Skandali në KOKSH, Sahit Prizreni: Të largohen, të dy kanë vjedhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2019 | 19:34

Skandali në KOKSH, Sahit Prizreni: Të largohen, të dy kanë vjedhur

Situata alarmante e krijuar në KOKSH ka prekur drejtpërdrejt edhe Federatën Sportive. Skandalet e shumta dhe përplasjet ndërmjet krerëve të këtij institucioni, bien në kurriz të sportit shqiptar, që po kalon ditët e tij më të këqija.

sahit prizreni

Sahit Prizreni, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes nuk kursehet në deklaratat e tij ndaj krerëve të KOKSH, duke i akuzuar drejtpërdrejt. “Kemi të bëjmë me dy të pafytyrë në një institucion, si presidenti i KOKSH-it, ashtu edhe sekretari i përgjithshëm. Unë u kam kërkuar takim të dyve për rastin e fundit, për bursat, pasi kemi një kontrast të madh. Bëhet fjalë për një shumë të caktuar që merret një herë në katër muaj. Shumat që nis Komiteti Olimpik Ndërkombëtar janë fikse, ndërsa te derdhja që bëhet në llogari, mbahet 15%. Katër herët e fundit, sportistit tonë Eriglent Prizreni i janë mbajtur rreth 500 mijë lekë. Dikujt i mbahet kjo shumë dhe dikujt tjetër jo. Përveç buxhetit që është rreth 500 mijë euro çdo vit, pa përfshirë këtu sponsorët, nuk marrim vesh se çfarë ndodh e se ku shkojnë këto para.

Që këtu kemi të bëjmë me diçka të pakuptimtë, me dy standarde dhe një vjedhje të hapur. Nuk bëhem pjesë me asnjërën palë, pasi të dyja vijnë erë dhe erë të madhe madje, por ne si federatë kërkojmë zgjidhje”, thotë ish-kampioni i mundjes, që sot është në rol drejtues. Më pas, Prizreni shpërthen ndaj Bezhanit: “Paturpësia më e madhe është se sot presidenti i KOKSH del dhe akuzon, ndërsa deri dje ka qenë pjesë e marifeteve të bursave. Ka qenë vetë ky president që caktonte emra inekzistent për sa i përket rezultateve, ndërsa sot del dhe bën si burrë i mirë”. Sekretari i FSHM mendon se zgjidhje është largimi i gjithë këtyre që e kanë krijuar këtë situatë: “Është një paçavure e vërtetë, por shpresoj që të zgjidhet me largimin e të gjithë administratës.

Si Viron Bezhani, ashtu dhe Stavri Bello kanë bërë vjedhje me dhënien e bursave, për njerëz që s’janë përzgjedhur nga federatat. Kanë dhënë bursa për sportistë që nuk kanë qenë as kampionë kombëtarë. Gjithashtu, duhet të japin shpjegime për gjithë këtë buxhet, që nuk dihet se ku shkon. Kemi të bëjmë me njerëz titullarë të vetemëruar nga ky bord, me shoqata inekzistente dhe mjerë ne federatat për këtë KOKSH. Këtë e kam thënë që para 10 vitesh, se Stavri Bello nuk do t’ia dijë për Viron Bezhanin dhe anasjellas, por janë vetëm interesat. Kanë vjedhur aq shumë bashkë dhe ishte vetëm çështje kohe, pasi dihej që do të plaste ky skandal. Këta dy personazhe janë pl…at më të mëdha që ka sot sporti shqiptar”, përfundon Sahit Prizreni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"