Shfaqen anglezët, fillojnë të ngjallen shpresat e rimëkëmbjes së Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2017 | 18:34

Shfaqen anglezët, fillojnë të ngjallen shpresat e rimëkëmbjes së Elbasanit

Në Elbasan janë të bindur se përfundimisht klubi do të kalojë në pronësi të anglezëve. Burime zyrtare nga klubi i Elbasanit pohojnë për “Panorama Sport” se kjo është një çështje që nuk ka më kthim pas, përpos aludimeve që janë bërë shpesh gjatë kësaj periudhe “thatësire” për sa u përket të rejave më të fundit nga kampi verdheblu.

Elbasani

Të njëjtat burime konfirmojnë se gjatë këtyre ditëve janë duke u bërë procedurat e fundit për kalimin e 46 për qind të aksioneve që zotërohen nga Arben Laze, pasi fillimisht kompania “Manchester Group” zyrtarizoi 54 për qind që zotëronte Bashkia Elbasan.

Mësohet se kjo vonesë ka ardhur për çështje proceduriale dhe burokratike, siç ndodh rëndom në vendin tonë, për më tepër që është për herë të parë që aksionet e një klubi futbolli kalojnë në pronësi të pronarëve të huaj. Me zyrtarizimin e blerjes së aksioneve të Lazes, që ka gjasa të ndodhë brenda pak ditësh, pasi palët kanë mbyllur pothuajse çdo detaj që mund të mos binin dakord, pritet të nisë edhe puna për sezonin e ri futbollistik.

INVESTIMET

Klubi i futbollit të Elbasanit do të ketë pronarë të huaj, por gjithsesi kjo gjë nuk nënkupton automatikisht se do të ketë investime, edhe pse shpresat për rimëkëmbje janë shumë të mëdha. Burime të gazetës pohojnë se qëllimi i anglezëve është ta rikthejnë Elbasanin në një të ardhme të afërt në majat e futbollit shqiptar, ndaj për këtë arsye kanë ndër mend të investojnë për t’ia arritur qëllimit.

Duke qenë se janë ende në kohë për të ndërtuar një skuadër pretendente për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, ky do të jetë synimi afatshkurtër për anglezët, për të punuar më pas më me qetësi për sa i përket rindërtimit të akademisë së klubit. Flitet edhe për investime në infrastrukturë nga ana e pronarëve të huaj, por gjithsesi të gjitha këto mbeten për t’u parë, pasi zhgënjimi në kampin elbasanas është shumë i madh, sepse sezonin e kaluar panë sesi skuadra e tyre u degdis në Kategorinë e Dytë.

HISTORIA ME AKSIONET

Po mbushet gati një vit kur në skenë dolën investitorë anglezë për të blerë klubin e futbollit të Elbasanit. Fillimisht me anë të kompanisë “Level Up Sa” firmosën kontratën për blerjen e aksioneve të klubit në masën 100 për qind. Mirëpo, pas disa muajve, kjo kontratë u bë “nul” dhe të huajt u regjistruan në QKB me emrin “Manchester Group”, për të rifirmosur edhe njëherë nga fillimi kontratën me të njëjtat kushte si më parë.

Fillimisht anglezët mbyllën zyrtarisht marrëveshjen për blerjen e maxhorancës së aksioneve që zotëroheshin nga Bashkia Elbasan në masën 54 për qind. Mirëpo, “odiseja” e zvarritjes burokratike, për sa u përket aksioneve, ka zgjatur deri në këto momente, ku kanë mbetur edhe detajet e fundit për të blerë zyrtarisht 46 për qind të Arben Lazes. Brenda pak ditësh pritet zyrtarizimi i pronarëve të rinj, ku do të marrë fund njëherë e mirë edhe historia me aksionet.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"