Sinan Idrizi: Nuk ishin penallti, gjithmonë na sulmojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2016 | 10:07

Sinan Idrizi: Nuk ishin penallti, gjithmonë na sulmojnë

Sinan Idrizi nuk e dramatizon humbjen, përkundrazi ai thekson se skuadra dëshmoi klas në fushë, duke dhënë sinjale pozitive për të ardhmen. Në një prononcim telefonik nga Turqia për “Panorama Sport” Sinan Idrizi thekson se ky ndryshim ka për protagonist Gugash Maganin.

Magani Idrizi

“Në ndeshjen me Skënderbeun në fushë pashë faktorin ‘Magani’. Për arsye pune unë gjendem në Turqi dhe ndeshjen e ndoqa nga televizori. Ekipi kishte klas, më pëlqeu sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes. Ishte superekip dhe lojtarët në formë shumë të mirë. Është e para herë që unë kam pritshmëri pozitive dhe kjo falë trajnerit që kemi marrë.

E përsëris, në fushë u ndie faktori ‘Magani’. Më pëlqyen edhe lojtarët. Dua të veçoj Zeqirin. Ai po kthehet në formë shumë të mirë, po ashtu edhe lojtarët e tjerë. Jam i kënaqur se këtë herë kemi bërë zgjedhje të goditura”, tha fillimisht Idrizi.

Gjykimi

Administratori e cilëson gjykimin tendencioz kundër Flamurtarit dhe se ato që u dhanë ishin penallti të paqena. Idrizi shprehet se, nëse rolet do të ishin ndryshe, me Skënderbeun në vend të Flamurtarit, nuk do të ndodhte kështu.

“Nuk dua që t’i futem gjykimit, pasi nuk jam specialist në fushë. Por, nëse ato raste do të ishin kundër Skënderbeut, do të ishte histori tjetër. Këtë punë kemi pasur ne me gjykimin, por ata le të vazhdojnë. Ne nuk merremi me ata, por me të tjerë. Kështu ndodh gjithmonë.

Skenderbeu-Flamurtari

Sa shikojnë që Flamurtari ngrihet, do ta sulmojnë, ose me gjykimin, ose do të nxjerrin çështjen e rrogave, që lojtarët në Vlorë nuk paguhen. Po ju them edhe një tjetër rast në ndeshjen me Skënderbeun. Lojtarët e Skënderbeut nuk morën kartonë, megjithëse kishte shumë raste për të tilla, ndërsa për Flamurtarin gjyqtarët nuk kurseheshin.

Pra nuk ishim të barabartë në fushë. I kthehem edhe një herë, ato raste nuk ishin për penallti. Në atë ndeshje pashë një Flamurtar luftarak. Jam i kënaqur dhe shumë optimist për këtë ekip”, u shpreh administratori.

Pagat

Duke u ndalur te pagat, ai tha se rrogat do të jepen, por nuk pranon shantazhe.

“Unë premtime pagash nuk bëj. Se dëshira ime është që të jap tri rroga paradhënie, kjo nuk do të thotë që ta përdorin si presion dhe shantazh. Me lojtarët jam sqaruar. Nuk kam kaluar nga data përfundimtare e dhënies së pagave, jam brenda të gjitha afateve ligjore.

lukas martins, danilo alvesh

Kam informacione se ka ekipe të tjera shqiptare që kanë muaj që nuk paguajnë lojtarët dhe nuk është ndier njeri. Flamurtari bëhet për lajm. Unë jam klubi që i derdh shtetit 320 milionë lekë sigurime shoqërore. Më thoni, nuk paguaj dot pagat?! Kjo është qesharake”, përfundoi Idrizi.

Në fund, ai është ndalur edhe te çështja “Alvesh”, ndërsa këmbëngul që mbetet i Flamurtarit, ai edhe Kanixha.

“Nuk e di është kuptuar mirë apo jo, ose nuk duan ta kuptojnë. Nuk ka asnjë dyshim, Alvesh dhe Kanixha janë lojtarë të Flamurtarit. Është histori e mbyllur ajo, nuk ka diskutim”, përfundoi numri një i kuqezinjve.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"