Shkëmbi: Dua fitore cinike, Tiranës s’i zë besë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2018 | 13:22

Shkëmbi: Dua fitore cinike, Tiranës s’i zë besë

Me moral dhe be simin e plotë, durrsakët e shohin me pozitivitetin e duhur ndeshjen përballë Tiranës. Dhe po me të njëjtën energji, tekniku korçar Bledi Shkëmbi u ka kërkuar të tijve maksimumin, përqendrim dhe të japin 120% e tyre në fushën e lojës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, tekniku korçar Blendi Shkëmbi flet pa doreza për skuadrën e tij dhe pritshmëritë që ka ai për ndeshjen me Tiranën.

shkembi
Skuadra vjen pas tri rezultateve pozitive, do të ruhet ky trend?

Normalisht, vijmë pas disa rezultateve pozitive që na kanë dhënë siguri. Krijuam vazhdueshmërinë dhe mendoj që do arrijmë ta ruajmë këtë ecuri, pasi kemi punuar mirë dhe me përkushtim. Nuk shoh asnjë pengesë që të mos e vazhdojmë këtë trend. Shpresoj që puna jonë të pasqyrohet dhe shpërblehet. Në fund të marrim rezultat pozitiv dhe po ashtu tri pikët.

Tirana ka pësuar shumë ndryshime në stol dhe formacion gjithashtu.

Situatën te skuadra e Tiranës nuk e di sesi është, por e di që ka ndryshuar timonierin e saj dhe shoh që trajneri i ri ka sjellë tek ajo skuadër një frymë pozitive. Një entuziazëm tjetër, por ajo çka më intereson mua është që ekipi im të jetë në maksimumin e tij, pavarësisht formës apo ecurisë së kundërshtarit. Tirana është një ekip i fortë dhe nuk e shoh aspak një ndeshje të lehtë përballë tyre. Ne kemi respektuar çdo kundërshtar, pa u bazuar te renditja apo asnjë statistikë tjetër, sepse nuk ka asnjë kundërshtar të lehtë dhe jemi një klub që, e theksoj, i marrim ndeshjet me radhë.

Sa e ngroh Shkëmbin gjendja e mbrojtjes, pasi në tri ndeshje është pësuar vetëm një gol?

Në fakt, nuk jam një person që shikoj shumë statistikat apo të bëj diferenca në repartet e skuadrës. Unë i shikoj të gjithë futbollistët që kam në dispozicion. Si ata që luajnë, apo dhe ata që kanë pak minuta dhe shoh një grup të plotë që po funksionon si një i tërë dhe kjo është ajo që unë kam dashur. Në rast se ekipi shënon një gol, mendoj se merita është e të gjithëve. Po ashtu edhe për mbrojtjen, meritën e kanë të gjithë nëse kemi ndërtuar këtë statistikë.

Mendoni se ndryshimi në skemën e lojës me Osmanin përpara mbrojtjes ka ndikuar në këtë statistikë?

Ndryshimi taktik me spostimin përpara mbrojtjes na ka dhënë më shumë siguri në qarkullimin e topit dhe po ecim mirë deri tani me këtë ndryshim. Ai ka eksperiencën e duhur për t’u përshtatur dhe për të dhënë kontributin e tij aty ku skuadra ka nevojë. Në futboll të jepet mundësia të korrigjosh diçka dhe normalisht provuam diçka të re ne skemat tona dhe thashë po bëjmë mirë. Deri në këto momente gjithçka po ecën siç duhet, pasi kemi pasur dhe defektet tona në disa raste. Çdo gjë varet nga ecuria e skuadrës javë pas jave dhe deri tani jam i kënaqur nga kjo skemë.

Ndryshimet në skemë kanë prekur sulmin. Tani luhet me dy sulmues…

Të gjithë marrin detyrat e tyre në çdo skemë dhe më vjen mirë që skuadra është përgjigjur edhe përshtatur e tëra në mënyrën më të mirë të mundshme. Luhet me dy sulmues dhe mendoj që jemi më të rrezikshëm dhe jemi më shpesh në zonën e kundërshtarit. Më vjen mirë që Progni dhe Latif janë përshtatur shumë mirë së bashku në sulm dhe po japin më të mirën e tyre.

A e ka marrë skuadra fytyrën që ju keni dashur në fillim të sezonit?

Kemi rritur nivelin e lojës në këto javë të fundit dhe pa dyshim që kemi marrë dhe rezultatet pozitive që na kanë ndihmuar ndjeshëm në moralin tonë. Mbyllëm një fazë të parë që ndoshta disa gjëra nuk duhet të shkonin ashtu siç shkuan. Gjithsesi, dhuruam ndeshje të bukura dhe ndeshje me ritëm dhe tani mendoj që në këtë fazë të dytë apo këtë pjesë të sezonit të korrigjojmë ato gabime që dhe t’i minimizojmë, në mënyrë që të ruajmë ecurinë tonë dhe të shohim vetëm përpara. Mund të jetë e vështirë të arrish të shkosh lart në renditje, por është akoma më e vështirë ta ruash ecurinë, ndaj na duhet vetëm punë dhe shumë djersë për të marrë nga ky kampionat atë që ne duam dhe kemi qëllim.

Më mirë një fitore cinike dhe me një lojë jo të bukur?

Nëse unë do ta di që do fitoj duke dhuruar një lojë cinike dhe jo shumë të bukur, do ta pranoja. Ajo çka ka më shumë rëndësi në futboll dhe që është kryefjala e këtij sporti janë pikët. Të fitosh duke qenë cinik apo duke luajtur mbrapa nuk është një siguri dhe nuk të krijon besim se mund t’ia dalësh. Personalisht, jam i mendimit dhe i qëndroj idesë që duhet të zhvillojmë një futboll tërheqës, një lojë të mirë me mundësitë që ne kemi dhe të marrim frytet në fund.

Do të luhen tri ndeshje në harkun e 10 ditëve…

Personalisht nuk i druhem aspak kësaj ngjeshjeje dhe, për mendimin tim, sa më shumë ndeshje për djemtë, aq më mirë është. Kemi një organikë të shëndoshë dhe të mirë dhe në një javë ku kemi tri ndeshje besoj se do t’u vijë mundësia të gjithëve të marrin minutat e tyre dhe të japin kontributin e tyre për skuadrën

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"