Shkëmbi kundër Shehit, dikur shokë ekipi… nesër kundërshtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2018 | 16:50

Shkëmbi kundër Shehit, dikur shokë ekipi… nesër kundërshtarë

Bledi Shkëmbi dhe Orges Shehi do të takohen sërish. Këtë herë jo si shokë skuadre, por si trajnerë. Prej shumë e shumë vitesh kanë mbrojtur ngjyrat e një fanelle, duke filluar nga Partizani, Besa dhe së fundi Skënderbeu. Madje, në Korçë arritën lavdinë. Të dy kanë mbajtur edhe statusin e “kapitenit” dhe të dy vendosën që të nisin një tjetër rrugëtim.

sHKEMBI SHEHI

Dy miq të mirë nesër do të jenë kundërshtarë. Miqësorja e programuar mes Teutës dhe Skënderbeut këtë të shtunë në orën 18:00, pritet me interes realisht të madh. Jo prej rezultatit, por për të parë në krye të pankinave dy ikona si Shkëmbi dhe Shehi, tashmë në rolin e trajnerëve.

Ky do të jetë testi i parë serioz për durrsakët, pasi më herët janë përballur me ekipin U-19 dhe Kastriotin (në të dyja kanë fituar). Interesante është fakti se Shkëmbi dhe Shehi kanë qenë shokë skuadre për 6 sezone radhazi nga viti 2010 deri në vitin 2016 ku arritën të fitonin gjithçka bashkë, përveç Kupës së Shqipërisë, trofe, të cilin bardhekuqtë e kanë fituar në edicionin e kaluar. Teuta vjen në këtë miqësore me shumë ndryshime, por me atë që ka treguar deri tani duket një ekip kompetitiv, ndonëse akoma nuk është përforcuar në të gjitha repartet.

Në mbrojtje priten dy afrime të rëndësishme, ndërsa në kohët e fundit mbrojtësi i Partizanit, Sodiq Atanda, është lidhur me bregdetarët. Edhe pse deri tani nuk ka pasur asnjë gjë zyrtare, ndoshta nga fakti se afrikani është i impenjuar në Europa League me “demat e kuq”.

Ndeshja me Skënderbeun do të tregojë pikat e dobëta dhe të forta të skuadrës dhe repartet ku duhet të përforcohen. Gjithsesi duke u bazuar te deklarata e dhënë prej vetë trajnerit ditë më parë, pritet që të vijnë vetëm lojtarë cilësorë që mund të bëjnë diferencën.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"