“Shumë shpejt, në pozita të tjera”, Hallaçi: Në Durrës me mend në kokë, dua kualifikimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2023 | 9:45

“Shumë shpejt, në pozita të tjera”, Hallaçi: Në Durrës me mend në kokë, dua kualifikimin

Kukësi rigjen sërish Teutën edhe në Kupë, pas rivalitetit që kanë në kampionat, sa i përket mbijetesës. Në një transfertë që u mundën pak ditë më parë, tekniku Rraman Hallaçi ka besim se këtë herë skuadra do të arrijë te fitorja, duke marrë parasysh se në sfidën e kampionatit bënë një paraqitje të mirë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, kreu i pankinës verilindore pohon se Kukësi i ka forcat të luftojë në dy fronte, ndërsa beson se arritja e objektivave është tërësisht në dorën e skuadrës së tij. Në fund, ai i gëzohet faktit që tifozët i janë bashkuar skuadrës e po e përkrahin gjithnjë e më shumë.

Hallaci Kukesi

Rigjeni sërish Teutën, kësaj here në Kupë. Si e prisni?

Me Teutën kemi bërë një superndeshje, kemi dominuar deri në fund me lojën e mirë që bëmë. Gjithmonë pa ia hequr meritat dhe Teutës për atë çfarë dha në fushë. I kemi të qarta situatat e lojës që ndodhën në ndeshjen e kampionatit. Kupa ka specifikë tjetër dhe do të japim maksimumin për të arritur te fitorja, por gjithmonë me mend në kokë, pa dalë nga detyrat që unë do t’i jap skuadrës.

Midis Kupës dhe kampionatit, ku do të fokusoheni më shumë?

Jemi të fokusuar te të dy objektivat, në kampionat dhe Kupë. Duam të kalojmë Teutën dhe më pas dalëngadalë do t’i shikojmë gjërat me qetësi.

A është në gjendje Kukësi të luftojë në dy fronte?

Patjetër që po. Kemi kontingjent për të shkuar deri në fund dhe kemi lojtarë mjaftueshëm që të luftojmë deri në fund, në dy fronte.

Ju mungon vazhdimësia, prisni që të ndryshojë kjo gjë?

Vazhdimësia ka qenë e mirë, por kuptohet kur skuadrat rivale që kemi, edhe ato fitojnë, atëherë bëhet edhe më e vështirë. Është e vërtetë që pres dhe pak më shumë nga skuadra.

Sakaq, kampionati po bëhet shumë i fortë për mbijetesë, si e shihni këtë luftë?

Pikët aty janë, ne kemi besim që do t’i marrim. Çdo gjë varet nga ne, nëse ne fitojmë ndeshjet, atëherë nuk na interesojnë rezultatet e skuadrave të tjera. Do të gjejmë forca që të dalim sa më shpejt në një renditje më të mirë.

Duket se në krah keni edhe tifozët, sepse nuk ju ka munguar mbështetja në këto ndeshje…

Jam shumë i lumtur që më në fund tifozët janë rikthyer për të na dhënë forca në këto ditë të vështira. Tifozët janë me ne dhe kjo është fitore e madhe për ne. Mirënjohje për tifozët e mrekullueshëm kuksianë dhe do të japim maksimumin që t’i bëjmë të lumtur.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"