Shtyhet derbi i Jugut, Duro: Më mirë kështu, tani do kemi më tepër kohë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2017 | 22:30

Shtyhet derbi i Jugut, Duro: Më mirë kështu, tani do kemi më tepër kohë

Java e 13-të e Kategorisë Superiore prek vetëm ndeshjen Luftëtari-Flamurtari. Derbi i Jugut, i parashikuar të luhej sot, në orën 13:00, në stadiumin “Gjirokastra”, është shtyrë nga FSHF për të hënën në po të njëjtin orar, si pasojë e përmbytjeve në qytetin e gurtë.

Në njoftimin e bërë dje nga FSHF, ndër të tjera, citohej: “Pas rakordimit dhe komunikimit të vazhdueshëm me klubet, u vendos që ndeshjet e kësaj jave të luhen normalisht, përveç asaj Luftëtari-Flamurtari, e cila është spostuar për të hënën më 4 dhjetor. Fusha e stadiumit të Gjirokastrës nuk garanton zhvillimin normal të ndeshjes. Ky vendim erdhi si rrjedhojë e ngjeshjes së kalendarit të Kategorisë Superiore, rakordimit absolut me klubet dhe me kushtet aktuale optimale që garantojnë impiantet e skuadrave të Kategorisë Superiore”.

duro

TRAJNERI

Për trajnerin e Flamurtarit, Shpëtim Duro, shtyrja e takimit është më se normal në të tilla kushte. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, Duro theksoi se skuadra e tij ishte gati edhe nëse do të luhej të shtunën. “Shtyrja e ndeshjes është normale në këtë situatë ku gjendemi sepse është një gjë që nuk ke çfarë t’i bësh. Do të kemi pak më shumë kohë për t’u përgatitur për këtë ndeshje, edhe pse ishim që sot”, theksoi fillimisht Duro për të vijuar më pas me komentin rreth kundërshtarit.

“Luftëtarin e vlerësoj maksimalisht. Është një ekip që ka bërë mirë deri më tani, pavarë- sisht rezultateve. Ka elementët e vet cilësorë dhe unë nuk i shikoj aspak nga renditja që kanë. Do të shkojmë në Gjirokastër të bëjmë më të mirën, pastaj gjithçka t’ia lëmë fushës së lojës. Janë brenda të trija rezultatet”. Ndërkohë, mungesa e vetme ndaj Luftëtarit do të jetë ajo e mbrojtësit të djathtë, Siljanovski, për shkak të kartonëve. ”

Situata në ekip është shumë e mirë. Të gjithë djemtë janë të angazhuar për të dhënë maksimumin e tyre, na mungon vetëm Silajnovski”, përfundoi Duro. Ndërkohë, Flamurtari është stërvitur dje gjatë paradites. E ndërsa njoftimi nuk kishte ardhur ende në klub për shtyrje të ndeshjes, ekipi i Duros ka vijuar programin. Stërvitja është zhvilluar në fushën e “Pyllit të Sodës”. Pas ndryshimit të programit, kuqezinjtë do të stërviten sot dhe nesër në Vlorë. Nuk dihet nëse do të grumbullohen një ditë para ndeshjes në Gjirokastër apo do të udhëtojnë të hënën. Afërsia gjeografike me qytetin e gurtë ua lehtëson udhëtimin vlonjatëve.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"