Shkroi historinë duke fituar Champions-in, kapitenia e Kombëtares nis aventurën e re në Seria A1

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2019 | 22:00

Shkroi historinë duke fituar Champions-in, kapitenia e Kombëtares nis aventurën e re në Seria A1

Pasi një sezoni fantastik ku u bë e para volejbolliste shqiptare që fiton trofeun e Ligës së Kampioneve, tashmë për Erblira Bicin nis një aventurë e re. Kapitenia e Kombëtares së femrave, pas përfundimit të kontratës me Novarën, duke nisur nga sezoni 2019-2020 do të jetë pjesë e një tjetër klubi që militon në Serinë A1 në Itali.

erbliraa bici

Bëhet fjalë për UYBA Volley, skuadër e cila do të ketë shërbimet e sulmueses kuqezi për sezonin e ardhshëm. Bici ka firmosur për një vit me klubin e qytetit të Varezes, me opsion edhe për një sezon të dytë. UYBA Volley është një ekip relativisht i ri, i krijuar në vitin 1998, ndërkohë në sezonin që sapo u mbyll u rendit në vendit e pestë në elitën e volejbollit të femrave në Itali, si dhe shkëlqeu në Europë duke fituar “CEV Cup”.

Por, kjo skuadër vjen edhe me më shumë ambicie këtë vit, ku pasi ka konfirmuar lojtaret më të mira, po bën gjithashtu edhe një merkato të fuqishme. UYBA Volley ka emëruar edhe trajnerin e ri që do të jetë Stefano Lavarini. Kujtojmë se kjo është eksperienca e tretë në radhët e skuadrave italiane për Erblira Bicin, ku pasi u largua nga kampionati shqiptar, ajo luajti fillimisht për 2 sezone në A2 te Mondovi.

erblira bici

Ndërsa vitin e kaluar u aktivizua në A1 me Novarën, skuadër më të cilën fitoi Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Italisë, si dhe u shpall nënkampione në Serinë A1. Me këtë lëvizje, Erblira Bici kërkon që të aktivizohet më shumë dhe sigurisht duke qenë pjesë një prej kampionateve më të forta në botë, siç është ai i vendit fqinj.

FLET BICI

E kontaktuar nga “Panorama Sport”, Erblira Bici flet për aventurën e re që do të nisë në radhët e UYBA Volley. “Është ekipi i qytetit të Varese në Itali dhe do jem përsëri pjesë e një klubi nga rajoni i Piemontes. Kjo skuadër ka qenë e interesuar dhe vjet gjatë sezonit për të më afruar, por tani u arrit akordi. Me pëlqen ekipi, pasi ka të njëjtën bazë që ka pasur vjet, por ka bërë edhe disa përforcime. Trajneri që është afruar këtë vit është një figurë e volejbollit botëror dhe sapo është kthyer nga kampionati brazilian”, rrëfen Bici Më pas, ajo flet edhe për kontratën:

erblira bici1

“Kontrata është 1+1, pra nëse të dyja palët do të jenë dakord, në fund të sezonit të ardhshëm mund të vazhdohet bashkëpunimi. Skuadra e Bustos luan dhe në Kupat e Europës dhe intensiteti do jetë i lartë”. Në fund, 23-vjeçarja deklaron se ka pasur oferta të shumta, por shpjegon edhe arsyen se përse zgjodhi pikërisht ekipin UYBA Volley:

Era Bici

“Oferta kam pasur dhe nga disa ekipe të tjera në A1 në Itali, gjithashtu nga kampionia franceze Cannes, si dhe nga klube turke, por mendoj se për të ardhmen time është vendimi i duhur, duke pasur parasysh që kampionati italian për momentin është më i forti në botë”. Kujtojmë se Erblira Bici aktualisht ndodhet në Shqipëri dhe do të jetë pjesë e Kombëtares së femrave në turneun ndërkombëtar që do të zhvillohet në Maribor të Sllovenisë më datat 24-28 qershor.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"