Skandali me zgjedhjet, FSHF nis manovrat në shoqatat rajonale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2022 | 14:28


Skandali me zgjedhjet, FSHF nis manovrat në shoqatat rajonale

Kanë nisur zgjedhjet në shoqatat rajonale të futbollit, të cilat po i paraprijnë asamblesë zgjedhore të FSHF-së, që sipas statutit, duhet të mbahet në 6 muajt e parë të vitit 2022.

SHOQATA RAJONALE E FUTBOLLIT SHQIPTAR

Në garë për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit janë konfirmuar deri tani Armand Duka dhe Dritan Shakohoxha.

Mirëpo, kanë filluar manovrat dhe situata është bërë shqetësuese sa i përket transparencës për publikun, por edhe procesit zgjedhor të shoqatave rajonale.

Problemet nisën që me mosregjistrimin e kandidatit të propozuar nga Shakohoxha në Durrës, Indrit Skora, i cili megjithëse tentoi me çdo mënyrë që të regjistrohej, nuk ia arriti dot, sepse shoqata rajonale në Durrës mbylli dyert dhe kryetari i saj fiku telefonin, duke u djegur afatet.

E njëjta situatë edhe në Fier me kandidatin Elidon Demiraj. Ndërkohë që kulmi arriti në Shkodër, kur më datë 10 janar duhet të zhvilloheshin zgjedhjet e shoqatës rajonale, por ato u shtynë për shkak të COVID-it.

E çuditshme që federata merr një vendim të tillë kur ndërkohë lejon që stadiumet të mbushen me mijëra tifozë. Burimet thonë se “krahu” i Dukës nuk kishte garanci se do të fitonte në këto zgjedhje dhe për këtë arsye u gjet një justifikim për të shtyrë zgjedhjet.

Vetë FSHF u mjaftua vetëm me njoftimin për shtyrjen e saj, ndërkohë që nuk pati asnjë reagim për deklaratën publike të Shakohoxhës në “News 24”, i cili tha se kjo ishte bërë me qëllim dhe akuzoi hapur se drejtuesit aktualë të FSHF-së po përpiqen që të trukojnë rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

FSHF në mënyrë skandaloze heshti edhe për akuzat e kandidatit ë shoqatës së Fierit, Elidon Demiraj, dhe atij të Durrësit, që denoncuan nëpërmjet “Panorama Sport” se po bëhen gjëra kundër rregulloreve dhe po paracaktohet gara për kryetarët e shoqatave në këto qytete. Zero. Asnjë qëndrim nga FSHF.

Por, nuk ka mbaruar me kaq. Mjafton të shohësh se çfarë ndodh në Shoqatën e Gjirokastrës, çka gazeta e sjell të dokumentuar, për të kuptuar se si po luhet nën rrogoz në zgjedhjet e ardhshme të FSHF-së.

SKANDALI NË GJIROKASTËR

Më 27 maj të vitit 2021, Shoqata Rajonale e Gjirokastrës është regjistruar sipas ligjeve në fuqi të vendit në gjykatën përkatëse. Në vendimin e gjyqtares lexohet qartë se anëtarët janë Astrit Mema, Sadik Sadikaj, Arjan Bella, Edison Merjo dhe Viktor Peci. Kryetar i kësaj shoqate është Astrit Mema.

Po çfarë ndodh? Më datë 29 dhjetor të vitit 2021, kjo shoqatë njofton anëtarët e saj për asamblenë e zakonshme dhe në shkresën që disponon gazeta “Panorama Sport”, figuron kryetar Sadik Sadikaj. Pra, jo Astrit Mema, siç është bërë regjistrimi në gjykatë, por Sadik Sadikaj.

Qartazi kemi të bëjmë me shkelje, sepse Shoqata Rajonale e Gjirokastrës është regjistruar në gjykatë dhe kryetari i saj figuron Astrit Mema.

FSHF nuk jep asnjë sqarim për këto ndryshime, pasi me sa duket, mjafton që ata që drejtojnë shoqatat të jenë mbështetës të drejtuesve aktualë të saj.

Të gjitha faktet e lartpërmendura tregojnë qartë se po punohet për ta shndërruar në diktaturë FSHF-në dhe gjithçka bëhet që Duka të fitojë mandatin e gjashtë. I vetmi president federate në Europë që ka kaq shumë vite në krye të institucionit të futbollit.

FAKSIMILE

FAKSIMILE 1

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL