Skadon klauzola e Ikardit, 110 milionë euro nuk mjaftojnë më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2018 | 12:55

Skadon klauzola e Ikardit, 110 milionë euro nuk mjaftojnë më

Ftohje, ribashkime, zënka e premtime dashurie. Ndodhi gjithçka, mes Interit dhe Mauro Ikardit, por në fund “martesa” ka duruar. Së paku, ajo sipas kushteve të kontratës: klauzola prej 110 milionë eurosh skadoi pikërisht dje dhe duke nisur nga sot çdo skuadër duhet të marrë më parë miratimin e zikaltërve për të blerë kartonin e sulmuesit. Një klauzolë që, në fakt, vlente vetëm për klubet jashtë Italisë, por e vërteta është se edhe me ekzistencën e saj kapiteni zikaltër nuk ka shfaqur në asnjë moment dëshirën për t’u larguar nga Milano.

ikardi

RINOVIM – E në fakt, sulmuesi 25-vjeçar, sipas raportimit të emetuesit italian “SportMediaset”, ka nisur tashmë bisedimet me drejtorin sportiv të klubit, Piero Auzilio, për rinovimin e kontratës e mendohet se do shoqërohet edhe me një rritje e pagës. Kontrata aktuale e Ikardit me Interin skadon në vitin 2021, kurse paga e tij është 5.5 milionë euro. Tani, zikaltrit kërkojnë ta çojnë atë deri në vitin 2022, me pagë 7.5-8 milionë euro në sezon.

Ikardi

Edhe pse Vanda Nara, në bisedimet e fundit, kishte kërkuar ta rriste në 9 milionë (përfshi disa bonuse). Për të zbuluar detaje, pritet një takim mes palëve gjatë ditëve në vijim për të diskutuar të ardhmen e lojtarit. Por, duket se gjithçka po shkon drejt zgjidhjes dhe mes klubit e lojtarit filtron optimizëm. Në të njëjtën kohë, drejtuesit e Interit dhe përfaqësuesit e argjentinasit po studiojnë mundësinë që të përfshijnë një tjetër klauzolë të zgjidhjes së kontratës, me vlerë për klubet jashtë Italisë, që pritet të shkojë në 200 milionë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"