Shameti nuk ia del, mungon ndaj Skënderbeut. Bakaj mban “peng” formacionin e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2017 | 18:02

Shameti nuk ia del, mungon ndaj Skënderbeut. Bakaj mban “peng” formacionin e Kukësit

Ylli Shameti është mungesa e madhe e Kukësit në ndeshjen e së hënës ndaj Skënderbeut. Dje u konfirmua zyrtarisht se mbrojtësi gjirokastrit e ka të pamundur të jetë i gatshëm për këtë takim pas dëmtimit që pësoi në sfidën e një jave më parë ndaj Laçit në stadiumin “Zeqir Ymeri”.

kukesi

Shameti bëri disa konsulta të specializuara mjekësore, me shpresën se deri të hënën do të riaftësohej plotësisht. Mirëpo, fati nuk ka qenë me lojtarin. Dëmtimi në thembër ka rezultuar më i rëndë nga sa parashikohej dhe të paktën 10 ditë qendërmbrojtësi duhet të qëndrojë jashtë fushave.

Mjekët ia kanë ndaluar kategorikisht stërvitjen, pasi hematoma mund të përshkallëzohet dhe dëmtimi kësisoj do të zgjaste edhe më tepër nga sa mund të parashikohej. Shameti mësohet se kishte shprehur dëshirën për të sakrifikuar, por në kushte të tilla, trajneri Milinkoviç e pa të arsyeshme që të mos rrezikohej me një prej liderëve të skuadrës, pasi sezoni është i gjatë, pavarësisht faktit që takimi me Skënderbeun mbetet i rëndësishëm.

Gjithsesi, pas këtij lajmi të keq, stafin teknik e gëzon forma e mirë e qendërmbrojtësit tjetër, Albi Alla. Ndërkohë, në vend të Shametit të dëmtuar, do të luajë durrsaku Rustem Hoxha. Edhe ky i fundit po kalon një moment të mirë dhe është një garanci për prapavijën e Kukësit.

DILEMAT

Trajneri serb i kampionëve në fuqi ka dilema të mëdha sa u përket lojtarëve që do të hedhë të hënën në fushë. Për momentin, ai që po mban “peng” formacionin është Elis Bakaj. Fantazisti u dëmtua në sfidën e Kupës ndaj Egnatias dhe ende nuk mund të thuhet nëse do ta nisë nga minuta e parë kundër Skënderbeut. 30-vjeçari nuk ka marrë përgjigje përfundimtare nga mjekët, ndërsa trajneri, edhe pse po provon në stërvitje formacionin e mundshëm, ende është me sytë nga Bakaj.

Pa fantazistin prishen planet e manovrës sulmuese, kështu që Kukësi është i detyruar të presë Bakajn deri në momentet e fundit. Edhe dje Bakaj ka kryer stërvitje i diferencuar, me vrapime të lehtë dhe ushtrime atletike. Ndërsa sa u përket lojtarëve të tjerë me probleme, portieri Koliçi dhe kapiteni Hallaçi, kanë marrë ngarkesë të plotë dhe janë plotësisht gati për kryendeshjen e javës së katërt ndaj korçarëve.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"