Sfida me Apoloninë, Ilir Gjyla: Sulmin e kemi skandal, por varemi nga… futbollistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2021 | 11:37

Sfida me Apoloninë, Ilir Gjyla: Sulmin e kemi skandal, por varemi nga… futbollistët

Lushnja është në pikë të hallit dhe vetëm një fitore me Apoloninë do t’i jepte qetësi. Rrezikohet seriozisht rënia, ndaj në Fier udhëtojnë për maksimumin. Këtë e thotë edhe Ilir Gjyla, ndonëse e di që e lehtë nuk do të jetë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri konfirmon edhe problemet me dëmtimet.

Ilir Gjyla Lushnja

“Të gjitha ndeshjet po rezultojnë vendimtare për ne, ndonëse kampionati është i gjatë. Jo se është fundi i botës, por nuk kemi pikë… Kjo edhe po na kushton. Me moshën dhe eksperiencën që kanë futbollistët e mi, janë të ngarkuar psikologjikisht. Ngarkesa e pikëve dhe mungesa e golit i ka rënduar.

Vërtet jemi mundur, por me Vorën ishim dobët shumë ama. Jemi munduar ta lëmë pas atë ndeshje. Ta harrojmë dhe të shikojmë përpara. Jemi përgatitur për Apoloninë, por kemi sërish mungesa. Monen nuk e kemi të rikuperuar, Zani është në 50% e tij. Nuk e di çfarë do të bëjmë deri nesër (sot), por do të japim më të mirën.

Presim reagim. Jo unë, por çdo trajner këtë do të thotë. Unë jam nga ata që e them hapur. Ne ndonjëherë varemi nga këmbët e këtyre sportistëve ose më saktë gjithmonë.

Ne japim aq sa mundohemi nga dijet tona, por në fushë luajnë ata. Unë e thashë herën e fundit, përmenda një emër, por atë ditë ishin të gjithë njësoj. I them ‘ik para’, ai ikën prapa. U them ‘bëj majtas’, ata bëjnë djathtas…

Në momentin që do të ketë një shthurje të tillë, ne mundohemi dhe e kemi dhënë në maksimum, të gjithë çfarë kemi, unë me stafin. Është e vërtetë që kemi bërë edhe ndeshje të mira, por edhe mungesat kanë bërë të vetën. Këtë javë nuk kam as Lajthinë në mesfushë, është i skualifikuar me 4 kartonë.

Veç organikës së cunguar, kemi problematika brenda. Sulmin e kemi skandal. Kjo kuptohet, se kemi bërë 6 gola. Kjo do të thotë që kemi prodhuar lojë. Kemi shkuar te porta, por nuk kemi shënuar.

Megjithatë, mendoj që të paktën të mos bëjmë gabimin tjetër. Të mos pësojmë prapa. Të jemi më të kujdesshëm dhe çdo gjë t’ia lëmë lojës”, përfundoi tekniku i verdhejeshilëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"