“Shfryn” Nexhat Bizhdili: Erzenit i japin penallti si “karamele”, ja paralajmërimi për FSHF-në

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 14:41

“Shfryn” Nexhat Bizhdili: Erzenit i japin penallti si “karamele”, ja paralajmërimi për FSHF-në

Kur janë mbyllur 6 javë kampionat, presidenti jep një apel të fortë. Në mungesë të VAR-it, pret që FSHF-ja të kthejë vëmendjen te Kategoria e Parë dhe mbajë në vëzhgim arbitrat. Besa e ka nisur me pretendime madhore këtë sezon dhe me garën që po bëhet gjithnjë e më e ashpër, ai i frikësohet asaj që mund të ndodhë nën rrogoz.

Bizhdili

Ndaj, e ka parë të udhës që të japë një paralajmërim enkas për “Panorama Sport”. Gjatë kësaj interviste, evidenton se po krijohet një tendencë pabarazie me penalltitë. Ka folur hapur, aq sa përmendi Erzenin si një nga ekipet që po i akordohen 11-metërshat si “karamele”. Ai thekson se ka marrë 6 të tilla në po kaq javë të luajtura.

Kërkuat që të prononcoheni pas 6 javëve të para të kampionatit, pasi keni disa dyshime. Çfarë konkretisht?

Besa dhe unë dimë t’i respektojmë të gjitha ekipet, arbitrat, tifozët e mbi të gjithë garën e ndershme. Por, teksa sheh që në 6 javët e luajtura disa ekipe përfitojnë penallti si të ishin “karamele”, nuk kam se si të mos ndiej keqardhje. Po qartësoj opinionin tim bazuar në fakte. Konkretisht, Erzeni në 6 javë ka përfituar 6 penallti. Madje, nga dy të tilla në dy raste. Në Peqin, ndaj Shkumbinit humbi 3-2, ndërkohë që njërën nga penalltitë e shpërdoroi. Edhe ndaj Pogradecit, shijakasit kanë fituar nga dy penallti të cilat i realizuan. Kur në 6 javë një ekip fiton gjashtë penallti, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë në 24 javët e tjera.

Mendoni se po krijohet një tendencë pabarazie në Kategorinë e Parë?

Po, ekzaktësisht kështu. Veç penalltive, shoh që favorizohen edhe disa ekipe të tjera.

Mund të ndikojnë këto direkt në verdiktet finale?

Një tjetër fenomen është edhe ndëshkimi me kartonë të verdhë apo të kuq. Po futet edhe ky fenomen në llogaritë e qëllimit final të një ndeshjeje, që janë sigurimi i fitores dhe pikëve maksimale. Por kjo në kurriz të dobësimit të ekipeve. Këto lloj ndëshkimesh shpeshherë do t’i cilësoja të çuditshme.

Prisni zgjidhje për këtë fenomen?

Dua ta paralajmëroj FSHF-në që të ketë më tepër vëmendje për Kategorinë e Parë. Këtu nuk ka VAR për arbitrat, ndaj të mos i neglizhojnë problematikat që po lindin javë pas jave.

Besa juaj si po i përballon këto dukuri?

Ajo që Besa ime bën më mirë, madje se çdo ekip tjetër, është pranimi i verdiktit që prodhon fusha. Ne dimë t’u shtrëngojmë dorën kundërshtarëve, kur ata vërtet e meritojnë fitoren. Kategoria e Parë me 16 ekipe është bërë më interesante, por secili duhet të marrë atë që meriton dhe gara nuk duhet të kompromentohet në asnjë rast e prej askujt.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"