Shtangë, Qerimaj dhe Brahja më të mirët e kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2019 | 23:22

Shtangë, Qerimaj dhe Brahja më të mirët e kampionatit

Në kryeqytet u zhvillua dje Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes për të rritur. Pallati i sportit “Asllan Rusi” priti më të mirët e shtangës shqiptare, të cilët matën forcat në eventin më të rëndësishëm kombëtar, që këtë edicion përkonte me 70-vjetorin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

erkand qerimaj

102 sportistë femra dhe meshkuj u ngjitën në pedanë për të dhënë më të mirën e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm. Ashtu siç është bërë traditë së fundmi, nuk munguan as sportistët grekë, të cilët janë bërë pjesëmarrës në këtë event në kuadër të bashkëpunimit të dy federatave.

Gjithçka nisi në mëngjes me peshimin e më pas ishte radha e femrave. 45-vjeçarja e Teutës, Shqiponja Brahja, tregoi një formë të shkëlqyer dhe ishte pikërisht ajo që u zgjodh sportistja më e mirë e aktivitetit. Ra në sy edhe Klepatra Saliaj e Apolonisë, e cila, përveçse u shpall kampione në peshën e saj, vendosi edhe një rekord të ri kombëtar për moshën U-20 në stilin e shkëputjes. Në rang ekipor për femra kampion u shpall Partizani, në vend të dytë u rendit Tirana, ndërsa në të tretin ekipi “Dritan Kalemi”. Më pas ishte radha e meshkujve, aty ku sportisti më i mirë u shpall Erkand Qerimaj.

Shkodrani i skuadrës së Tiranës, i cili garon në kategorinë e peshave 81 kilogramë, i realizoi me sukses të gjitha provat, duke regjistruar 157 kg në stilin e shkëputjes, 187 kg në shtytje, duke ngritur gjithsej në dygarësh 346 kg. Një rezultat i shkëlqyer për shtangistin 30-vjeçar, në prag të Kampionatit Botëror që do të mbahet në shtator në Tajlandë, aty ku Qerimaj do të kërkojë të sigurojë edhe kualifikimin për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Capture

Ndërkohë, Briken Calja, i cili garoi gjithashtu na kategorinë e peshave 81 kilogramë, nuk kërkoi të rrezikonte, duke qenë se e gjithë vëmendja e tij është e fokusuar në Botërorin e Tajlandës. Ai realizoi gjithsej vetëm dy prova. Ndërsa Edison Nela i Tiranës vendosi një rekord të ri kombëtar për të rritur në shtytje, duke ngritur 162 kg. Skuadra e Tiranës u shpall kampione për meshkuj.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"