Sëlltik-Partizani/ Flasin protagonistët, ish-lojtari Millan Baçi: Nuk e prisja kur më federuan, isha në zbor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2019 | 21:30

Sëlltik-Partizani/ Flasin protagonistët, ish-lojtari Millan Baçi: Nuk e prisja kur më federuan, isha në zbor

UVIL ZAJMI

Për takimin ndaj Sëlltik, Partizani mori disa përforcime. Baçi ka qenë një ndër lojtarët e marrë, bashkë me Sh. Ballgjinin (Dinamo), mbrojtësin e gjatë Çoçoli nga Dinamo.

millan baci

“Më kanë njoftuar pas një miqësoreje që mundet të jetë e rrallë, pasi kam mendimin se Partizani17 Nëntori nuk zhvillonin të tilla midis tyre, aq më shumë para nisjes së kampionatit. Pas ndeshjes së luajtur në stadiumin “Dinamo”, Bejkush Birçe më thotë: “Nga nesër do vish me ne në grumbullim se do të marrin ndaj Sëlltikut. Gjykoj se loja në krahë, daljet në sulm që unë e praktikoja te 17 Nëntori dhe me Ballgjinin gjithashtu në krahun tjetër, do të harkonim për Agim Muratin. Dhe Murati shënoi pikërisht pas një krosimi të Ballgjnit nga e majta”.

Kur dhe si të njoftuan?

Disa ditë para se të niste sezoni, madje në javën e parë e të dytë të kampionatit luajta me 17 Nëntorin. Në Shkodër ndaj Vllaznisë kujtoj se atë ditë la futbollin Zhega, u zhvillua një ceremoni dhe fanellën ia dorëzoi Vukatanës. Humbën 1-0 dhe unë isha në formacion.

selltik partizani

Më thatë se ishit në zbor, si ju federuan?

U befasova, nuk e prisja, ndërkohë që isha në zborin 6-mujor pasuniversitar. Kështu funksiononte, ndërsa isha në zbor, oficerët vinin e më ndiqnin në stërvitje me Partizanin. Federimin ma kanë bërë pak ditë para nisjes, me motivin se më kishin mobilizuar ushtar, duke e konsideruar të tillë atë periudhë zbori. Te Partizani më kanë pritur shumë mirë të gjithë, nga Musta, Starova, Berisha, Ahmetaj, Fagu etj.

Ishit i dëmtuar?

Ali Kastrati më thotë të mos i tregoj askujt dhe stërvitjet e para i bëra i diferencuar, thjesht ia kërkova trajnerit. Pas disa ditëve, me një terapi intensive nga Kastrati u rikuperova. Për mua kishte rëndësi të luaja e të dilja jashtë shtetit, pasi nuk më lejonin, siç veprohej atëherë. Çështje biografie… Ky ishte shansi i fundit pasi dalja jashtë me Partizanin më hapte mundësi edhe për tjetër herë. Kjo u vërtetua kur pas një viti më grumbulluan edhe ndaj Malmos.

perlat musta i partizanit peson gol nga celtic

Por keni luajtur me tjetër emër aty, apo jo?

Vetëm këtu. Nuk e di si ekanë justifikuar, se si e kanë motivuar, por të tillë figuronim në listën që i ishte nisur UEFA-s. Jo vetëm për mua, për të gjithë lojtarët e marrë si përforcim. Në mbrëmje, apo të nesërmen, mjaft tifozë më pyesnin me kuriozitet lidhur me Millanin, Spiron, Sefedinin apo Shyqyriun… Sigurisht ata që e kishin parë në televizion dhe e kishin dëgjuar në radio, nuk kishin kuptuar asgjë në fillim. Edhe para takimit, kur u plotësua protokolli, treguan se do të figuronim me emra dhe jo mbiemra. Ndryshe atje, edhe kur panë po ata futbollistë, por me të tjerë emra, askush nuk pyeti, as nga gazetarët nuk u komentua ky fakt. Heshtje edhe nga UEFA. Me siguri ishin mësuar me ne….

partizani ne skoci para ndeshjes me selltikun 3 tetor 1979

Një natë fjetët në ambasadë. Pse?

Në Beograd mbërritëm vonë, diku nga mesnata, pas një udhëtimi lodhës. Na sistemuan në selinë e ambasadës, jo në hotel dhe atë natë aty kemi fjetur. Kishim marrë ushqime me vete, hapëm konservat dhe kujtoj se Arjan Ahmetaj kishte edhe një shishe me verë. Pano, zv.trajner duke zbritur, pasi drejtuesit ishin vendosur në katin e dytë e sheh, “çfarë ke këtu?” i tha dhe e goditi në kokë me shaka, duke ia marrë shishen e verës.

A ishte Pano i njohur edhe atje?

Pasi mbrritëm në mbrëmje, erdhi pronari dhe midis të tjerëve u ndal veçanërisht me Panon, fama e të cilit kishte shkuar deri atje. Pasi mbaroi prezantimi, dha urdhër: “Për futbollistin e madh shqiptar do të ketë tjetër trajtim. Për të gjithçka do të jetë gratis”. Sigurisht në shenjë respekti e nderimi.

Kërkuat të shihnit “Hamden Park”?

Në Gllazgou, paraditën e ndeshjes bashkë me Fagun, Starovën i kërkuam një gazetari enciklopedist që qëndronte në hotel me ne, i cili kishte një album me foto me të gjitha skuadrat që kishin luajtur ndaj Sëlltikut, të na dërgonte të shihnim “Hamden Park”. Me makinën e tij shkuam. Kujtoj që roja, një burrë plak i stadiumit fillimisht hapi një deriçkë të vogël dhe pasi shoqëruesi i tha “janë futbollistë, duan të shohin stadiumin”, na lejoi. Kuriozitet i madh, një stadium gjigant. U futëm deri te bari, ku shoqëruesi na shpjegoi për tragjedinë e 2 janarit të vitit 1971, Rejnxhers-Sëlltik, ku humbën jetën mjaft tifozë. Pastaj u ngjitëm sipër në muzeun e madh me të gjitha trofetë, këpucë, fanella të lojtarëve të famshëm. Aty na dhanë një shall nëse nuk gaboj. U kthyem në hotel, askush nuk e kuptoi ku kishim qenë, pasi secili ishte futur në dhomat e tyre. Nga Gllazgou ka një orë tavoline që hapet e mbyllet me stemën e Sëlltikut.

E RRALLË – Shyqyri Ballgjini: Në Gllazgou ishim dy vellezër

Vëllezërit Bagjini, Shyqyri dhe Haxhi, kanë si kujtim edhe faktin që kanë qenë në formacion në atë 90-minutësh skocez.

shyqyri ballgjini

“Edhe në Gllazgou kaluam në avantazh 1-0, por vendësit e përmbysën rezultatin shumë shpejt në 4-1. Ishin të papërmbajtur. Më kujtohet se kur do të niseshim për në Skoci na thanë: Kujdes, po shkojmë në një vend armik dhe paret e xhepit nuk do t’i prishni aty, por kur të kthehemi e të qëndrojmë në Jugosllavi. Nga ai takim kam edhe një detaj të veçantë, që fati ta sjell rrallë. Ishim bashkë dy vëllezër, unë dhe Haxhiu, që në atë kohë kryente shërbimin ushtarak te Partizani”.

“GJIGANTI” – Kujtim Çoçoli: U ambientuam me vështirësi

Me kondicion fizik të admirueshëm, i dalluar në lojën e ajrit, mbojtësi shtatlartë i Dinamos ka qenë një ndër përforcimet e Partizanit për dy përballjet ndaj Sëlltikut.

kujtim cocoli

“Nuk e kisha menduar se debutimin tim në Kupën e Kampioneve do ta bëja me një fanellë ndryshe, atë të Partizanit dhe jo të Dinamos. Ai mbetet përforcimi i parë dhe i fundit me një skuadër tjetër”, thotë. Madje në Gllazgou ka qenë titullar në ato 90 minuta të paharruara. “Ndaj Sëlltikut jam grumbulluar që në fillim me Partizanin, madje do të luaja edhe në ndeshjen e parë në Tiranë. Por, pata një dhimbje në kofshë dhe i them Ali Kastratit për shqetësimin. Ai bisedoi me Birçen dhe nuk u aktivizova. Ndërsa në Skoci luajta në formacion. Edhe pse në mbrojtje ishim dy shtatlartë, unë dhe Berisha, ndaj tyre ishte e pamundur të përballoje vrullin, presionin, aq më shumë në një mjedis e publik të jashtëzakonshëm. E patëm të vështirë të ambientoheshim, një ndeshje më shumë se një “betejë”, veçanërisht pjesa e parë.

MESFUSHORI – Ilir Lame: Një furtunë e vërtetë

Ilir Lame, ish-lojtari i shquar i të kuqve, tregon ato çka mban mend nga ajo ndeshje.

ilir lame

“45 minutat e para ishin një ‘tmerr’ për shkak të një presioni të jashtëzakonshëm në fushë dhe nga tifozëria. Realizuam të parët, por ata shpejt barazuan, vetëm 2-3 sekonda heshtje pastaj filloi furtuna e tyre. Na shënuan edhe tre gola të tjerë… Kujtoj se golin e dytë apo të tretin në një dyluftim në ajër e kanë mbajtur peshë Mustën. As arbitri nuk reagoi. Pjesa e dytë u zhvillua më e ekuilibruar, me raste nga të dyja palët. Për ne ishte hera e parë të luaje në një stadium të tillë, në mbrëmje, përballë një skuadre me emër të madh. Kishin qenë kampionë Europe, shumë famë dhe tifozëri unike. Nga zhurma nuk dëgjohej kur doja të komunikoja dhe afrohesha duke i folur në vesh Baçit. Kujtoj se Muharrem Terihati ishte përgjegjës i ekipit, Lluka Heqimi mjek, që edhe përkthente në takimet zyrtare, ndërsa rezervë ishin A. Lekbello, V. Meçe, A. Gjini, M. Fagu. Më vjen keq që disa nga ai grup nuk jetojnë, nga Ali Kastrati, Pano, Berisha, Ahmetaj, Murati…

POLEMIKA – Mjeku Lluka Heqimi: Protestova tek arbitrat

Kujtoj nga ajo ndeshje udhëtimin e gjatë, ndalesën në amabasadën tonë në Beograd, një natë fjetje në Londër dhe deri te ndeshja. Kishte shumë momente, episode të paharruara.

lluka heqimi

Një ndër to ka qenë edhe arbitrimi, pasi në pjesën e parë kujtoj se sulmuesit vendës e “rrethonin” Mustën në çdo harkim që bëhej në zonë. Kështu i shënuan golat dhe arbitri që nuk reagonte, madje e lejonte lojën e tyre aspak normale. Kjo më detyroi që në pushim të shkoj në dhomën e tyre dhe i kam thënë: “Ju nuk po arbitroni mirë! Ishin suedezë, nëse nuk gaboj, të befasuar, kryesori m’u përgjigjigj: ‘Si guxoni të gjykoni për arbitrimin tonë’? Sidoqoftë, në pjesën e dytë ata ndryshuan krejtësisht dhe iu kthyen normales”.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"