Shënon gola me peshë, Plaku: Mundësi historike, na ndryshon fatin e sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2021 | 0:21

Shënon gola me peshë, Plaku: Mundësi historike, na ndryshon fatin e sezonit

Sulmuesi i Teutës, heroi i përmbysjes së madhe në Andorrë, Sebino Plaku, ndihet i gatshëm për të ndihmuar “djemtë e detit” pasi e ka kaluar shqetësimin që pati para sfidës së parë me irlandezët. Për “Panorama Sport” sulmuesi 36-vjeçar analizon sfidën e nesërme ndaj Shamrok Rovers, si dhe flet edhe për vazhdimësinë e tij me Teutën. Plaku mendon se skuadra durrsake i ka të gjitha mundësitë që të bëjë historinë në Konferencë Ligë. Sulmuesi tashmë e ka kaluar më të vështirën dhe është gati për të ndihmuar Teutën fillimisht në ndeshjen e kthimit ndaj irlandezëve, si dhe në sezonin e ri.

Plaku Teuta

Sebino, si ndiheni tani dhe a jeni gati për ndeshjen e nesërme?
Jam shumë më mirë, pasi kemi bërë një rikuperim rekord dhe jam stërvitur maksimalisht me ekipin këto ditë. Jam plotësisht gati për këtë ndeshje kaq të rëndësishme për Teutën në Europë.

Dygolëshi në Andorrë ju motivon që të bëni një tjetër përmbysje edhe ndaj Shamrok Rovers?
Të them të drejtën po, pasi ndeshje të tilla të motivojnë shumë, aq më shumë që për ne është vendimtare kjo sfidë. Dhe nëse ia arrijmë, mendoj se do të ndryshojë të gjithë rrjedhën e sezonit tonë, pasi na krijohet një mundësi historike.

Çfarë ndeshjeje prisni nesër dhe si është Shamroku në krahasim me Inter Eskaldes që u kualifikuat?
Mendoj se ndeshja me Shamrokun është specifike për nga stili i lojës ndryshe nga Inter Eskaldes. Ekipi andorrian ishte shumë agresiv, por njëkohësisht goxha të zgjuar për të ndërtuar kurthe në forma të ndryshme, ashtu siç bën në ndeshjen e parë me ne. Ndërsa Shamrok Rovers dukej tipik ai ekipi britanik, me stil loje të hapur, gjë që mendoj se na jep disa avantazhe. Gjithmonë duke mos i hequr asnjë nga vlerat e tyre si një ekip kompetitiv. Ne do ta shfrytëzojmë maksimalisht potencialin tonë, ndryshe me atë çfarë bëmë në Irlandë.

Kujt i druheni më shumë te kundërshtari irlandez?
Po t’u hyjmë detajeve, mendoj se i druhemi faktit që ato kanë një gol në avantazh dhe kjo ndoshta do të na japë pak më tepër presion. Pra, ndoshta do ta kenë më të lehtë për të menaxhuar këtë ndeshje. Ndaj, na duhet një punë e dyfishtë për të barazuar sa më shpejt situatën e golave dhe më pas të tentojmë ëndrrën tonë, për të kaluar më tej.

Sa shanse mendoni se ka Teuta për ta kaluar këtë tur dhe bërë histori në Konferencë Ligë?
Mendoj se ndeshje e parë na dha dhe tregoi shanset tona më këtë ekip, Deri para sfidës së parë kishim shumë të panjohura, si liga e tyre, gjendja aktuale, por edhe vetë stili i lojës. Mendoj së tashmë jemi më të qartë dhe besoj se do të kemi mundësi të ndërtojmë strategjinë tonë për të marrë më të mirën e kësaj ndeshjeje kaq delikate. Besoj se përballja e dytë do jetë një histori tjetër nga ajo e Irlandës.

Arapi deklaroi pak ditë më parë se ju kishte thënë para ndeshjes në Andorrë që bëni një sforco dhe na kualifikoni. Nëse ju kërkon të njëjtën gjë edhe para Shamrokut, çfarë do t’i thoni?
Me Arapin kuptohemi më një shikim, pasi kam një jetë që njihemi. Nuk ka nevojë të ma thotë. Por, fjalimet e tij për të gjithë grupin janë vërtet të domosdoshme, pasi duhet të ndërgjegjësohemi, sepse vërtet një ndeshje mund të ndryshojë rrjedhën e gjithë sezonit.

Me mënyrën si luan Teuta, e ndieni veten më mirë nga krahët e sulmit, në majë apo pas sulmuesit kryesor?
Futbolli i sotëm ka bërë që treshja apo katërshja e sulmuesve të kryejë rrotacion gjatë gjithë 90-minutëshit duke mos i dhënë pikë referimi ekipit kundërshtar. Kjo më ka ndihmuar dhe mua që të adaptohem në çdo pozicion të sulmit, si dhe me ka kompletuar dhe më tepër si lojtar.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"