Shtohen hallet për Bubeqin, mungon edhe kapiteni i Besës për ndeshjen me Lushnjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2022 | 11:28

Shtohen hallet për Bubeqin, mungon edhe kapiteni i Besës për ndeshjen me Lushnjen

Shtohen hallet për Dorjan Bubeqin. Besa nuk i kishte bërë mirë llogaritë dhe listës së të skualifikuarve i bashkëngjitet edhe kapiteni. E thënë ndryshe, veç Flavio Meçjes në sulm, nuk do të luajë as Ledion Muçaj në mesfushë kundër Lushnjës. Për kontingjentin që kavajasit kanë, vështirësia shtohet. Vetë kapiteni shpreh keqardhje që e humb këtë transfertë, por mundohet që të karikojë ekipin.

besa

Për “Panorama Sport” ai thotë se do të jetë në tribunë për t’i dhënë zemër e mbështetur.

“Do të isha naiv të mos pranoja se 2 mungesa për Besën në këtë situatë janë shumë. Nuk po flas për veten, për përvojën time, por edhe të Meçjes që po kalon një formë të shkëlqyer dhe është rritur mjaft. Kjo nuk do të thotë aspak se meqë mungojmë ne, ekipit do t’i mungojë ambicia për të dhënë më të mirën. Në ekip ka lojtarë me përvojë, si portieri Dobjani, Perja, Kukaj, Hyseni, Hoxha e të tjerë. Në futboll asnjëherë nuk thuhet kurrë.

Mësimi më i mirë që morëm ishte Pogradeci ku nga 2-3 gola të sigurt tanët në fillim, fundi ishte i pabesueshëm, 0-3 për miqtë”, tha Muçaj. Mesfushori është ndeshur kundër Lushnjës me disa fanella dhe analizon pritshmëritë e kësaj përballjeje:

“Nuk është më ajo Lushnjë e fazës së parë. Ne kishim në ekip yllin e tyre Cankën. Tani ai është kundërshtar dhe fatkeqësisht na njeh ‘dhëmbë e dhëmballë’. I druhem shumë ndonjë ‘kafshimi’ të tij, pasi i mjafton një rast e të djeg.

Lushnja këto javët e fundit ka ndryshuar tërësisht. Këtë e di më mirë se unë trajneri Bubeqi, dikur ish–lideri golashënues i lagunarëve.

Unë di të them se Besa dhe Lushnja janë dy ekipe që janë ndeshur shumë herë bashkë e ku gjithmonë ka pasur befasi. Ashtu sikurse mendoj, të dyja ekipet nuk duhet të ishin në këtë renditje që kanë sot.

Do të jetë një ndeshje e vështirë vërtet, ku sipas meje, pres që të mos ketë dominim nga asnjëra palë dhe fragmentet të përcaktojnë fatin e saj”, përfundoi kapiteni.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"