Sinella i pezulluar, Tomorin e drejton Klodian Arbri: E mundim Lushnjën, jemi gati për 3 pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2021 | 12:41

Sinella i pezulluar, Tomorin e drejton Klodian Arbri: E mundim Lushnjën, jemi gati për 3 pikët

Tomori nuk do të ketë sot në stol trajnerin Bledar Sinella, i cili është pezulluar nga Komisioni i Disiplinës me dy ndeshje. Në këto kushte, drejtuesit e klubit dhe vetë trajneri kavajas, i kanë besuar drejtimin e ekipit në ndeshjen ndaj Lushnjës një emri të njohur të futbollit beratas, si Klodian Arbri, i cili aktualisht është në krye të ekipit U-17. Interesant është fakti se Arbri do të drejtojë për herë të parë si kryetrajner Tomorin, pikërisht në një ndeshje që mund të cilësohet si derbi kundër Lushnjës. Në bisedën për “Panorama Sport”, beratasi nuk e fshehu faktin se do të ketë emocione, por nga tjetër shprehu bindjen se do të bëjë maksimumin që Tomori të fitojë.

Klodian Arbri

DEKLARATA

“Jam i emocionuar që mu ngarkua një përgjegjësi e tillë, aq më shumë që përballë do të kem ish-trajnerin dhe mikun tim, Ilir Gjyla. Si trajner provizor i Tomorit do të kërkoj që të mbroj interesat e skuadrës beratase, duke synuar fitoren ndaj Lushnjës. Unë personalisht, duke njohur forcën e të dyja skuadrave, mendoj se ekipi ynë, duke dhënë maksimumin në fushë, atëherë s’ka dyshim që fitorja bëhet më e lehtë. Nëse skuadra ime do të luajë në kapacitetin e mundësive të saj, fitorja ndaj Lushnjës do të jetë e thjeshtë.

Tri pikë sot do të na çojnë në vendin e dytë në grup dhe kësisoj do t’i bëjmë një dhuratë trajnerit dhe mikut tim, Sinella, që do të mungojë në këtë përballje”, ka thënë fillimisht ish-sulmuesi. Arbri mendon se në skuadër janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e takimit. “Çunat në këtë përballje duhet të luajnë për detyrimin që kanë ndaj bashkisë dhe donatorit kryesor të skuadrës, të cilin ata e duan dhe e respektojnë fort, pasi kjo përkujdesje maksimale dhe investimi i kryer na bën të besojmë të gjithë së bashku, se vendi i dytë në grupin tonë është i pronotuar provizorisht nga Tomori, edhe pse lufta për kreun është e hapur dhe një mundësi reale për këta futbollistë”, përfundoi trajneri beratas.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"