Seiti: Shkurtaj ka potencial, por është i ngathët në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2018 | 11:49

Seiti: Shkurtaj ka potencial, por është i ngathët në sulm

Luan Seiti, një nga “ikonat” e futbollit gjirokastrit, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” shprehu keqardhjen e tij për startin e Luftëtarit, por njëherazi dhe bindjen e plotë se bluzinjtë do të dinë të gjejnë ritmin e dy sezoneve të fundit. Më tej, ish-futbollisti do t’u bënte thirrje gjithë tifozëve që të përkrahin ekipin në këtë moment delikat.

Luan-Seiti

Luan, si një ish-lojtar i Luftëtarit para viteve ’90, si ndiheni me këtë start që ka bërë skuadra gjirokastrite në kampionat?

Jo vetëm unë si ish-lojtar, por të gjithë pa përjashtim nuk ndihemi mirë. Për Luftëtarin, bashkë me shokët e mi, kemi thyer brinjët dhe këmbët në fushë, ndaj dhe na dhimbset ekipi. Janë luajtur vetëm dy ndeshje dhe asgjë më shumë. Nuk është fundi i botës, por kur humbet në shtëpi me Kastriotin, atëherë është për të ardhur keq. Vërtet u mundëm në Laç, por skuadra u shpreh mirë, pavarësisht se futbollistët nuk e mbajtën dot presionin. Për mua diferencën duhet ta bëjnë sulmuesit. Janë ata që duhet ta mbajnë skuadrën para dhe kështu ua bëjnë më të lehtë lojën mbrojtësve të ekipit.

Meqenëse jemi te sulmuesit. Cili është mendimi juaj për lojën sulmuese të Luftëtarit në këto dy javë të para?

Luftëtarit i janë larguar dy sulmues cilësorë dhe vështirë të zëvendësohen. Më pëlqen sulmuesi i krahut të djathtë (Ymeraj), është i shpejtë dhe i fuqishëm. Unë kam luajtur vetë sulmues dhe besoj te cilësitë e tij. Ymeraj ka cilësi dhe do të jetë lojtar i rëndësishëm. Shkurtaj është potencial për Luftëtarin. Është pak i ngathët, por i fuqishëm në lojën në ajër. Ka të mirën e madhe se nuk fal para porte. Këtu qëndron dhe diferenca e lojtarit sulmues ndaj të tjerëve. Afrimi i një tjetër lojtari sulmues do të rriste forcën konkluduese. Sa më shumë lojtarë për një pozicion, më shumë konkurrencë të frytshme ka brenda grupit, atëherë dhe rezultatet do të vijnë.

Si e shikoni ndeshjen e radhës me Flamurtarin, çfarë duhet të bëjë ekipi që të gjejë rrugën e kthesës?

Në jetën e përditshme të gjithë themi se fillimi i mbarë është gjysma e punës. Deri më tani Luftëtari ka zhgënjyer. Me Flamurtarin është e treta e vërteta. Në këndvështrimin tim, nuk besoj se jam i vetmi, aktualisht nuk ka skuadra të lehta apo të dobëta. Diferencat mes dhjetë ekipeve në Superiore janë aty-aty. Ndaj besoj se përballë Flamurtarit, Luftëtari do të dijë të reagojë pozitivisht. Lojtarët të largojnë emocionet, stresin e rezultateve negative dhe nëse vënë zemrën në fushë, atëherë frytet e punës dymujore do të korren.

Cila do të ishte këshilla juaj për drejtuesit e Luftëtarit dhe aktorët e tij për të kaluar ngërçin e rezultateve dy javëve të para?

Një pyetje delikate, por do t’i përgjigjem ashtu si unë di të flas. Edhe në intervistat e mëparshme që kam dhënë për “Panorama Sport”, kam thënë se futbollit shqiptar i duhet trajner vendës dhe jo të huaj. Nuk kam paragjykuar dhe paragjykoj as trajnerin tonë, për të cilin ruaj respekt, pasi edhe ky (Millosh Kostiç) nuk e njeh mentalitetin e futbollit tonë. Luftëtari nuk është skuadër në formatim, përkundrazi trajneri e gjeti skuadrën të ndërtuar. Janë luajtur vetëm dy ndeshje, ndoshta harmonizimi i përvojës së lojtarëve “të vjetër” me dëshirën e të rinjve do të kërkonte edhe pak kohë. Më shumë se çdo gjë tjetër, lojtarët kanë nevojë për mbështetje morale, për bashkëpunim dhe ngrohtësi. Të gjithë në krahë të skuadrës dhe jo t’i kthejmë kurrizin, sot që Luftëtari ka “uri” për rritjen e moralit.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"