Selenica pret ngjitjen, bashkia investon në infrastrukturë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2018 | 23:08

Selenica pret ngjitjen, bashkia investon në infrastrukturë

Pas 22 vitesh mungesë, Selenica u ringrit. Bashkia e qytetit njoftoi gati një muaj më parë se kishte përfunduar të gjitha procedurat për t’u regjistruar në Kategorinë e Tretë, megjithatë nuk e ka lënë me kaq. Kujtojmë që për të fundit herë, ky ekip ka milituar në sezonin 1996- 1997 në Kategorinë e Dytë dhe që prej asaj kohe nuk u duk kurrkund. Me rikthimin, ambiciet janë maksimale. Kjo duket qartazi edhe prej investimit më të fundit të bërë në infrastrukturë, pasi tashmë Selenica do të ketë edhe një terren sportiv ku të stërvitet dhe luajë ndeshjet e veta për sezonin tjetër, pasi të ketë siguruar ngjitjen në të Dytën.

44922678_2184201695156642_7317253533571481600_n
Fusha është në standardet optimale, ndërsa janë ndërtuar edhe dhomat e zhveshjes brenda të gjitha parametrave. Investimi është kryer me idenë e qartë, që ekipi të jetë i gatshëm për t’u ngjitur në Kategorinë e Dytë. Gjithçka e konfirmoi vetë kryetari i Bashkisë së Selenicës, Përparim Shametaj. “Jeni të bindur se do të ngjitemi në Kategorinë e Dytë dhe për këtë kemi bërë këto investime të rëndësishme në infrastrukturë, ku kemi ndërtuar këto ambiente tepër komode. Kam bindjen se këta djem që ne kemi në organikë do të bëjnë më të mirën për të siguruar objektivin dhe ngjitjen në kategori më lart, pasi e meritojnë qytetarët e Selenicës që të shohin ekipin në nivele të larta. Ata njihen si sportdashës të zjarrtë”, kështu u shpreh kryebashkiaku Shametaj, duke garantuar synimet madhore për Selenicës. Skuadra po vijon përgatitjet intensive prej më shumë se dy javësh nën drejtimin e trajnerit Erjon Duro dhe është më shumë se gati për të nisur garën. Ky kampionat do të luhet në Kamzë dhe klubi ka siguruar edhe bazën materiale, çka bën që këtij ekipi të mos i mungojë asgjë.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"