“Si mund t’ia heq shiritin Kristiano Ronaldos?”, trajneri Santos: Nëse do të kishte ofenduar kolegët e tij apo federatën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2021 | 12:44


“Si mund t’ia heq shiritin Kristiano Ronaldos?”, trajneri Santos: Nëse do të kishte ofenduar kolegët e tij apo federatën…

Ai gjest i Kristiano Ronaldos, kapitenit të Portugalisë në ndeshjen me Serbinë, ku nuk iu akordua një gol pasi topi kishte kaluar vijën fatale në fundin e ndeshjes, duke lënë në fuqi rezultatin 2-2, vazhdon akoma të shkaktojë jehonë në Portugali.

SANTOS RONALDO

Nuk kanë munguar kritikat për sulmuesin që flaku i zemëruar në fushë shiritin e kapitenit, por përpara kualifikueses së sotme të kampionëve të Europës kundër Luksemburgut, trajneri Fernando Santos i pret me të qeshura kush vë në dyshim profesionalizmin e CR7. I pyetur nëse 36-vjeçari do ta mbajë shiritin e kapitenit në ndeshjen e sotme, përgjigjja e Santosit ishte një e qeshur… ndërsa më pas shtoi:  “Do ta mbajë, do ta mbajë, për sa kohë nuk ka ofenduar askënd. Kristiano është një shembull në kombëtare dhe ju e keni shkruar me mijëra herë. Të gjithë lojtarët që vijnë në konferencë thonë se ai është një model. Ata pyesin të gjithë lojtarët që vijnë këtu se si është Kristiano dhe të gjithë përgjigjen në të njëjtën mënyrë:

‘Ai është një shembull’. Është një shembull duke nisur nga puna, nga stërvitja, nga mënyra se si të pret. Është një shembull për të gjithë, edhe në rrjetet sociale. Nëse Kristiano do të kishte ofenduar trajnerin e kombëtares, kolegët e tij apo federatën me një gjest të pamenduar, atëherë po, ne mund ta kishim menduar. Por asgjë nga këto nuk ka ndodhur”.

SANTOS 1

Santos u ndal më gjatë në këtë temë: “Kishte një moment zemërimi, në të cilin mund të kisha qenë edhe unë. Për shkak të gjërave që i thashë arbitrit të katërt, edhe unë mund ta kisha marrë rrugën.

Është një moment zhgënjimi i madh për dikë që do të fitojë, i cili dëshiron dhe jep gjithçka për kombëtaren. Papritur topi hyn në portë, gjë që ai e pa mirë dhe nuk është gol. Nuk ishte diçka e bukur dhe 5 apo 10 minuta më vonë ai bëri një postim në rrjetet sociale për ta nënvizuar këtë. Mund të kisha qenë unë ose ai në krahun tim. Askush nuk po thotë se ishte një gjest i bukur, por të vësh në dyshim nëse Kristiano duhet të jetë kapiteni, unë dua ta bëj të qartë: Ai nuk ofendoi trajnerin, kolegët, federatën”.

PANORAMASPORT.AL


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/