Skënder Gega.

Ish-tekniku kampion me Partizanin la mbresa pozitive përgjatë 11-të javëve sezonin e kaluar në Kukës, ndaj Gjici e kishte “peng” që palët nuk kishin mundësi të kryenin një bashkëpunim në kushte të tjera.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Gegën, i cili la në mes një projekt për shkak të problemeve me shëndetin, që shpreson ta çojë përpara këtë sezon.

“FK Kukësi njofton se Skënder Gega do të jetë trajneri i ri i skuadrës sonë për sezonin 2022-2023. Presidenca e klubit dhe trajneri kanë arritur marrëveshjen ditën e sotme dhe është vendosur që Gega të jetë në krye të stolit.

Skënder Gega rikthehet në Kukës pas një sezoni e gjysmë, duke qenë se në sezonin 2020-2021 drejtoi ekipin në Ligën e Europës dhe në kampionat, duke u larguar pas javës së 11-të për shkak të gjendjes shëndetësore. Prezantimi i trajnerit Gega do të bëhet ditën e hënë në ambientet e zyrave të klubit në stadiumin ‘Kukës Arena’.

Klubi i Kukësit i uron mirëseardhje trajnerit Gega dhe suksese në krye të stolit tonë”, thuhej në komunikatën e klubit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"