“Shqipëria pa medalje prej Gjozës”, trajneri Toska: Calja, pre e mashtrimit. Pse janë kaq të babëzitur këta njerëz?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2021 | 22:11

“Shqipëria pa medalje prej Gjozës”, trajneri Toska: Calja, pre e mashtrimit. Pse janë kaq të babëzitur këta njerëz?

Leonard Toska, trajneri më të cilin Briken Calja hodhi hapat e parë në peshëngritje dhe që punoi për vite me radhë te skuadra e Shtërmenit, ka mbetur i tronditur nga ajo që ndodhi në Lojërat Olimpike. Ish-trajneri i kombëtares sonë të shtangës akuzon hapur presidentin e FSHP-së, Elez Gjoza, ndërsa e konsideron një turp të madh faktin që Calja garoi në “Tokio 2020” pa pasur pranë trajnerin e tij, Gerald Toska.

Peshengritje-LEONARD-TOSKA-trofete

Trajneri shtërmenas shprehu të gjithë indinjatën e tij në një prononcim për “Panorama Sport”, teksa deklaroi: “Unë jam trajneri i parë që ka punuar me Brikenin dhe që e kam nxjerrë si peshëngritës. Çdo gjë mund të ndodhë në Shqipëri, por që presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza dhe presidenti i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, të bëheshin trajnerë të kombëtares, nuk mund ta kisha imagjinuar kurrë.

Pse janë kaq të babëzitur këta njerëz dhe nuk mbajnë postet që u takojnë. Trajneri i kombëtares bën sakrifica, derdh djersë gjatë gjithë vitit dhe vijnë këta njerëz dhe i zënë vendin. Nuk e di se nga na u bë trajner Elez Gjoza! Ajo që ndodhi në Tokio është një turp i madh për vendin tonë. Më kanë kontaktuar shqiptarë nga e gjithë bota, duke më thënë se si ka mundësi që të ndodhë kjo?! Por me sa duket, kjo është zgjedhja e sportistit dhe nuk ke çfarë t’i bësh, pasi ka rënë pre e mashtrimeve të Elez Gjozës”, tha Leonard Toska.

STRATEGJIA E GABUAR- Trajneri i Shtërmenit më tej e quan hero Caljen, ndërsa trondit me deklaratën e tij, ku thotë se ishte strategjia e Elez Gjozës, ajo që i hoqi medaljen historike Shqipërisë në Lojërat Olimpike: “Briken Calja ka bërë garë heroike, por keqmenaxhimi i trajnerit të kombëtares Elez Gjoza e penalizoi. Nuk kishte pse të gjuante 155 kg, kur atij i mjaftonin 152 apo 153 kg për medaljen e bronzit. Kjo ishte një marrëzi që të kërkosh nga 151 kg në 155 kg, duke e ditur që dështove në provën e parë. Por Brikeni u tregua hero dhe arriti që të ngrejë 190 kg në shtytje, ndërsa strategjia e Gjozës ishte vërtet e turpshme dhe i kushtoi medaljen Shqipërisë”.

Leonard Toska është i bindur se me trajnerin e tij pranë, Briken Calja do të kishte arritur rezultat edhe më të lartë: “Nuk diskutohet që nëse do të kishte trajnerin, do të regjistronte rezultat më të lartë. Vetëm mënyra se si e ka stërvitur trajneri, aroma, fjala apo toni i tij janë thelbësore për sportistin në garë. Trajneri ka vite që e stërvit, por siç e thashë, me sa duket, do të ketë rënë pre e mashtrimeve të Elez Gjozës!”.

PRECEDENTI I RREZIKSHËM- Leonard Toska shpreh gjithashtu shqetësimin e tij për mënyrën se si po funksionin skuadra kombëtare, me presidentin Gjoza që bën edhe trajnerin e ekipit, gjë që mund të lë pasoja edhe për garat e ardhshme: “Unë kam një tjetër sportist që është grumbulluar me kombëtaren dhe do të shkojë në Varshavë më datë 20, i cili është pretendent për kampion Europe, ndërsa unë kam të drejtën të jem trajner i tij në këtë aktivitet”.

Toska e mbyll prononcimin duke zbuluar për gazetën arsyen pse, sipas tij, është larguar nga roli i trajnerit të përfaqësueses: “Nuk jam më trajner i kombëtares, sepse i kam thënë hapur të gjitha allishverishet dhe poshtërsitë që bëhen. Nuk jam më trajner, sepse gjatë asamblesë zgjedhore, ku isha kryetar komisioni, Viktor Tushen, që sot është i arrestuar, unë e nxora nga salla. Me sa duket, u ka mbetur hatri për këtë”, përfundoi Leonard Toska.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"