Shkëlqeu në ndeshjen e fundit, Asani: Ia dalim edhe në derbi me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2023 | 11:40

Shkëlqeu në ndeshjen e fundit, Asani: Ia dalim edhe në derbi me Teutën

Lojtari i krahut të majtë, Xhelil Asani, shkëlqeu në ndeshjen e fundit të Erzenit, duke shënuar golin e parë dhe dhënë asistin për Kapllanin tek i dyti në barazimin ndaj Kastriotit. 27-vjeçari nga Kërçova, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur për ndeshjen e fundit, derbin me Teutën, si dhe vazhdimësinë e sezonit.

asani

Asani, gol dhe asist ndaj Kastriotit. I kënaqur me barazimin apo i mërzitur që latë 2 pikë?

Jam i lumtur për golin dhe asistin me Kastriotin, por do të isha më i lumtur nëse do të kishim marrë 3 pikët. Edhe pse luanim në një fushë të vështirë dhe kundër një kundërshtari mjaft të fortë, duke parë se si shkoi ndeshja, na kënaq edhe barazimi.

U rikthyet pas një dëmtimi dhe për më tepër ndaj Kastriotit pritej ta nisnit nga stoli, por dëmtimi i Krasniqit ju hodhi në fushë në momentet e fundit…

Isha jashtë për pak kohë për shkak të një dëmtimi në kavilje, por shyqyr Zotit nuk ishte diçka shumë serioze dhe tani jam mirë. Unë jam i gatshëm në çdo moment të kontribuoj për skuadrën, kurdo të ketë nevojë. Në formacion apo në stol, këtu të gjithë jemi për një qëllim dhe të japim kontribut.

Ndeshja e radhës ndaj Teutës, një ekip që ju eliminoi nga Kupa. Si e shikoni këtë sfidë derbi?

Vetë fjala derbi dihet se çfarë rëndësie ka ndeshja. Luajmë në një ditë të favorshme dhe besoj se tifozët tanë do të jenë në numër shumë të madh, siç jemi mësuar t’i shohim në çdo ndeshje. Normalisht presim rezultat pozitiv dhe jemi të fokusuar maksimalisht për këtë takim.

Në 5 ndeshjet e fundit për vitin 2023, keni shënuar 8 gola dhe keni pësuar 7. Si një lojtar i krahut të majtë që ndihmoni ekipin në të dyja fazat e lojës, çfarë ju thonë këto shifra?

Duke luajtur futboll të hapur kemi prodhuar lojë dhe shënuar, por edhe kemi pësuar. Normalisht do të mundohemi t’i përmirësojmë gabimet që të pësojmë sa më pak dhe të shënojmë sa më shumë gola.

R. FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"