Shënojnë nga mbrojtja në sulm, 11 autor të ndryshëm/ Interi kooperativë golash, Xheko udhëheq skuadrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2021 | 14:57

Shënojnë nga mbrojtja në sulm, 11 autor të ndryshëm/ Interi kooperativë golash, Xheko udhëheq skuadrën

Interi e mbylli sezonin e kaluar të Serisë A me 89 gola të shënuar, një më pak se Atalanta që kishte sulmin më të mirë të kampionatit. Shifra të çmendura për mentalitetin italian, ku fjalën e ka pasur gjithmonë mbrojtja. Këtë vit, ama rekordet duket se do të rriten. Zikaltrit po tregojnë që në fillim supremacinë e tyre në sulm duke arritur të shënojnë plot 18 herë në 5 javë. Me gola dhe spektakël, formacioni i Inzagit po bën më mirë edhe se ai i vitit të kaluar, kohë kur shpalleshin kampionë. 13 pikë kundrejt 10 të tillave të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që përmirësimi është ndjerë edhe në mbrojtje: 5 gola të pësuar ndaj 8 të sezonit 2020-2021, por ajo që bën më shumë përshtypje është padyshim sulmi, që pas largimit të Lukakut u duk se mbeti jetim.

inter

11 GOLASHËNUES – Reparti ofensiv humbi potencë me shitjen e belgut dhe pasojat pritet të ndiheshin që në fillim edhe pse nuk po rezulton kështu. Jo vetëm që mungesa e Lukakut nuk po ndihet, por Interi po bën më mirë se kurrë. Krijon më shumë, ka zhdërvjelltësi në lojë dhe është më i paparashikueshëm. Futbollistët argëtohen dhe po tregojnë se grupi vjen para gjithçkaje. Jo më kot golat vijnë nga çdo repart. Paradën e rrjetave e ka nisur pikërisht një mbrojtës: Shkriniari realizoi në minutën e 6 të ndeshjes së parë kundër Xhenoas dhe e bëri përsëri kundër Bolonjës.

Pikërisht kundër kësaj të fundit gjeti golin edhe Dimarko që bashkë me Perisiçin e Darmianin plotësojnë autorët e golave të ardhur nga mbrojtja. Çalhanoglu e Barela kanë nderuar mesfushën, ndërsa nga treshja e titullarëve vetëm Brozoviçi nuk ka shënuar ende. Inzagi ka gjetur shpëtim edhe te zëvendësuesit Vidal e Vesino, të cilët me realizimet e tyre kanë qenë shumë të rëndësishëm për ekipin. Normalisht që më mirë se sulmuesit askush nuk mund të japë shfaqje në zonën kundërshtare dhe mes Xhekos, Lautaros e Korreas janë plot 9 gola, gjysma e atyre aktualë. “Demi” është veteran te zikaltrit edhe pse moshën për të qenë e ka boshnjaku, por afrimet e merkatos po tregojnë të jenë po aq të rëndësishëm sa Lautaro.

EFEKTI XHEKO – Ai që ka pasur më shumë ndikim deri tani është pikërisht 35- vjeçari. Me katër golat e tij është ai udhëheqësi i këtij Interi duke vënë në dispozicion të ekipit eksperiencën e tij të pafundme. Edhe pse mes dyshimeve si pasardhës i Lukakut po provon të jetë gjithmonë e më vendimtar, në një mënyrë ndryshe nga ajo e belgut, por gjithsesi me të njëjtin rezultat ose edhe më mirë. Kimia me Lautaron është aty, gati për ta shfrytëzuar sepse siç tha edhe vetë Xheko, bashkë me argjentinasin janë një dyshe kampionësh.

gol

Përgatiti: NISLI GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"