Situatë e vështirë në Vlorë, Troisi e nis pa staf dhe me shumë mungesa te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2020 | 8:37

Situatë e vështirë në Vlorë, Troisi e nis pa staf dhe me shumë mungesa te Flamurtari

Flamurtari nis stërvitjen, por me dyer të mbyllura. E para seancë e drejtuar nga Marcelo Troisi ka nisur çuditshëm. Klubi ka vendosur që të mos e prezantojë trajnerin e ri, duke e shtyrë për sot këtë formalitet.Flamurtari2

Ka qenë drejtori Ardi Ciruna, që ka sqaruar gjithçka, duke kërkuar mirëkuptimin e mediave të pranishme: “Kërkoj mirëkuptimin tuaj. Sot (dje) është dita e parë, ndaj mund të mos filmoni në ambientin e brendshëm. Trajnerin e ri do ta prezantojmë zyrtarisht”.

Grupi dhe stafi

Ndoshta ky vendim i drejtuesve të klubit ka ardhur edhe nga fakti që dje ekipi ka qenë shumë i cunguar. Ka qenë ora 14:30, kur futbollistët ishin në ambientin e brendshëm të stadiumit, në pritje të trajnerit të ri. Marcelo Troisi është shfaqur para 16 lojtarëve me një përkthyes, teksa ka bërë edhe vetëprezantimin.

Braziliani u ka thënë futbollistëve që ai do të jetë në “timonin” e kuqezinjve, ndaj ka kërkuar angazhimin e të gjithëve. Tekniku ka thënë se ekipi do të plotësohet me lojtarë në ditët në vijim. “Unë do të jem trajneri i ri. Bashkë do të punojmë për të bërë maksimumin dhe për ta nxjerrë ekipin nga kjo gjendje. Në ditët në vijim do të plotësohemi edhe më shumë me të tjerë lojtarë”, mësohet se ka thënë ndër të tjera Troisi para ekipit.Troisi Laci

Pas një fjale të shkurtër, braziliani ka urdhëruar që lojtarët që kishte në dispozicion të nisnin nga puna. Për pak minuta kanë zhvilluar vrapime të lehta në fushën e stadiumit “Flamurtari” dhe më pas janë shpërndarë. Veç përkthyesit, trajneri nuk ka pasur me vete asnjë pjesëtar tjetër të stafit teknik, veç atij mjekësor. Në klub flitet se në ditët në vijim mund të mbërrijë një përgatitës i ri atletik.

Mungesa dhe rikthime

Dita e parë nën drejtimin e Marcelo Troisit e ka gjetur shumë “të cunguar” Flamurtarin. Pjesa më e madhe e titullarëve dje nuk ishin, ndërsa mungonin shkodranët dhe shumë jabanxhinj të tjerë. Xhevahir Sukaj, Olsi Gocaj, Denis Pjeshka, Jurgen Vatnikaj, Ansi Nika dhe Kreshnik Nebihu nuk ishin të pranishëm. Mësohet se ata kishin marrë leje nga klubi. Të vetmit lojtarë që zbarkuan në fushë, ishin vlonjatët si edhe Jurgen Vrapi, Andi Ribaj e Jorgos Sarris.

Greku është rikthyer, ndonëse mungoi për disa javë për shkak të një dëmtimi. Version që nuk e bindi kurrë stafin e mëparshëm. E ndërsa u mendua se mund të ishte larguar nga Flamurtari, mbrojtësi dje u bashkua me ekipin. Merkato me të huaj Marcelo Troisi pritet që ta mbushë Flamurtarin me lojtarë të huaj. Brazilianë apo edhe afrikanë pritet që të jenë përforcimet e vlonjatëve. Për t’u theksuar është fakti se vetëm 4 lojtarë ekstrakomunitarë mund të luajnë në kampionatin tonë. Por, trajneri i ri, me sa duket, do të afrojë më shumë.

Tashmë është mbyllur gjithçka me qendërmbrojtësin 25-vjeçar, Bruno Lipi. Lipi më parë ka qenë pjesë edhe e Bylisit, Laçit e Turbinës, ndërsa në tri sezonet e fundit ka luajtur për ekipe të ligave të ulëta në Greqi, ndërsa është njohje e vjetër e trajnerit. Ndërkaq, pa dyshim që do të ketë edhe largime nga grupi aktual i lojtarëve.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"