Sezon rekordesh, si Egnatia e bëri… “e treta e vërteta”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2023 | 14:57

Sezon rekordesh, si Egnatia e bëri… “e treta e vërteta”

Përtej shumë gjërave që Egnatia ka ditur t’i shpalosë me dinjitet në aspektin e komponentëve sportivë, janë edhe statistikat që dëshmojnë progresin e madh të bërë nga klubi rrogozhinas. “Panorama Sport” përcjell sot një rezyme shifrash, faktesh e kuriozitetesh që e bëjnë fantastike atmosferën e treguesve statistikorë që skuadra ka arritur të kryejë dhe kompletojë javë pas jave, duke bërë edhe krahasime me dy përvojat e tjera që ka pasur ekipi në elitën e futbollit shqiptar.

egnatia

FITORET – Në sezonin e parë elitar, 2004-2005, Egnatia fitonte vetëm 6 ndeshje në 32 javë. Sezonin e shkuar pati një përmirësim të vogël, pasi arriti të merrte 8 fitore. Ndërsa këtë kampionat, me 13 fitore deri tani, duket se po shkon drejt shumës dyfishe në raport me dy sezonet e tjera që kjo skuadër njeh nga përfaqësimet e saj në elitë. Kjo e bën Egnatian ta quajë të kapërcyer epitetin skuadër “modeste”.

PIKËT – Në sezonin që pati debutuar, në 32 javë Egnatia grumbulloi 24 pikë. Sezonin e kaluar 2021-2022 pati marrë vetëm 23 pikë, ndërsa aktualisht ka 49 pikë. Kjo kuotë është thuajse më tepër se të dyja shumat e pikëve të marra së bashku nga dy përfaqësimet e tjera.

GOLAT – Edhe në këtë tregues Egnatia ka bërë hapa vërtetë të mëdhenj. 22 gola kishte shënuar ekipi rrogozhinas në debutimin që u përket 18 viteve më parë. Në sezonin e shkuar në 32 javë ishin shënuar 28 gola, pra diçka më pak se një gol për ndeshje. Ndërsa këtë sezon shifra e 43 golave, tregon stilin sulmues që ka paraqitur skuadra.

BRENDA FUSHE – Fortësia në kushtet e nivelit shqiptar dikur ka qenë e matur më tepër me pikët shtëpiake. Rrogozhinasit në sezonin 2004-2005 merrnin në fushën e tyre 18 pikë. Vitin e kaluar patën një rënie në këtë tregues, pasi arritën më pak pikë sesa në debutimin e tyre (saktësisht 15 pikë), ndërsa këtë sezon, edhe pse në asnjë rast nuk janë quajtur “skuadër fushe”, rritja megjithatë, edhe pse jo aq e madhe (kanë fituar 21 pikë), tregon njëfarë përmirësimi.

JASHTË FUSHE – Janë dyfish më tepër fitore jashtë (8 ndeshje) sesa numri i barazimeve e humbjeve (secila prej tyre me nga 4 ndeshje), që kanë marrë këtë sezon rrogozhinasit kur jemi vetëm 4 javë para finishit. Në total janë tashmë 24 pikë jashtë “mureve” të “Arena Egnatias”, duke treguar efikasitet të shkëlqyer nëpër transferta. Nuk kishte ndodhur kështu për Egnatian më 2004-2005 kur jashtë fushe në 32 javë kishte marrë vetëm 10 pikë. Ndërsa sezonin e kaluar janë marrë prej rrogozhinasve 19 pikë në total për 32 javë.

KARTONËT – Në sezonin 2004-2005 në 32 javë Egnatia kishte marrë 72 të verdhë dhe 9 kartonë të kuq. Sezonin e kaluar ishin 66 ndëshkime me të verdhë dhe 5 të kuq. Ndërsa këtë sezon, edhe pse skuadra paraqet një futboll impresionues dhe pa lojë agresive, ca më pak “të dhunshme”, numri i kartonëve ka qenë i lartë: 88 të verdhë dhe 5 kartonë të kuq. Në takime të veçanta ekipi nuk i ka kontrolluar mirë “nervat”.

TË HUAJT – Duke qenë një skuadër pa shumë histori në elitë, tek Egnatia gjatë tri përvojave të luajtjes në Superiore, një rol kanë luajtur edhe futbollistët e huaj me kombësi të ndryshme. Në sezonin 2004-2005 kanë luajtur qendërmbrojtësi Marcelo Brashini dhe qendërsulmuesi Madu Dikson. U shtua ndjeshëm numri i lojtarëve me nënshtetësi joshqiptare në sezonin e kaluar, me plot 15 futbollistë: Uros Duriç, Besar Iseni, Besart Krivanjeva, Majkëll Agbekpornu, Xhekson Santos, Demir Imeri, Kris Gadi, Arsen Valport, Pedro Kabral, Timis Bardis, Guilerme Eller, Filip Duranski, Dzon Delarzh, Ilirid Ademi dhe Eduardo Pashailo. Ndërsa gjatë këtij sezoni që po i afrohet mbylljes, kanë luajtur po 15 lojtarë të huaj, që janë: Sodik Atanda, Arbin Zejnullai, Medeiros Fernando, Ojediran Hamzat, Dzon Delarzh, Xhekson Santos, Ilir Camaj, Henri Zhoel, Klaudivan Bambam, Majkëll Agbekpornu, Xhejms Ayinde, Rafael Duamena, Redi Kasa, Gutis Paulauskas dhe Eduard Emsis.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"