Shmanget analiza, te Kukësi të gjithë në provë deri në dhjetor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2019 | 15:54

Shmanget analiza, te Kukësi të gjithë në provë deri në dhjetor

Kukësi “arkivon” humbjen me Laçin. Skuadra ka nisur përgatitjet dje në mëngjes, me një seancë në 10:30. Që të gjithë lojtarët janë vënë nën urdhrat e Shpëtim Duros, duke përjashtuar Omar Kamaran të larguar.

kukesi

Analiza e programuar për dje është shtyrë. Shkak është bërë mungesa e presidentit Safet Gjici, i cili ka dashur që të jetë vetë prezent.

EKIPI NË PROVË 

Kreu i klubit ka qenë mjaft i nervozuar dhe i zhgënjyer nga humbja e fundit. Përtej penalltisë së kontestuar, performanca e skuadrës ka lënë për të dëshiruar. E megjithatë pakënaqësia është e mbartur, pasi presidentit nuk i ka pëlqyer aspak ecuria në kompleks e këtij sezoni. Rezultatet e marra janë larg pritshmërive, e sidomos humbjet kundër Bylisit, Teutës e Vllaznisë. 18 pikë nga 36 të mundshmet janë pak për nënkampionët.

kukesii

Duke parë vendin në renditje, numrin e pikëve të grumbulluara dhe sidomos diferencën me katër pikë ndaj Partizanit, kanë bërë që klubi t’i bëjë llogaritë mirë për objektivat. Gjici ua ka bërë me dije drejtueseve se do të raportojnë me detaje për performancën e çdo lojtari, e më pas do të vendoset se kush do të qëndrojë apo do të largohet në merkaton e janarit. Pra, të gjithë duhet të tregojnë veten gjatë këtyre ndeshjeve të fazës së dytë. Të gjithë do të jenë në provë. Kreu i Kukësit ka kërkuar 4 fitore në po kaq ndeshje, një objektiv mjaft sfidues për trajnerin Duro dhe lojtarët. Kukësi ka afruar emra me potencial si Kristal Abazaj, Enis Gavazaj, Emiljano Musta etj, por ende nuk kanë shfaqur më të mirën e tyre.

SITUATA E DËMTIMEVE 

Kukësi ishte në disavantazh të plotë në takimin e fundjavës që sapo lamë pas, e kjo për shkak të numrit të lartë të mungesave. Plot 5 lojtarë të padisponueshëm e kushtëzuan jo pak edhe formacionin, Abazaj, Shkurtaj, Kamara, Limaj e Musolli nuk luajtën.

Katër të parët për shkaqe dëmtimi, ndërsa kapiteni i skualifikuar prej të verdhëve. Abazaj mungoi për shkak të shembjes dhe frakturës që pësoi në shtyllën kurrizore në Lushnjë në datën 3 nëntor. Pas disa ditëve pushim ai e ka kaluar dhimbjen e ka dalë në stërvitje. Shkurtaj qëndron jashtë që prej datës 28 tetor. Para nisjes së ndeshjes me Partizanin, sulmuesi pësoi tërheqje muskulore. Duket se edhe vlonjati e ka lënë pas dëmtimin, pasi përveç seancave stërvitore me ekipin, ai ka punuar ekstra në mënyrë personale. Kamara është larguar nga ekipi, ndonëse zyrtarisht ai është i dëmtuar.

Probleme në muskujt e rrëzave të kofshëve, por dhe nga muskujt e barkut, 21-vjeçari po vuan. Limaj gjithashtu ka pasur probleme me muskulin e pasmë të kofshës, e do të jetë gati për ndeshjen kundër Bylisit. Pauza e Kombëtares do t’i shërbejë shumë Kukësit për të rikthyer në gjendjen optimale të dëmtuarit. Trajneri Shpëtim Duro ndoshta do ta ketë më të thjeshtë ndeshjen e ardhshme, pasi do të ketë një grup më të plotë. Koha për të korrigjuar gabimet është e mjaftueshme, pasi ndalesa e kampionatit erdhi si me porosi.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"