Shkumbini hedh në “tapet” Elbasanin, dy afrikanët nderojnë peqinasit në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2019 | 17:23

Shkumbini hedh në “tapet” Elbasanin, dy afrikanët nderojnë peqinasit në derbi

Shkumbini ka mundur në derbi 0-2 Elbasanin, me golat e dy afrikanëve që kanë hedhur në tapet verdheblutë.

shkumbini-1

Golat e Marcelos dhe Ejoh në pjesën e dytë i dhanë fitoren skuadrës bardhekaltër, ndërsa elbasanasit treguan sërish se kanë ende shumë punë për t’u kolauduar deri në startin e kampionatit. Pas një pjese të parë të barabartë, në të dytën ra në sy loja e afrikanëve të afruar në Peqin nga menaxheri Alban Rexha, ndërkohë që Ferhati humbi një penallti në fund për elbasanasit.

NDESHJA – Minutat e para të ndeshjes ishin të qeta për të dyja ekipet, që u munduan më shumë ta qarkullonin topin në gjysmëfushat e tyre. Gjithsesi, gjatë këtij fraksioni loje nuk do të mungonin rastet për shënim, me peqinasit që i besuan në sulm Mustafajit, i cili ishte një rrezik konstant. Nga ana tjetër, Balla kishte mundësinë më të mirë për verdheblutë që t’i kalonte në avantazh, por goditja e tij në zonë përfundoi mbi tra.

Në të dytën, trajnerët Shkëlqim Lleshanaku dhe Sokol Branica bënë shumë ndryshime, me peqinasit që aktivizuan katër futbollistë afrikanë. Dy prej tyre shkëlqyen me nga një gol, por edhe me raste të tjera të krijuara në portën e Elbasanit. Janë lojtarë që po testohen nga stafi teknik i Shkumbinit dhe me paraqitjen e djeshme mund të bëhen së shpejti zyrtarisht pjesë e peqinasve. Fillimisht, në minutën e 52-ë, pas një krosi nga e majta, Marcelo goditi fluturimthi dhe sfera u ndal në rrjetë.

Tetë minuta më pas, Majkëll Ejoh mori një top nga larg zonës, avancoi i vetëm deri sa doli përballë portierit, të cilin e kaloi pa vështirësi. Rezultati shkoi 0-2, me Elbasanin që nuk dukej kurrkund me nivelin e lojës, që ra shumë në krahasim me pjesën e parë. Elbasani kishte mundësinë të ngushtonte diferencën e golave në minutën e 89-të, por Hasanaj, i cili deri një javë më parë ishte pjesë e Elbasanit, i priti penalltinë Ferhatit. Është mbyllur gjithçka 0-2, me Shkumbinin që po rritet edhe falë merkatos që ka bërë ditët e fundit, ndërsa verdheblutë duket se kanë jo pak punë përpara. Për Shkumbinin luajtën në pjesën e dytë edhe lojtarët e zyrtarizuar së fundmi, Gjyla dhe Bakiasi.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"