SHBA nuk i dha vizën Godellit, Elez Gjoza: E kthejmë sportistin, ndryshe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2017 | 13:41

SHBA nuk i dha vizën Godellit, Elez Gjoza: E kthejmë sportistin, ndryshe…

Presidenti i Federatës së Peshëngritjes Shqiptare, Elez Gjoza, ka deklaruar se vendi ynë do të përfaqësohet me pesë peshëngritës në Botërorin që do të zhvillohet në SHBA.

Elez Gjoza

“Pas suksesit në Europianin e zhvilluar në Durrës, ku ekipi ynë mori tri medalje ari, një tjetër sukses pritet edhe në Botërorin që do të zhvillohet gjatë këtij muaji në SHBA, ku 5 sportistët e zgjedhur kanë premisa për të thyer rekorde dhe për t’u kthyer me medalje që andej.

5 sportistë që e caktuar janë Daniel Godelli, Erkand Qerimaj dhe Briken Calja nga sportistët meshkuj, por në përbërje të delegacionit tonë janë dhe dy sportiste femra, Romela Begaj dhe Evagjelia Veli”, deklaroi fillimisht Gjoza.

Elez gjoza

ÇËSHTJA “GODELLI” – Policia e Elbasanit, disa vite më parë, gjatë një kontrolli në makinën e Godellit, gjeti dy pistoleta pa lejen përkatëse. Sportisti u shoqërua në komisariatin e këtij qyteti, por më pas ai doli i pafajshëm.

Kjo njollosje e figurës së tij bëri që trajneri dhe të afërmit të deklaronin për mediat se ky incident absurd dëmtoi jo vetëm imazhin e sportistit, por gjithë peshëngritjen shqiptare. Duket se ky problem është ndezur sërish, pasi Ambasada Amerikane i ka refuzuar vizën amerikane shtangistit tonë për në Botërorin që zhvillohet në SHBA.

Daniel Godelli kampion Europe

APELI I GJOZËS – Lidhur me këtë problem presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, ka reaguar në mënyrë të menjëhershme dhe njëkohësisht i bën apel ambasadës që ta shohë me qetësi problemin e pajisjes me vizë të sportistit. Gjoza kërkon mirëkuptim dhe një zgjidhje të këtij problemi, sepse Godelli është shpresa më e madhe për rezultate të shkëlqyeshme të ekipit tonë në këtë Botëror. Presidenti i federatës ka bindjen se Godelli të jetë edhe kampioni i ri i botës, nëse ai do të jetë si pjesëmarrës në këtë Botëror.

“Federata Shqiptare e Peshëngritjes, në kuadrin e bashkëpunimit të ngushtë me Konsullatën Amerikane të akredituar në Shqipëri, është transparente lidhur me aplikimin e vizave për 5 sportistët tanë, por njëkohësisht edhe e shqetësuar për faktin e mospajisjes me vizë të një prej talenteve më të shkëlqyer të peshëngritjes sonë, Daniel Godelli.

gjoza qerimaj godelli

Për sa i përket përgjigjes së dhënë nga kjo ambasadë, që sportisti nuk ka treguar gjatë deklarimit se nuk garantohet kthimi në atdhe, deklarojmë jo vetëm moralisht dhe penalisht se sportisti ynë do të kthehet në Shqipëri e nuk ka mendime të tilla. Jemi ne, Federata e Peshëngritjes, garanti kryesor i shoqërimit gjatë gjithë aktivitetit, si dhe në kthimin e këtyre sportistëve.

Madje jam personalisht garanti dhe përgjegjësi nëse ndodh një gjë e tillë, deri në ndjekje penale. Prandaj mendojmë që, nëpërmjet kësaj deklarate, t’i bëjmë apel Ambasadës Amerikane që ta pajisë me vizë sportistin tonë”, u shpreh Gjoza për mediat.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"