Shpërthen Ançeloti: Lojtarët ankoheshin tek drejtuesit kur i lija në stol, Bajerni nuk më mbrojti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2017 | 20:13

Shpërthen Ançeloti: Lojtarët ankoheshin tek drejtuesit kur i lija në stol, Bajerni nuk më mbrojti

Tani që emocionet e shkarkimit të tij e kanë humbur forcën e momenteve të para, Karlo Ançeloti e ka më të lehtë të flasë për vendimin e drejtuesve të Bajernit në tetor dhe t’u lëshojë ndonjë shigjetë miqve të tij, Rumenige dhe Hënes. Trajneri italian është ankuar për herë të parë për mungesën e mbështetjes nga hierarkia e klubit gjerman.

Anceloti dhe Riberi

58-vjeçari fajëson pikërisht këtë gjë për dështimin e aventurës së tij në Mynih pas humbjes kundër PSGsë në ndeshjen e parë të Champions-it. Ançeloti humbi respektin e lojtarëve të tij, të cilët e fajësuan direkt për problemet e javëve të fundit. Edhe trajneri aktual, Jup Hejnkes, e kritikoi që nuk transferoi një sulmues të dytë, ndërsa Levandovski shtoi se ishte pikërisht italiani përgjegjës për dëmtimet e tij muskulore. Por ishtekniku i Milanit, Realit, PSG-së dhe Çelsit, ka një tjetër mendim për mënyrën se si shkuan gjërat në “Allianz Arena”: ato janë kërkesat e klubit për të ndryshuar stilin e drejtimit të tij dhe humbja e respektit të lojtarëve në dhomën e zhveshjes.

“Unë kam një metodë pune që nuk e ndryshoj”, tha Ançeloti, i ftuar gjatë së dielës në programin sportiv të Raidue, “Domenica Sportiva”. “M’u kërkua që ta ndryshoj atë. Nëse klubi nuk të mbron, atëherë je i vdekur. Nëse lije një lojtar jashtë, ai shkonte dhe i ankohej klubit dhe merrte zemër prej tyre. Por kjo bën që ti të humbasësh respektin përpara lojtarëve të tjerë. Dhe ta merrje veten pas kësaj, ishte e pamundur. Sipas medias, unë u shkarkova nga Bajerni sepse kisha 5 lojtarë kundër”.

Anceloti

Sot situata e rekordmenëve gjermanë ka pësuar një kthesë, pasi Hejnkes zëvendësoi Karleton në stol: 72-vjeçari ka humbur vetëm 1 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Por italianit i vjen mirë që skuadra është rikthyer të dominojë Bundesligën përsëri: “Jup ka arritur që t’i udhëheqë drejt rrugës së duhur. Ai ka sjellë rregull dhe disiplinë. Atmosfera është përmirësuar dhe është bërë përsëri familjare. Ai po punon shumë mirë”. Ançeloti zbuloi edhe refuzimin e vendit vakant në stolin e kombëtares italiane dhe sqaroi se nuk është i interesuar për të marrë drejtimin e asnjë klubi deri në fund të sezonit.

Por një këshillë trajnerit të ri të Milanit, Xhenaro Gatuzo, ai nuk ia kurseu: “Janë trajnerët ata që fajësohen kur gjërat nuk funksionojnë. Një gjë do t’i them Xhenaros: ‘më mirë të dështosh duke u qëndruar besnik ideve të tua, se sa të fundosesh me ato të të tjerëve'”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"