Sejdini: Humbje e trishtueshme e Dinamos, nuk e di pse ishte në fushë Samake

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 22:07

Sejdini: Humbje e trishtueshme e Dinamos, nuk e di pse ishte në fushë Samake

Dinamo pësoi në Shkodër humbjen e parë në kampionat, një humbje që peshon më shumë për shkak të 6 golave të shënuar nga Vllaznia. Një humbje që ndoshta e ka kthyer me “këmbë në tokë” skuadrën blu dhe ia ka bërë të qartë se nuk është aq e lehtë për të folur për titullin në Superiore. Faruk Sejdini, ish-trajner i Dinamos, e ndoqi ndeshjen me Vllazninë nga tribuna e stadiumit “Loro Boriçi” dhe e ka më të lehtë të konstatojë atë çfarë nuk shkoi këtë herë në lojën e skuadrës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Sejdini thekson se Dinamos në atë humbje të trishtë, siç e quan ai, nuk i funksionoi mesfusha. Nuk mungojnë as batutat, sigurisht.

sejdini ne stadium

 

Profesor Sejdini, ju e ndoqët nga afër ndeshjen me Vllazninë. Cili është gjykimi juaj për atë humbje të thellë?
Në fakt, rezultati flet vetë. Nuk mbaj mend kur Dinamo ka pësuar 6 gola në një ndeshje. Ishte një humbje e trishtueshme, patjetër, por futbolli i njeh edhe rezultatet të tilla dhe ndonjëherë është më mirë që ndodhin tani që jemi akoma në fillim të kampionatit dhe ka kohë për të bërë korrigjime, sepse mund të ndodhin atëherë kur nuk ke kohë të bësh asgjë dhe është më e rëndë.

Gjashtë gola të pësuar peshojnë shumë. Çfarë nuk shkoi në lojën e Dinamos, sipas jush?
Po, është e vërtetë që gjashtë gola janë shumë për një skuadër si Dinamo, edhe pse siç e thashë, mund të ndodhë. Mendimi im është se nuk funksionoi mesfusha e Dinamos, aty fillonte gjithçka. Pashë një lojtar me numrin 16 (i referohet Ali Samakes), që nuk e di pse ishte në fushë. Nuk e kuptova çfarë bënte ai gjatë gjithë kohës, ishte shumë dobët dhe u ndërrua me vonesë.

Mungonte në këtë ndeshje qendërmbrojtësi Sofranak. Kaq shumë ndikon një lojtar në mbrojtje?
Nuk duhet të jetë kështu, jo më kot në skuadër janë 22, 25 apo më shumë lojtarë. Lojtari që ju thoni është i rëndësishëm për Dinamon, por jo kur të mungojë një lojtar të krijohen kaq probleme. Në futboll stoli është shumë i rëndësishëm, është vendimtar për të zgjidhur ndeshjet. Për shembull, mund të kesh një lojtar shumë të mirë në skuadër, por ndaj një kundërshtari të caktuar ai nuk të duhet në fushë nga minuta e parë. E aktivizon për pak minuta kur duhet dhe zgjidh ndeshjen. E ritheksoj, në stol duhet të kesh lojtarë që vetëm emrin ta kenë lojtarë stoli.

Mungesa e qendërmbrojtësit solli edhe spostimin e Sidibesë prapa, duke prishur ndoshta ekuilibrin në mesfushë…
E thashë më lart se problemi kryesor i Dinamos në ndeshjen me Vllazninë ishte mesfusha, që nuk e bëri punën e saj, nuk funksionoi si repart. Për spostimin e Sidibesë do të thosha se skuadra nuk mund të bëhet me arna. Është si të grisësh një rrobë për të arnuar një rrobë tjetër të trupit, po prapa zbuluar je. Ky është mendimi im. Duhet të theksoj edhe një fakt: përveç dobësive të Dinamos, Vllaznia e zgjidhi ndeshjen me individualitetet që ka në skuadër, ata bënë diferencën në momente të caktuara. Te Dinamoja u përpoq Ibraimi, luajti në sulm, pastaj u tërhoq në mesfushë. Edhe Imami u mundua të bënte diçka me ndonjë dalje përpara.

Po tjetër, çfarë nuk shkoi në atë ndeshje?
Edhe krahu i djathtë i mbrojtjes, ku lojtarët e Vllaznisë kishin shumë liri veprimi. Mendova se do të korrigjohej në pjesën e dytë, por sërish nuk u zgjidh. Në zonën ku luante Latifi, Dinamo kishte shumë vështirësi. Latifi është lojtar me kualitet, dakord, por kur u shpik tanku, u shpik edhe antitanku… Pastaj, Dinamo pësoi gola nga goditjet standarde, është e pafalshme brenda një ndeshjeje të gabosh aq shumë në këtë aspekt. Lojtarët e Vllaznisë ishin të lirë në zonë.

A mund ta kalojë skuadra këtë goditje dhe deri ku mund të arrijë këtë kampionat?
Besoj se do ta kalojë, sepse i ka forcat. Duhet të mbledhë forcat dhe të reagojë në ndeshjen e radhës, nuk është ndonjë tragjedi. E thashë, është më mirë që këto gjëra të ndodhin tani në fillim. Për objektivin unë them se nuk duhet të krijohen iluzione, sepse ka edhe deziluzione pastaj. Për mua, nëse Dinamo arrin në tri vendet e para në fund të kampionatit, është një sukses shumë i madh, po të kemi parasysh se ka shumë vite që endet si çifuti në shkretëtirë. Është kthyer me projekt serioz, por duhet kohë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"