S’ka panik për Vilën, Çyrbja: Teuta është më lart se çdo ekip, do tentojmë titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2019 | 12:52

S’ka panik për Vilën, Çyrbja: Teuta është më lart se çdo ekip, do tentojmë titullin

Qetësohet Teuta, nuk ka vend për panik për Emiljano Vilën. Mesfushori dje është parë që të stërvitej normalisht, duke dhënë sinjale të mira. Me ndihmën e terapisë, durrsaku duket se do të jetë gati për javën e 8-të. Përballë Flamurtarit rikthehet edhe Uendi Vecaj, gjithashtu i rikuperuar.

emiljano vila teuta

Me një organikë më të plotë, “djemtë e detit” janë të bindur se përballë kuqezinjve fitorja nuk do të diskutohet. I këtij mendimi është edhe Arbër Çyrbja, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, komenton ecurinë dhe frymën e mirë që ka pushtuar grupin.

Barazuat me Partizanin dhe tashmë jeni në krye, a e kishit menduar një start të tillë?

Ishte një barazim i rëndësishëm, paçka se fitorja do të ishte më e mira. Duke parë cilësitë që kemi në skuadrën dhe punën e palodhur të stafit teknik, mendoja se në këtë start duhet të kishim 3 pikë më tepër.

A ka një “çelës” suksesi juaj?

Mund të them, fakti që jemi të gjithë në një mendje. Futemi në fushën e lojës vetëm për të fituar dhe japim maksimumin. Pa dyshim që fryma e grupit është për t’u vlerësuar shumë.

Prisni Flamurtarin e etur për pikë në javën pasardhëse…

Nga viti i kaluar Flamurtari ka bërë shumë ndryshime. Jo vetëm në staf, por edhe organikë. Teuta mendoj që është shumë më lart se ekipet e tjera në këtë sezon. Gjithsesi, parashikoj një ndeshje shumë të vështirë ndaj Flamurtarit. Ka një atmosferë pozitive në ekip. Jemi duke u stërvitur në qetësi dhe të motivuar në këtë ndeshje. Kemi përballuar me sukses skuadra që janë akoma më të forta dhe ia kemi dalë.

TEUTA-PREZANTON-ARBER-CYRBJA_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.28

Pra barazimi nuk llogaritet…?

Kjo varet nga rrjedha e lojës. Të shohim si do të shkojë. Nëse luajmë si me Partizanin, mendoj se këtë herë fitorja do jetë e jona.

A keni marrë plotësisht veten nga dëmtimi ?

Jam në gjendje optimale dhe i gatshëm për të ndihmuar skuadrën.

I druheni konkurrencës te Teuta?

Konkurrencë ka në çdo skuadër, por nuk ka vend për frikë. Në fund të fundit ajo shërben për të mobilizuar më shumë. Një “garë” e tillë të bën gjithnjë mirë.

teuta

A është i arritshëm titulli?

Kemi besimin, por që t’ia dalim, nuk duhet ta humbasim asnjëherë. Është pak e vështirë për të dalë në konkluzione, pasi vetëm 7 javë janë luajtur. Me ekipin që Teuta ka dhe me këtë që ka treguar, është e mundur që të tentojnë titullin. Pse jo?!

Vërejmë se jeni shumë të lidhur me stafin. Cila është marrëdhënia e lojtarëve me trajnerin?

Marrëdhëniet janë tejet të mira. Dhe kjo reflektohet edhe në fushën e lojës. Madje ky është një faktor që kemi një ecuri të mirë deri në këtë fazë të kampionatit.

Po mes lojtarëve si shkojnë punët?

Jashtëzakonisht të mira. Ne jemi si një familje dhe nuk jemi të ndarë në grupe. Kjo na ndihmon dhe në ecurinë e deritanishme.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"